Falënderimet i takojnë vetëm Allahut për dhuratat e panumërta dhe mirësitë e plota! Dëshmoj dhe deklaroj se nuk ka të adhuruar të vërtetë, përpos Allahut, Ai është i Vetëm dhe i Pashok, i njohur për mirësinë dhe mëshirën e Tij! Gjithashtu, dëshmoj se Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem) është rob dhe i Dërguari i Tij, udhëheqësi i arabëve dhe i të huajve, njeriu që Allahu e veçoi dhe i zbriti fjalët përmbledhëse! O Zoti ynë, nderoje dhe begatoje familjen e tij, e cila shquhej për fisnikërinë, moralin dhe shokët që ndriçojnë si yjet errësirat. Ata që Allahu i nderoi, duke i bërë njerëzit më të mirë mes popujve. Këto, përshëndetje ia dërgoj çdokujt që erdhi pas tyre, ndoqi gjurmët e tyre dhe e pastroi zemrën nga çdo lloj mllefi për besimtarët.
Ndër temat që kanë shkruar dijetarët në fushën e hadithit të Profetit (salAllahu alejhi ue selem) është edhe libri “Dyzet hadithet”. Në të vërtetë, libri është një përmbledhje, ku autori përmend dyzet hadithe të Profetit (salAllahu alejhi ue selem), e kjo, duke u bazuar në një hadith që është transmetuar për vlerën e të mësuarit përmendësh të dyzet haditheve nga Profeti. Në parathënien e librit të tij “Dyzet hadithet”, shkrimtari përmend nëntë prej shokëve të Profetit, të cilët e përcillnin këtë hadith. Pasi rradhit emrat e tyre, citon: “Dijetarët e hadithit janë të një mendimi se ai është hadith i dobët, edhe pse rrugët e tij të transmetimit janë të shumta.”
Ai na rikujtoi se në shkrimin e librit të dyzet haditheve nuk ishte mbështetur mbi këtë hadith, por mbi disa hadithe të tjera, siç është hadithi i Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “Ai që është prezent, le t’ia përcjellë (fjalët e mia) atij që mungon.”, apo fjala e Profetit që thotë: “Allahu ia ndriçoftë fytyrën atij njeriu që dëgjon një prej thënieve të mia dhe e kupton atë.” Më pas, ai përmend trembëdhjetë prej dijetarëve që kanë shkruar dyzet hadithe, ku nga të parët ishte Abdullah ibn Mubarek dhe i fundit Ebu Bekr el-Bejhaki. Pas përmendjes së tyre ai thotë: “E shumë të tjerë, të cilët nuk mund të numërohen prej të parëve dhe të gjithëve që erdhën më pas.”
Neveviu, më pas vijon: “Disa dijetarë kanë mbledhur dyzet hadithe që flasin për bazat e fesë e disa të tjerë për çështje të dorës së dytë. Disa kanë mbledhur rreth Xhihadit, Zuhdit, moralit, e disa rreth hutbeve, por që të gjitha përmbajnë qëllime shumë të mira. Allahu qoftë i kënaqur me ata që kanë pasur këto qëllime! Ndërsa unë mendova të mbledh dyzet hadithet më të rëndësishme nga të gjitha çështjet që u përmendën sepse ato janë dyzet hadithe që i përmbledhin të gjitha çështjet e mësipërme.
Çdo hadith përmban një rregull të madh të kësaj feje, e disa dijetarë kanë vlerësuar se Islami sillet rreth këtyre haditheve, apo se janë gjysma, apo një e treta e Islamit etj. U kujdesa që këto dyzet hadithe të ishin të sakta dhe numri më i madh i tyre gjendet në Sahihun e Buhariut dhe Muslimit. Ato i kam përmendur pa zinxhire transmetuesish, me qëllim që të lehtësohet mësimi i tyre përmendësh dhe dobia të jetë më e madhe në dashtë Allahu! Kushdo që e kërkon ahiretin duhet t’i mësojë këto hadithe dhe çështje të domosdoshme, po ashtu edhe disa çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me adhurimet e që janë të dukshme për cilindo që mediton rreth tyre.”
Hadithet që mblodhi Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) janë dyzet e dy hadithe, por ai i quajti dyzet, për të përmendur numrin më të madh dhe në formë përmbledhese. Ky libër, bashkë me librin “Rijad es-Salihin” ka hasur një pranim të pazakontë tek njerëzit. Këto hadithe patën nje popullaritet të madh dhe njerëzit tregonin kujdes të madh për to. Mund të them se libri i parë që të vjen nëpër mend e që i udhëzon fillestarët në kërkimin e hadithit, janë këto dyzet hadithe të Neveviut (Allahu e mëshiroftë!). Këtyre haditheve Ibn Rexheb el-Hanbeli (Allahu e mëshiroftë!), u shtoi edhe tetë hadithe, të cilat konsiderohen prej fjalëve përmbledhëse të Profetit (salAllahu alejhi ue selem). Në këtë mënyrë, plotësoi numrin pesëdhjetë të haditheve. Ato i komentoi në një libër që e titulloi: “Xhamiul ulumi vel hikem fi sherhi khamsine hadithen min xhevamiul kelim”.
Komentet rreth këtij libri janë shtuar shumë. Ndër to ka me komente të shkurtra, por edhe të zgjeruara. Mund të them se komenti më i zgjeruar është ai i Ibn Rexhebit (Allahu e mëshiroftë!). Gjithashtu, komentet e këtyre haditheve dhe shtojcës së Ibn Rexhebit mendova t’i përmbledh në një komentim që i afrohet komentit të shkurtër, ku përmend hadithin në fraza e në mbyllje, si dhe moralin që nxjerrim nga hadithi. Në komentin tim të hadithit jam bazuar në komentet e Neveviut, Ibn Dakik el-Ijdit, Ibn Rexhebit, Ibn Uthejminit, librit “Fet’hul Bari” me autor Ibn Haxher el-Askalan. Atë e titullova: “Fet’hul kavijil metin fi sherhi el-erbain ve tetimetul khamsin li Nevevi ve Ibn Rexheb”. (Allahu i mëshiroftë!)
“Metin” është emër i Allahut, të cilin e përmend Allahu në Kur’an kështu:
“Vërtet, Allahu është Furnizuesi i vetëm, i Fuqishmi, i Plotëpushtetshmi.” (Dharijat, 58)
Që do të thotë i Fuqishmi, ashtu siç është komentuar në librat e tefsirit. Me këtë rast, unë i këshilloj nxënësit e dijes që t’i mësojnë përmendësh këto pesëdhjetë hadithe që vlerësohen si fjalë përmbledhëse e Profetit, (salAllahu alejhi ue selem) I lutem Allahut të Madhëruar që ky koment të jetë i dobishëm, ashtu siç janë të dobishëm hadithet e tij. Vërtet Allahu i dëgjon lutjet dhe u përgjigjet atyre! Dhe në fund, paqja dhe nderimet e Allahut qofshin mbi robin dhe të Dërguarin e Tij, Muhamedin, familjen dhe gjithë shokët e tij!
Hadithi 1
Prijësi i besimtarëve Ebu Hafsa Omer Ibn Hattab (radijAllahu anhu) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) të ketë thënë: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve, dhe çdo njeriu i takon ajo që ai ka patur për qëllim. Ndaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote, apo të martohet me ndonjë grua, ai do të marrë atë shpëblim që ka patur për qëllim.”
Këtë hadith e transmetuan dy imamët e mëdhenj të hadithit Ebu Abdullah Muhamed bin Ismail bin Ibrahim bin Berdize el-Buhari dhe Ebul Husejn Muslim bin Haxhaxh bin Muslim el-Kushejri en-Nejsaburi në dy Sahihët e tyre, të cilët konsiderohen si librat më të saktë të hadithit.
1- Këtë hadith e transmetuan Buhariu, Muslimi, autorët e Suneneve (Tirmidhiu, Ebu Davudi, Nesaiu dhe Ibn Maxheh) etj. Për transmetimin e tij nga Omeri është veçuar Alkame bin Uekas el-Lejthi, e prej tij e transmeton Muhamed bin Ibrahim et-Tejmi, ndërsa në transmetimin prej tij është veçuar Jahja bin Seid el-Ensari dhe më pas u shtuan transmetuesit që e përcollën prej tij. Ky hadith është prej haditheve Garibe (hadithe që kanë një transmetues të vetëm gjatë gjithë zinxhirit të transmetimit) në Sahihun e Buhariut. Me të, Buhariu ka bërë hyrjen në librin e tij. I ngjashëm me të është edhe hadithi, me të cilin Buhariu mbyll Sahihun e tij. Është pikërisht hadithi që transmeton Ebu Hurejra: “Dy fjalë janë shumë të dashura tek Mëshiruesi…”, i cili është gjithashtu prej haditheve Garibe në Sahih.
2- Neveviu librin “Dyzet Hadithet” i nisi me këtë hadith, madje një hapje të tillë u kanë bërë edhe dijetarët e tjerë librave të tyre. Një prej tyre është Buhariu, i cili Sahihun e tij e filloi me këtë hadith. AbdulGani el-Makdesi librin e tij “Umdetul Ahkam” e nisi me këtë hadith: Begaviu dy librat e tij të titulluar “Mesabihu Suneh” dhe “Sherhu Suneh” i nisi me këtë hadith. Gjithashtu, Sujuti librin e tij “El Xhamiu sagir” e hapi me këtë hadith. Ndërsa Neveviu në hyrjen e librit të tij “El Mexhmu Sherh el-Muhedheb” (1/35) vendosi një temë dhe e titulloi: “Temë rreth sinqeritetit, çiltërsisë dhe preokupimit me nijetin (qëllimin), në të gjitha veprat e dukshme dhe të padukshme”.
Në këtë temë, ai përmendi tri ajete nga Kur’ani Famëlartë dhe u bashkangjiti hadithin: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.” Më pas pohoi: “Ky është një hadith për saktësinë e të cilit është rënë dakord. Të gjithë janë të një mendimi për madhështinë dhe vendin e lartë që zë ai. E themi këtë sepse është njëri prej bazave të besimit, shtylla e parë dhe më e kërkuar.” Shafi’iu duke folur mbi këtë hadith ka thënë: “Ky hadith përfshihet në shtatëdhjetë kapituj të Fikhut.” Një herë tjetër, ai është shprehur kështu: “Ai zë vendin e një të tretës së dijes”, e fjalë të ngjashme kanë shprehur edhe të tjerë veç tij. Ai është njëri prej haditheve, rreth të cilit sillet feja Islame.
Dijetarët kanë rënë në polemikë për numrin e këtyre haditheve, disa kanë thënë ato janë tri hadithe, e disa të tjerë kanë thënë katër, e të tjerë dy hadithe. Ka edhe disa që kanë thënë se është vetëm një hadith. Unë i kam mbledhur që të gjitha në një libër të veçantë me titull: “Dyzet hadithet”. Çdo musliman duhet patjetër që t’i njohë këto hadithe sepse të gjitha janë të sakta, esenca e të gjitha rregullave Islame, duke nisur nga çështjet bazë, degëzimet, asketizmin, mirësjelljen, moralin e lartë etj.
Unë e bëra hyrjen e librit tim me këtë hadith, duke marrë si shembull imamët dhe dijetarët tanë të hershëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Me këtë hadith e filloi imami i ehli hadithit Ebu Abdullah Buhari Sahihun e tij. E disa të tjerë përcollën se të parët tanë të mirë pëlqenin që librat e tyre t’i fillonin me këtë hadith, me qëllim që t’u mësonin nxënësve përmirësimin e nijetit si dhe kërkimin e kënaqësisë së Allahut, me anë të punëve të dukshme dhe atyre që nuk duken.
Transmetohet se Imam Ebu Seid AbduRrahman ibn Mehdi, (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nëse do të shkruaja një libër, çdo temë të tij do ta filloja duke përmendur këtë hadith.” Gjithashtu, transmetohet se ai ka thënë: “Kush dëshiron të shkruaj një libër, le ta nisë me këtë hadith.” Ndërsa Imam Ebu Sulejman Hamed bin Muhamed bin Ibrahim bin el-Hatab el-Hatabi, njëri nga dijetarët Shafi, (Allahu e mëshiroftë!), në librin e tij “El Me’alim” shprehet duke thënë: “Mësuesve tanë më të hershëm u pëlqente që t’i jepnin përparësi hadithit: “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve” para fillimit të çdo gjëje që ka të bëjë me çëshjtet e fesë, duke u nisur dobia e përgjithshme për të, në të gjitha aspektet e fesë.”
Ibn Rexhebi në librin e tij “Xhamiul Ulumi uel Hikem” (1/61) thotë: “Dijetarët janë të një mendimi rreth saktësisë dhe pranimit të këtij hadithi”. Buhariu me këtë hadith bëri hapjen e librit të tij “Sahihul Buhari” dhe e vendosi si parathënie, për të treguar se çdo punë me të cilën nuk synohet arritja e kënaqësisë së Allahut, ajo është e dështuar dhe nuk vlen as për në këtë botë e as për në botën tjetër.”
3- Ibn Rexhebi ka thënë: “Ky është njëri nga hadithet, rreth të cilit sillet e gjithë feja.” Transmetohet se Imam Shafi’u ka thënë: “Ky hadith është një e treta e dijes dhe përfshihet në shtatëdhjetë kapituj të Fikhut.” Ndërsa Imam Ahmedi ka thënë: “Bazat e Islamit janë të ndërtuara mbi tri hadithe: Hadithin e Omerit ““Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.”, hadithin e Aishes “Kush shton në fenë tonë diçka që nuk është prej saj ajo është e refuzuar.”, si dhe hadithin e Num’an ibn Beshirit “Hallalli është i qartë dhe harami është i qartë.”. Në një pjese tjetër (1/71), Ibn Rexhebi, duke komentuar fjalën e Imam Ahmedit thotë: “E gjithë feja kthehet në praktikimin e urdhërave, braktisjen e të ndaluarave dhe distancimin nga të dyshimtat.”, çështje të cilat i ka përfshirë hadithi i Num’an ibn Beshirit. Por e gjithë kjo realizohet vetëm duke pasur parasysh dy gjëra.
E para: Kur puna në pamje të jashtme duket në përputhje me Sunetin, gjë të cilën e përfshiu hadithi i Aishes që thotë: “Kush shton në fenë tonë diçka që nuk është prej saj ajo është e refuzuar.”
E dyta: Kur puna në thelb bëhet për të kërkuar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar, ashtu sikurse u sqarua në hadithin e Omerit ““Veprat vlerësohen sipas qëllimeve.”
Pas kësaj, Ibn Rexhebi (1/61-63) transmetoi fjalët e disa prej dijetarëve që flasin për hadithet rreth të cilave sillet Islami dhe se prej tyre ka pasur nga ata që kanë thënë: “Ato janë dy hadithe”, e të tjerë që kanë thënë “janë katër hadithe”, ka pasur edhe të tjerë që kanë pretenduar që janë pesë. Hadithet që ai tregoi, duke i shtuar dhe tri hadithet e mësipërme, janë: “Vërtet, çdonjëri nga ju formohet në mitrën e nënës së tij…”, gjithashtu hadithi: “Prej Islamit të mirë të një njeriu është t’i lërë gjërat që nuk i interesojnë.”.
Hadithi: “Allahu është i Mirë dhe nuk pranon vetëm se të mirën.”, hadithi: “Nuk beson asnjë nga ju, derisa të dojë për vëllanë e tij atë që do për vete.”, hadithi: “Nuk lejohet të dëmtosh veten apo të tjerët.”, hadithi: “Kur t’ju urdhëroj për diçka, praktikojeni sa të keni mundësi.”, hadithi: “Mos i kushto rëndësi (kënaqësive) kësaj bote që të të dojë Allahu, gjithashtu mos i kushto rëndësi asaj që njerëzit posedojnë me qëllim që të të duan njerëzit.”, si dhe hadithi: “Feja është këshillë.”
4- Për fjalët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve”, thuhet se trajta e shquar e fjalës “veprat” ka për qëllim vetëm veprat që të afrojnë tek Allahu. Por, disa të tjerë kanë thënë se kjo fjalë është përmbledhëse për çdo punë, kështu që, për çdo vepër që të afron tek Allahu praktikuesi i saj shpërblehet dhe çdo vepër tjetër që përfshihet tek nevojat e përditshme si: të ngrënët, të pirët, të fjeturit etj., njeriu mund të shpërblehet nëse ka për qëllim që të forcohet për kryerjen e adhurimeve.
’Nijet’ në gjuhën arabe do të thotë ’qëllim’. Nijeti përdoret për të bërë dallimin e adhurimeve mes njëra-tjetrës, siç është dallimi i farzeve nga njëri-tjetri, si dhe farzit nga nafilet. Nijeti, gjithashtu, vlen për të bërë dallimin ndërmjet adhurimeve dhe nevojave, siç është rasti i marrjes së gusulit nga xhunubllëku, apo marrjes së gusulit që bëhet për freskim apo pastrim.
5- Për sa i përket fjalëve të Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “…ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, Ibn Rexhebi (1/65) thotë: “Me këtë ai na tregon se njeriu përfiton nga puna e tij vetëm atë që ka pasur për qëllim. Nëse ka patur për qëllim të mirën, atëherë do fitojë çdo të mirë, por nëse ka patur për qëllim të keqen, atëherë do fitojë çdo të keqe. Kjo fjali nuk është përsëritje e mirfilltë e fjalisë së parë, sepse fjalia e parë pohon se: saktësia apo pasaktesia e një pune varet nga nijeti që e shoqëron atë.
Ndërsa fjalia e dytë pohon se shpërblimi i një punëtori për punën e tij të mirë varet tek nijeti i mirë dhe se ndëshkimi për punën e tij varet nga nijeti i tij i keq. Ndodh që nijeti dhe puna e tij të jenë të pëlqyeshme, por njeriu nuk merr shpërblime dhe as ndëshkime. Kështu që saktësia, pasaktësia apo lejueshmëria e punës, në thelb, varen nga nijeti, i cili e shtyn njeriun ta bëjë atë punë të pranishme. Ndërsa shpërblimi, ndëshkimi dhe shpëtimi i një njeriu, varen përsëri nga nijeti, me të cilin ai e kthen punën në punë të mirë, të keqe apo thjesht të lejuar.”
6- Lidhur me fjalët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij. Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote, apo të martohet me ndonjë grua, ai do të marrë atë që ka patur për qëllim.”
Hixhreti vjen nga fjala Hexhër që do të thotë braktisje. Hixhreti nënkupton braktisjen e vendeve ku zotëron frika dhe të shkuarit drejt vendeve ku zotëron siguria, ashtu siç ndodhi me muslimanët, të cilët u shpërngulën nga Mekka për në Abisini. Hixhret quhet edhe shpërngulja nga vendet e kufrit, drejt vendeve Islame, siç ishte shpërngulja prej Mekkës drejt Medines. Shpërngulja drejt Mekkës ka përfunduar që në kohën kur u çlirua Mekka, ndërsa shpërngulja prej vendeve të kufrit, drejt vendeve Islame është shpërngulje që do të mbetet deri në fundin e kësaj bote.
Në fjalën e Profetit ku thuhet: “Prandaj, kush shpërngulet (bën hixhret) për hir të Allahut dhe për të Dërguarin e Tij, atëherë edhe shpërblimin do ta ketë tek Zoti dhe i Dërguari i Tij.” u bashkua kushti me shpërblimin edhe pse në origjinë ato duhet të ndryshojnë. Kjo do të thotë se: Kushdo që shpërngulet për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij, me nijet, atëherë shpërngulja e tij për tek Allahu dhe i Dërguari i Tij do ketë shpërblime, pra ka dallim.
Ibn Rexhebi (1/72) thotë: “Në kohën kur Profeti (salAllahu alejhi ue selem) përmendi se: punët vlerësohen sipas nijeteve dhe se njeriu që punon do ketë për pjesë nga puna e tij nijetin e mirë apo të keq që ka pasur, – këto janë dy fjali dhe dy rregulla përmbledhëse, jashtë të cilave nuk mund të dalë asgjë. Pas kësaj, ai përmendi një shembull prej shembujve të punëve që kanë një paraqitje, por që saktësia apo pasaktësia e tyre ndryshon sipas nijeteve. E kështu ai duket sikur thotë: “Të gjitha veprat e tjera i bazohen këtij shembulli.”
Në një vend tjetër Ibn Rexhebi (1/73) citon: “Profeti (salAllahu alejhi ue selem) lajmëroi se ky hixhret ndryshon me ndryshimin e nijeteve. Prandaj, kush shpërngulet drejt vendeve Islame, për shkak të dashurisë së Allahut dhe të Dërguarit të Tij, me dëshirën që të mësojë fenë Islame dhe për ta shfaqur atë lirshëm në një kohë kur nuk mundej ta shfaqte në vendet e kufrit, ky është muhaxhiri i vërtetë tek Allahu dhe i Dërguari i Tij. Atij i mjafton si nder dhe krenari realizimi i qëllimit që kishte në hixhretin e tij, i cili është shpërblimi që do gjejë tek Allahu dhe tek i Dërguari i Tij.
Duke u nisur nga ky kuptim, ai u mjaftua me përmendjen e këtij kushti, duke mos e përsëritur me të njëjtat fjalë, sepse arritja e synimit me anë të hixhretit është qëllimi final si në këtë botë ashtu dhe në botën tjetër. Ndërsa ai që shpërngulet nga vendet e shirkut drejt vendeve islame, për të kërkuar kënaqësitë e kësaj bote, apo për t’u martuar me ndonjë grua në vendet islame, atëherë shpërngulja e tij është për atë qëllim që është shpërngulur. I pari konsiderohet tregëtar, ndërsa i dyti dhëndërr, por asnjëri prej tyre nuk mund të quhet muhaxhir.
Në fjalën e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) që thuhet: “… ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, vihet re përçmimi i asaj që ka kërkuar prej gjërave të kësaj bote sepse ai nuk e tregoi atë që ka fituar. Gjithashtu, shpërngulja për hir Allahut dhe të Dërguarit të Tij është diçka e mirëfilltë, me të cilën nuk mund të përzihen gjëra të tjera. Kjo ishte edhe arsyeja që Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e përsëriti përgjigjen në formë kushti.
Shpërngulja për gjëra të kësaj bote nuk mund të kufizohet sepse nganjëherë, njeriu mund të emigrojë për të kërkuar diçka të lejuar nga kjo botë, apo të ndaluar në raste të tjera. Gjithashtu, edhe personat tek të cilët njerëzit shpërngulen nuk mund të kufizohen, për këtë arsye Profeti në hadith tha: “… ai do të marrë atë që ka patur për qëllim”, d.m.th. kushdo qoftë ai.
7- Ibn Rexhebi (1/74-75) thotë: “Është përhapur shumë ndodhia e njeriut që emigroi për Ummu Kajsin, për të cilin thonë se arsyeja e fjalëve që tha Profeti: “Ndërsa ai që shpërngulet për të fituar ndonjë të mirë të kësaj bote apo të martohet me ndonjë grua.” Këtë e përmendën shumë prej dijetarëve të mëvonshëm në librat e tyre, por ne nuk kemi gjetur ndonjë origjinë me zinxhirë transmetuesish të saktë që ta pohojë atë, e për këtë Allahu e di më mirë.”
8- Vendi i nijetit është zemra, ndërsa shqiptimi i tij është bidat (risi). Nuk lejohet që nijeti të shqiptohet me zë në ndonjë adhurim, me përjashtim të Haxhit apo Umres. Në këtë rast njeriut i lejohet që gjatë telbijes (shprehjes që thuhet me rastin e hyrjes në ritet e Haxhit ose Umres) të shfaqë atë që ka për nijet, qoftë për llojet e Haxhit: Kiran, Ifrad ose Temetu dhe të thotë: “O Zot, të përgjigjem Ty me Umre ose me Haxh” – ose të thotë: “Të përgjigjem me Haxh”, ose të përgjigjem me Umre. E themi këtë sepse Suneti e ka pohuar vetëm në këtë rast dhe jo në adhurimet e tjera.
Disa prej dobive që përfitojmë nga ky hadith janë:
- Nuk ka punë pa nijet (qëllim).
- Punët merren në konsideratë sipas nijeteve.
- Shpërblimi i një njeriu për punën e tij varet nga nijeti i tij.
- Dijetari duhet të japë shembuj për arsye sqarimi.
- Vlera e hixhretit është vepër, të cilën e ka praktikuar edhe Profeti (salAllahu alejhi ue selem).
Në Sahihun e Muslimit me nr. 192 transmetohet nga Amr Ibn Asi se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “A nuk e di ti se Islami i fshin mëkatet e mëparshme, hixhreti i shkatërron mëkatet e mëparshme, dhe se Haxhi i fshin ato?”
- Njeriu shpërblehet, dënohet dhe privohet nga ndonjë e mirë, për shkak të nijetit të tij.
- Veprat mund të ndryshojnë në varësi të nijeteve, për të cilat ato kryhen. Një vepër mund të jetë e lejuar në origjinë, por mund të kthehet në adhurim nëse njeriu e bën me nijet të mirë, të tilla si: të ngrënët apo të pirët, nëse ai me këtë ka për qëllim që të forcohet në kryerjen e adhurimeve.
- Një punë për një njeri mund të ketë shpërblim, ndërsa për një tjetër mund të jetë privim nga një e mirë.