“(A jobesimtari është më i mirë) Apo ai që kohën e natës e kalon në adhurim, duke bërë sexhde, duke qëndruar në këmbë, i ruhet (dënimit të) botës tjetër dhe shpreson në mëshirën e Zotit të vet?” (Zumer, 9)
“Zoti t’i faltë o Uthman, ato që ke bërë fshehurazi, ato që ke bërë publikisht, dhe ato që mund të bësh në të ardhmen, derisa të vijë ora e gjykimit!”
(Ibn Adij në El Kamil fid-Duafa 7/492)
“Nuk e dëmton Uthmanin çfarëdo që të bëjë pas kësaj dite! Nuk e dëmton Uthmanin çfarëdo që të bëjë pas kësaj dite!” (Tirmidhiu, 3701)
“Çdo Profet ka një shok (d.m.th. në Xhenet) dhe shoku im do të jetë Uthmani!” (Tirmidhiu, 3698)
“A nuk duhet të kem turp nga ai njeri prej të cilit turpërohen engjëjt!?” (Muslimi, 2401)
“Ky është im bir, Uthmani i biri i Aliut, unë i vura emrin e Uthman Ibn Affanit!” (Ali Ibn Ebi Talibi)
“A e keni vrarë atë i cili e kalonte gjithë natën duke kënduar Kuran!?” (Nëna e besimtarëve, Aisheja)
“O Zot, unë jam i kënaqur me Uthmanin, kënaqu dhe Ti me të!” (Ebu Nuajmi Fadail el Hulefa el Erbeah, 29)
“E kam parë Uthmanin duke fjetur në xhami me mantelin e tij nën kokë, ndërkohë njerëzit vinin dhe uleshin pranë tij e ai dukej sikur ishte njëri prej tyre.” (Hasani i biri i Aliut)
“Uthmani i jepte njerëzve ushqim pushtetarësh, ndërsa vetë në shtëpinë e tij hante bukë me uthull dhe vaj!” (Sherahbil Ibn Muslim)
Në fillim të këtij libri, unë kam përmendur se sahabiu i madh, Amr Ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), ishte personaliteti i dytë islamik figura e të cilit ka pësuar transformimin më të madh në të gjithë historinë islame. Po aty, kam përmendur se në historinë islame ka qenë dhe një personalitet tjetër, biografia e të cilit ishte viktimë e manipulimit më të madh historik. Aty kam thënë se këtij personaliteti do t’i kushtoj më shumë faqe në këtë libër se kujtdo tjetër prej njëqind kolosëve të botës islame.
Sepse ky njeri kishte disa vlera që e bënin të jashtëzakonshëm; ai ishte njeriu i tretë më i madh që Zoti krijoi pas profetëve, ishte i treti nga dhjetë burrat të cilëve u është premtuar Xheneti, ai ishte personi i vetëm në historinë njerëzore që u martua me dy vajzat e një profeti, ishte i treti i kalifëve të drejtë, ishte njeriu prej të cilit engjëjt kishin turp, ai do të jetë shoku i të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të!) në Xhenet, ishte njeriu që mblodhi Kur’anin, që ne e lexojmë dhe sot, ai ishte mobilizuesi i ushtrisë së varfër, ishte ai që bleu pusin e Rumës dhe ia dhuroi muslimanëve, ai ishte njeriu për shkak të cilit u lidh “Besëlidhja e Ridvanit”, e cila ishte besëlidhja më madhështore në historinë e botës.
Jemi duke folur për një njeri të një lloji të veçantë, që rrallëherë shfaqet në historinë e njerëzimit. Po flasim për dhëndrin e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të!) poseduesin e dy dritave, përshkuesin e dy mërgimeve, për atë që u fal drejt dy kibleve, për pendimtarin, të devotshmin, adhuruesin, të përulurin, bamirësin, zemërbutin, muslimanin e ndershëm, besimtarin e pastër, fisnikun e turpshëm, falësin, toleruesin, bujarin zemërgjerë, donatorin e madh dhe tubuesin e Kuranit Famëlartë. Po flasim për Uthmanin të birin e Afanit!
Nuk dua t’ia mbaj të fshehtë lexuesit të nderuar sekretin se fillimisht pata vendosur që Uthman Ibn Affanin ta rendisja të parin në këtë libër, jo sepse ai ishte më superior se Ebu Bekri, por sepse ai ishte personaliteti islamik figura e të cilit ra viktimë e shtrembërimit më të madh në gjithë historinë e botës islame. Madje nuk mendoj se e kam ekzagjeruar, nëse pretendoj se Uthman Ibn Affani, ishte personaliteti biografia e të cilit është shtrembëruar dhe manipuluar më shumë se e kujtdo tjetër në historinë e racës njerëzore!
Kjo është arsyeja pse e pashë për detyrë që ta mbroj me penën time këtë njeri që gjithmonë e mbrojti të Dërguarin e Zotit (paqja qoftë mbi të!), sidomos në këtë kohë kur xhuxhat sulmojnë gjigantët e njerëzimit, dhe hipokritët po grumbullohen nga të gjitha anët të shkatërrojnë historinë e njerëzve tanë të mëdhenj, për ta rrënuar këtë komb nga brenda, kur u bindën se luftërat që bënë kundër këtij kombi nuk mund t’i jepnin fund ekzistencës së tij, por përkundrazi, ky komb është ngritur gjithmonë duke e shkundur pluhurin pas çdo lufte, për t’u kthyer përsëri një mijë herë më i fortë se më parë!
Këta njerëz tinëzar, në dy shekujt e fundit kanë zgjedhur një metodë të re për shkatërrimin e Islamit, jo përmes pushtimit ushtarak, por përmes pushtimit historik. Andaj, ata godasin simbolet tona, shtrembërojnë imazhin e tyre dhe vënë në dyshim arritjet tona kulturore. Është për të ardhur keq që këtë herë ata ishin të suksesshëm në qëllimet e tyre!
Pushtuesit e historisë dolën fitimtarë në luftën e tyre çnjerëzore, që zhvilluan kundra simboleve të botës islame. Vlerat themelore të botës islame u tronditën për disa vjet me radhë. Dëshpërimi dhe disfata mbretëruan në zemrat e muslimanëve. Muslimanët u kthyen në kufoma të kalbura dhe shpirtra të thyer. E humbën dinjitetin në sytë e njerëzimit dhe në sytë e vetes. Por, siç e ka për zakon ky komb i çuditshëm, kur të gjithë menduan se kishte marrë fund dhe kur të gjithë dëgjuan rënkimet e vdekjes që dilnin nga trupi i tij i gjymtuar, ndodhi diçka e habitshme!
Një foshnje doli nga mesi i brinjëve të paralizuara të këtij kombi, tek e cila shquheshin tiparet e madhështisë, të ngjashme me tiparet e njerëzve të mëdhenj të botës islame. Kjo foshnje, nuk gjeti askënd që ta ndihmonte për t’u ngritur. Ajo lëkundej dhe pengohej ngado që shkonte, ecte pa e ditur se ku po shkonte, herë kah lindja, e herë kah perëndimi, e nganjëherë pushtohej nga dëshpërimi e zemërimi dhe prishte çdo gjë që kishte pranë vetes!
Kjo foshnje mbeti në këtë gjendje, derisa vitet e fundit Allahu nxorri disa burra, të cilët u çuan për ta orientuar këtë foshnje të porsalindur. Ata hoqën pluhurin nga librat e historisë, që të përcaktonin drejtimin e saktë për të dhe i bënë një analizë kritike faqeve të historisë, të cilat ishin të pashfletuara prej qindra vitesh. Kështu kjo foshnje nisi të orientohet pak e nga pak.
E tërë kjo falë dhuntisë së Allahut dhe falë atyre që unë preferoj t’i quaj “Historianët e Rinj”. Atyre u takon merita e përparësisë së ringjalljes së këtij kombi të vdekur. Janë pikërisht ata, në veprat e të cilëve jam mbështetur në materialet e këtij libri. Falë tyre unë arrita të njihem me realitetin e këtij burri (Uthmanit), të cilit i është bërë padrejtësi e madhe nga ana historike.
Biografia e Uthmanit qe viktimë e proçesit më të lig manipulues që mund të ekzistojë në mbarë historinë njerëzore. Madje dhe në sytë e vetë muslimanëve ai u bë një njeri i kamur e oportunist, që ndërtoi pallate për vete dhe familjen e tij. Dhe se në sundimin e tij u përhap “tutelizmi”, nën hijen e të cilit ai favorizoi kushërinjtë e tij, duke i emëruar në postet qeveritare. Kësisoj u pakësua drejtësia dhe u shtua padrejtësia. U paralizua sheriati dhe në të gjitha anët e kalifatit islamik mbretëroi kaosi. Gjë e cila përfundoi me vrasjen e Uthmanit, nga duart e atyre të cilët orientalistët preferojnë t’i quajnë “protestuesit”. Sipas tyre kjo ndodhi si pasojë e padrejtësisë, mizorisë dhe lakmisë së tij për pasuri!
Ndërkohë që dashamirësit e Uthmanit mendojnë se ai ishte një njeri i drejtë, por kishte një personalitet të dobët, që nuk i përshtatej politikës së egër. Ishte pikërisht kjo dobësi, e cila çoi në shpërthimin e kryengritjes së parë në historinë e muslimanëve, pasojat e së cilës vazhdojnë edhe sot e kësaj dite!
Kështu, sipas këtyre dy mendimeve, Uthmani qe arsyeja kryesore për shkatërrimin e ëndrrës së madhe islame, të cilën e nisi i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) e më pas Ebu Bekri vendosi shtyllat e saj, ndërsa Umeri e bëri atë një realitet që njerëzit e panë me sytë e tyre. Ndërkohë erdhi Uthmani dhe e shkatërroi këtë ndërtesë të bukur me padrejtësitë dhe karakterin e tij të dobët!
Për këtë arsye, në këto faqe, unë nuk do të ndjek metodën e zakonshme që profesorët tanë përdorin në studimin e biografisë së Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!).Të gjithë e dinë tashmë se sa bujar ishte Uthmani dhe se ai përgatiti ushtrinë e varfër të muslimanëve, bleu pusin e Rumës dhe e dhuroi atë për muslimanët. Sikurse dihet tashmë dhe kuptimi i sekretit të emërtimit të tij “Poseduesi i Dy Dritave”. Dhe se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) shprehu dëshirën që të kishte pasur një vajzë të tretë, që ta martonte me Uthmanin pasi i vdiq vajza e tij e cila ishte martuar me të.
Nuk do t’i trajtoj as ato kriza ekonomike, që vetëm Uthmani Bujar gjendej për t’i zgjidhur! Përkundrazi, metoda që unë do të ndjek në faqet e ardhshme do të jetë paraqitja e të gjitha akuzave dhe dyshimeve që iu hodhën hamendësisht Uthmanit. Dhe kur them “të gjitha akuzat” kam për qëllim kuptimin literal të fjalës.
Nuk ekziston asnjë gjë në historinë e botës islame që na bën të turpërohemi. Heshtja e dijetarëve tanë (Zoti i shpërbleftë!) ndaj çështjes së trazirës, në të cilën u përfshi bota islame në kohën e Uthmanit, ishte një përpjekje për të shmangur provokimin e ndjenjës së hakmarrjes dhe për t’u përqendruar në thelbin e Islamit.
Por, tani ka ardhur koha që studiuesit e botës islame të heqin dorë nga heshtja e tyre, sepse rreziku është i madh, Islami tani kërcënohet më shumë se kurrë më parë dhe hadithet e Profetit (paqja qoftë mbi të!) janë bërë objekt i dyshimeve. Sahihu i Buhariut është bërë objekt i diskutimeve në ekranet satelitore dhe faqet e gazetave. E gjithë kjo po ndodh sepse ne kemi lënë pas dore aspektin historik të këtij umeti dhe jemi përqendruar në aspektin doktrinar, duke harruar se doktrina fetare na u transmetua pikërisht përmes shokëve të Profetit (paqja qoftë mbi të!).
Nëse vazhdojmë të heshtim përballë kritikës ndaj sahabëve dhe historisë së tyre, atëherë hadithet profetike që janë transmetuar prej tyre, rrjedhimisht bëhen objekt dyshimi. Vetë libri i Allahut, shndërrohet në një libër të pavlefshëm, sepse Uthmani ishte njeriu që e tuboi atë. Andaj nëse pranojmë dyshimet lidhur me përgjegjshmërinë e tij, atëherë do të na duhet detyrimisht të pranojmë dyshimet lidhur me Kur’anin Famëlartë!
Dikush mund të parashtrojë pyetjen: “Përse pikërisht Uthmani? Pse jo Ebu Bekri ose Umeri? Ose pse jo Profeti i Allahut (paqja qoftë mbi të!)? Pse shigjetat e manipuluesve dhe heshtat e pushtuesve të historisë nuk iu drejtuan njërit prej këtyre në vend të Uthmanit?”
E vërteta është se të gjithë këta kanë pjesën e tyre të plagëve nga lufta e pushtimit të historisë, por qëllimi i asaj lufte të egër është shumë më i rrezikshëm se sa thjesht atakimi i disa personave të caktuar. Ai është më i madh se atakimi i personalitetit të Ebu Bekrit apo Umerit, apo pjesës tjetër të sahabëve. Bile ai është më i madh se atakimi i vetë personalitetit të Profetit të Allahut, pasi qëllimi themelor i pushtuesve të historisë është vetë feja e Allahut! Vetë feja islame! Për këtë fe, të cilës nuk ia dimë vlerën, zhvillohen konferenca të fshehta në të cilat studiohen metoda për shfarrosjen e saj nga faqja e dheut.
Nuk ka dyshim se ekspertët dhe strategët e pushtuesve të historisë e kanë kuptuar që sekreti i rimëkëmbjes së muslimanëve pas çdo rënie, qëndron së pari në atë libër të mrekullueshëm që muslimanët e quajnë “Kurani Fisnik” dhe nuk ka dyshim se ata gjithashtu e dinë se një burrë nga umejadët, i quajtur Uthman Ibn Affan, ishte ai i cili e përpiloi këtë libër. Prandaj ky njeri u bë armiku i kryesor i pushtuesve të historisë. Dhe jo vetëm ai, por të gjithë umejadët u bënë shënjestër e shigjetave të tyre të helmuara. Prandaj lufta kundër Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) është një luftë kundër Librit të Zotit!
Tani le të shqyrtojmë akuzat e ngritura nga pushtuesit e historisë, orientalistët, agjentët e tyre shiitë dhe hipokritët nga radhët e intelektualëve arabë. Le t’i përgjigjemi atyre në një mënyrë shkencore dhe të qetë, larg fanatizmit të verbër.
1. Akuza financiare. Nëse këta kritikë mendjelehtë do të kishin zgjedhur një akuzë tjetër kundër Uthmanit përveç kësaj, do të kishte qenë më mirë për ta, sepse Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) me dëshminë e atyre vetë, ishte më i pasuri i arabëve para se të merrte postin e kalifatit. Uthmani ishte pikërisht njeriu i cili zgjidhte krizat ekonomike, me të cilat përballeshin muslimanët në kohën e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të!).
Unë këtu po jap të njëjtën përgjigje që Uthmani i dha vetë hipokritëve, kur ata e akuzuan për papërgjegjshmërinë e tij financiare. Ai tha: “Të gjithë arabët e dinë se unë kisha deve dhe dele më shumë se kushdo tjetër. Dhe se unë i dhurova ato për kauzën e Allahut, e tani nuk kam veçse dy deve, të cilat i kam mbajtur për të kryer haxhin!”
2. Akuza e favorizimit të Uthmanit ndaj të afërmve të tij! Më lejoni ta pranoj se jam vërtet i befasuar me numrin e guvernatorëve umejadë të cilët u emëruan nga kushëriri i tyre Uthmani, jo sepse ishin shumë, por sepse ishin pak! Numri i guvernatorëve umejadë në kohën e Uthmanit ishte vetëm dy veta, sahabiu i nderuar, Muavija i biri i Ebu Sufjanit dhe Abdullahu i biri Saibit (Zoti qoftë i kënaqur me ta!). Po flasim për vetëm dy guvernatorë në një shtet, që shtrihej nga Azerbajxhani gjer në Tunizi. Madje Muavija ka qenë i emëruar guvernator i Shamit që nga koha e Umerit, i cili shquhej për rreptësinë e tij në përzgjedhjen e guvernatorëve!
Në fakt, unë jam i befasuar që Uthmani nuk emëroi të afërmit e tij umejadë, të cilët konsideroheshin më të mirët e arabëve, në çështjet e qeverisjes dhe të politikës. Madje jam habitur akoma më shumë kur numërova guvernatorët umejadë, të cilët i besoi në postet shtetërore njeriu më i madh në historinë e botës i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!). Dhe kam mbërritur në këtë rezultat të çuditshëm:
- Ebu Sufjani, i biri i Harbit; përqafoi Islamin para pushtimit të Mekës, dhe u emërua nga Profeti (paqja qoftë mbi të!) guvernator i Nexhranit.
- Muavija, i biri i Ebu Sufjanit; I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) i besoi detyrën e shkrimit të shpalljes dhe e emëroi komandant të një çete të ushtrisë islame.
- Abdullahu, i biri i Seidit; një nga të parët që përqafuan Islamin dhe një nga trembëdhjetë dëshmorët e Bedrit, Profeti (paqja qoftë mbi të!) e emëroi mësues të Kuranit në popullin e Medines. Dhe më pas, e emëroi prijës në disa zona periferike arabe.
- Amri, i biri i Seidit; përqafoi Islamin herët, mori pjesë në luftën e Bedrit, ishte pjesëmarrës në të dy emigrimet. Profeti (paqja qoftë mbi të!)e emëroi udhëheqës të “Uadil Kura”.
- Halidi, i biri i Seidit; përqafoi Islamin shumë herët, që në ditët e para të Islamit. Emigroi në Abisini. Profeti (paqja qoftë mbi të!) e emëroi guvernator të San’asë.
- Ebani, i biri i Seidit; përqafoi Islamin gjatë betejës së Hajberit, në vitin e 7- të Hixhretit. Profeti (paqja qoftë mbi të!) e emëroi udhëheqës të “Khattit” (Katifi i sotëm).
- Itabi, i biri i Usejdit; përqafoi islamin ditën e çlirimit të Mekës, u emërua nga Profeti (paqja qoftë mbi të!) guvernator i Mekës. Ky burrë umejad qe i pari udhëheqës musliman që udhëhoqi Mekën.
Nga kjo, ne shohim se kritika ndaj përgjegjshmërisë së umejadëve, nuk është veçse kritikë ndaj përgjegjshmërisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!), sepse ai ishte i pari që i dha atyre poste udhëheqëse. E për rrjedhojë, kjo është kritikë ndaj vetë Allahut të Madhëruar, me pretendimin se Ai nuk i bëri vërejtje të dërguarit të Tij për “rrezikun” e umejadëve!
3. Akuza e djegies së kopjeve të Kuranit! Kjo është një ngjarje e vërtetë, të cilën shiitët e kanë përdorur për qëllimet e tyre dashakeqëse. Është fakt se Uthmani e tuboi Kuranin në një kopje të vetme. Dhe më pas i dogji të gjitha kopjet e tjera, në mënyrë që Kurani të ruhej përmes kopjes së përzgjedhur nga Uthmani. Kopje e cila është në duart tona sot e kësaj dite. Origjinali i kësaj kopje ruhet në muzeun e Stambollit në Turqi me shkrimin e sahabiut të madh, Zejd Ibn Thabitit (Allahu qoftë i kënaqur me të!).
4. E drejta e Uthmanit për postin e kalifit! Uthmani është njeriu i tretë më i madh në këtë umet pas Ebu Bekrit dhe Umerit (Zoti qoftë i kënaqur me ta!), sipas dëshmisë së të Dërguarit të Zotit (paqja e Zotit qoftë mbi të!). Uthmani ishte ai të cilit i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) i besoi vajzën e tij Rukeja, pastaj pas vdekjes së saj i besoi motrën e saj Ummi Kulthumin. Uthmani u zgjodh kalif me pëlqimin e popullit, pasiqë sahabiu i madh Abdurrahmani, i biri i Aufit mori mendimin e popullit të Medinës, të cilët e donin dhe e respektonin atë dhe kësisoj të gjithë sahabët pa përjashtim i dhanë besën Uthmanit, ndër të parët e të cilëve ishte dhe sahabiu i nderuar, heroi i madh Aliu i biri i Ebu Talibit (Zoti qoftë i kënaqur me të!).
5. Ndryshimi i Traditës së Profetit! Këtë akuzë ia ngritën ngaqë zgjeroi Xhaminë e Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe shtoi shkallët e minberit të saj. Ajo që të bën për të qeshur këtu, është se shumica e atyre që e ngrenë këtë akuzë ndaj Uthmanit, janë shiitë, që nuk besojnë në Sunetin (traditën) e të Dërguarit të Zotit! Shiitët dhe shokët e tyre bënë sikur harruan se numri i muslimanëve gjatë sundimit të Uthmanit u rrit deri në atë shkallë, sa xhamia nuk mund t’i mbante më dhe ishte e domosdoshme që Uthmani ta rrisë lartësinë e minberit, në mënyrë që muslimanët ta dëgjonin dhe ta shihnin nga larg!
6. Varfëria dhe padrejtësia e përhapur gjatë sundimit të tij! Nëse do të isha hipokrit (Zoti na ruajtë!), do të shikoja për një gënjeshtër tjetër që dikush mund ta besonte, sepse epoka e sundimit të kalifit të drejtë Uthmanit (Zoti qoftë i kënaqur me të!), ishte epoka ku mirëqenia ekonomike ishte më e lartë se në çdo epokë tjetër të historisë islame!
Sa i takon çështjes së drejtësisë, ne jemi përballë tri zgjidhjeve: të besojmë se Uthmani mbajti drejtësi midis popullit dhe në këtë mënyrë pohojmë lajmin e gëzueshëm që Profeti (paqja qoftë mbi të!) i dha Uthmanit lidhur me hyrjen e tij në Xhenet. Ose të pohojmë se Profeti na gënjeu, kur tha se shokët e tij të nderuar janë të drejtë! Apo të pohojmë që Allahu i Madhëruar nuk u tregua i kujdesshëm kur përzgjodhi njerëz të tillë për Profetin e Tij, të cilin e përzgjodhi nga mesi i mbarë popujve! I pastër është Allahu dhe i Dërguari i Tij bashkë me sahabët nga kjo akuzë!
7. Dëbimi i Ebu Dherrit! Kjo akuzë është e përhapur në mesin e sufive tarikatxhinj. Ç’është e vërteta, Uthmani nuk e dëboi asnjëherë Ebu Dherrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), por qe Ebu Dherri ai që zgjodhi të jetonte në shkretëtirë pas rritjes së mirëqënies gjatë sundimit të Uthmanit, siç e përmendëm më lart. Ebu Dherri kishte një natyrë prej asketi, e cila nuk mund ta pranonte këtë mirëqënie që u përhap në të gjithë kalifatin islamik, kur muslimanët futën në dorë thesaret e Kisraut dhe Çezarit. Ndërkohë zgjedhja që bëri Ebu Dherri ishte diçka që nuk e dëmtonte atë vetë e as vëllanë e tij Uthmanin.
8. Dobësia e personalitetit të Uthmanit! Sa budallenj janë këta njerëz! Si mundet që një njeri të jetë i padrejtë dhe arrogant dhe të ketë një karakter të dobët në të njëjtën kohë! Si mundet që një njeri i akuzuar për personalitet të dobët, të asgjësojë perandorinë perse dhe ta fshijë atë nga harta e historisë? Si mundi ai të eliminojë grindjet dhe trazirat në Armeni dhe Azerbajxhan? Si mundi ai të çlirojë Afrikën?
Si mundi të çlironte republikat muslimane të Bashkimit Sovjetik? Si mundi të dërgonte letrën në të cilin thuhej: “Nga Uthmani i biri i Afanit pasardhës i të Dërguarit të Allahut, për Perandorin e Kinës, prano Islamin, të shpëtosh!”? E si mund të ishin të kënaqur sahabët, me në krye sahabiun trim Aliun birin e Ebu Talibit (Zoti qoftë i kënaqur me të!), që të sundoheshin nga një burrë me karakter të dobët!
Por, nëse pushtuesit e historisë i referohen butësisë së Kalifit Uthman dhe faljes së tij ndaj hipokritëve dhe mosvrasjes së kriminelëve që erdhën ta vrisnin, atëherë kjo është diçka e vërtetë, përmes së cilës synohet diçka e ligë. Është e vërtetë se Uthmani u tregua i butë me ta, jo sepse ishte i dobët, por sepse ishte kaq i butë, saqë engjëjt turpëroheshin prej tij. Për të zbuluar sa i butë ishte ky njeri i jashtëzakonshëm na duhet të dëgjojmë hadithin e nënës së pastër të besimtarëve Aishes (Zoti qoftë i kënaqur me të!) ndërsa na tregon këtë histori të mahnitshme, që Imam Muslimi e ka shënuar në Sahihun e tij:
“I Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) ishte shtrirë në shtëpinë time, ndërkohë që i ishte zbuluar një pjesë e kofshëve ose pulpat e këmbëve. Ndërsa ishte në këtë gjendje erdhi Ebu Bekri dhe bisedoi me të. Pastaj erdhi Umeri dhe bisedoi me të. Kur erdhi Uthmani, Profeti (paqja qoftë mbi të!) u ngrit dhe rregulloi rrobat e tij. Pasi u largua Uthmani, Aisheja i tha Profetit (paqja qoftë mbi të!): ‘Hyri Ebu Bekri, ndërsa ti nuk i kushtove vëmendje. Po ashtu bëre dhe kur hyri Umeri. Por, kur hyri Uthmani ti u ngrite dhe rregullove rrobat!’ Profeti i tha: “A nuk duhet të turpërohem nga një njeri prej të cilit turpërohen dhe engjëjt?” (Muslimi, 2401)
Kështu pra, Uthmani dallohej nga të tjerët se ishte tepër i turpshëm, deri në atë pikë sa dhe engjëjt turpëroheshin prej tij. Betohem për Allahun se çështja e Uthmanit në lidhje me turpin ishte e habitshme. Megjithatë, heshtja e tij përballë kriminelëve nuk ishte si pasojë e karakterit të tij të dobët, por si pasojë e diçkaje të rëndësishme, që e kishte dëgjuar prej të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!). Le ta dëgjojmë këtë ngjarje të rëndësishme që na e rrëfen sahabiu i madh Ebu Musa Esh’ariu, i cili ka qenë vetë dëshmitar i saj:
“Mora abdes në shtëpinë time dhe pasi dola thashë do ta shoqëroj sot të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe do të qëndroj me të gjatë kësaj dite. Sakaq shkova në xhami dhe pyeta për Profetin (paqja qoftë mbi të!), aty më informuan se kishte shkuar në filan drejtim. E ndoqa dhe vazhdova t’i shkoj nga pas, derisa ai hyri në kopshtin e pusit të Erisit dhe unë qëndrova te dera. Pasi kreu nevojën dhe mori abdes shkova tek ai, ndërsa ai ishte ulur në mesin e grykës së pusit të Erisit, këmbët i kishte zbuluar dhe i kishte lëshuar në pus. E përshëndeta me selam dhe u ktheva e qëndrova te dera. Me vete thashë: ‘Sot do të jem derëtari i Profetit (paqja qoftë mbi të!)’. Sakaq erdhi Ebu Bekri dhe i ra derës. E pyeta se kush jeni ju? Ai tha, – Ebu Bekri. I thashë të priste pak dhe shkova te Profeti dhe e vura në dijeni për ardhjen e Ebu Bekrit. Ai tha, -lëre të futet dhe jepi lajmin e gëzueshëm të hyrjes në Xhenet. U ktheva dhe pasi e lashë të hyjë e njoftova se Profeti (paqja qoftë mbi të!) e kishte përgëzuar me Xhenet. Ai hyri dhe dhe u ul në të djathtën e Profetit (paqja qoftë mbi të!) mbi grykën e pusit dhe i lëshoi këmbët e tij të zbuluara në të, njësoj si Profeti (paqja qoftë mbi të!). Ndërkohë, unë u ktheva dhe u ula pranë derës dhe thashë me vete se nëse Allahu dëshiron ndonjë mirësi për vëllanë tim, të cilin e kisha lënë duke marrë abdes, ai do të vijë. Sakaq dera lëvizi dhe unë pyeta,- kush jeni? Ai tha,-Umeri i biri i Hatabit. I thashë,- prit pak,- dhe shkova te Profeti dhe e vura në dijeni për ardhjen e Umerit. Ai tha,- lëre të futet dhe jepi lajmin e gëzueshëm të hyrjes në Xhenet. U ktheva dhe pasi e lashë të hyjë e informova se Profeti (paqja qoftë mbi të!) e kishte përgëzuar me Xhenet. Ai hyri dhe u ul në të majtën e Profetit (paqja qoftë mbi të!) mbi grykën e pusit dhe i lëshoi këmbët e tij në të. Ndërkohë unë u ktheva dhe u ula pranë derës dhe thashë me vete se nëse Allahu dëshiron ndonjë mirësi për vëllanë tim, ai do të vijë. Sakaq lëvizi dera dhe unë pyeta, -kush është? Ai tha,- Uthmani. I thashë,- prit pak,- dhe shkova te Profeti (paqja qoftë mbi të!) dhe e vura në dijeni për ardhjen e Uthmanit. Ai tha,- lëre të futet dhe jepi lajmin e gëzueshëm të hyrjes në Xhenet, bashkë me një sprovë që do t’i bjeri. U ktheva dhe i thashë,- hyr, Profeti të përgëzon me Xhenet por, me një sprovë që do të të godasë.” (Buhariu 3471 dhe Muslimi 2403)
Uthmani e vështroi në sy Ebu Musain dhe duke medituar mbi fjalët që i kishte thënë, tha: “Ne do të jemi të durueshëm, dashtë Zoti!” Kështu që, Uthmani e dinte me siguri se do të përballej me një fatkeqësi të madhe. Madje i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ia cilësoi, në mënyrë të qartë se do të martirizohej kur i tha: “O Uthman, mos e hiq petkun (posti i kalifit) që do të veshë Allahu, edhe nëse hipokritët kërkojnë që ti ta heqësh!” (Tirmidhiu, 3706) Po ashtu i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) tha diçka të çuditshme në një vend tjetër, ndërsa ai po ecte me tre burrat më të mëdhenj – Ebu Bekrin, Umerin dhe Uthmanin – mali i Uhudit u lëkund, dhe ai tha: “Qëndro Uhud, sepse mbi ty janë një profet, një burrë i sinqertë dhe dy dëshmorë.” (Buhariu, 3472) Andaj Uthmani thjesht priste kohën e realizimit të premtimit të Zotit dhe të Dërguarit të Tij për t’u martirizuar!
Në fakt, vrasja e Uthmanit ishte planifikuar para se ai të bëhej kalif, saktësisht që në operacionin e parë terrorist mbi botën islame. Le të qëndrojmë këtë herë me sahabiun e madh Abdurrahmanin, djalin e Ebu Bekrit (Zoti qoftë i kënaqur me ta!), të na tregojë këtë ngjarje të rrezikshme mbi një komplot të rrezikshëm, ku për herë të parë u bënë bashkë “Fuqitë Zjarrputiste Perse” dhe “Fuqitë Armike Kryqtare”, të përfaqësuar nga zjarrputisti Ebu Lului dhe mbreti pers Hurmuzani nga pala perse dhe, Xhufejni i krishterë nga pala e kryqtarëve.
Ndërkohë që Abdurrahmani ishte duke ecur në njërën prej netëve të qeta të Medines, krejt papritur përballet me zjarrputistin Ebu Luluin, Xhufejnin e krishterë dhe Hurmuzanin, të cilët ishin mbledhur në një takim të fshehtë në njërën prej rrugëve të fshehta të Medines. Në çastin që Abdurrahmani u afrua, ata u sikletosën jashtë mase dhe nga duart u ra një kamë dytehëshe.
Nuk kaloi shumë dhe terroristi zjarrputist Ebu Lulu, vrau Umerin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe muslimanët gjetën kamën e helmuar që përdori ky kriminel, e cila ishte pikërisht ajo kamë dytehëshe që Abdurrahmani, i biri i Ebu Bekrit, pa atë natë! Pra, kishim të bënim me një aleancë persiano-kryqtare kundër Umerit! Ndërsa në rastin e Uthmanit, kësaj aleance iu bashkua edhe një palë tjetër, për të plotësuar fijet e trekëndëshit të armiqësisë ndaj Islamit, armiqësi e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite: persët zjarrputistë – kryqtarët – hebrenjtë.
U shfaq një personalitet i rrezikshëm, i cili pati një rol të madh në ndryshimin e lëvizjes globale terroriste përgjatë gjithë historisë. Ky personalitet quhej, Abdullah Ibn Sebe dhe vinte nga Jemeni. Ai ishte nga hebrenjtë e Jemenit. Lindi në Sananë e Jemenit nga një baba hebre dhe një nënë abisinase. Ai pretendoi konvertimin e tij në Islam (në mënyrë kamufluese) në kohën e kalifit Uthman, dhe priti rastin e duhur për të shkatërruar Islamin nga brenda.
Ai arriti të zhvillojë një teori, që e kishte përfituar nga hebrenjtë: teoria e “Testamentit dhe Rikthimit”. Kjo teori konsiston në atë se i Dërguari i Zotit (paqja qoftë mbi të!) do të rikthehet siç u rikthye Musai (paqja qoftë mbi të!) pas mungesës së tij dyzetditëshe, dhe se Aliu është zëvendësi i të Dërguarit të Zotit, ashtu si Jusha ishte zëvendësi i Musait! Ky koncept mund të shpjegojë përmasat e mëdha të lidhjes midis doktrinës shiite dhe asaj çifute!
Në fillim, Abdullah Ibn Sebe nisi të përhapte misionin e tij në Levant, por kur populli trim i Levantit e dëbuan, ai kaloi në Egjipt dhe u përpoq të përhapte doktrinën e tij, por dhe atje dështoi. Më pas, ai shkoi në Irak, ku gjeti mjedisin e duhur për idetë e tij devijuese në qarqet e zjarrputistëve, të cilët kishin mbetur në Irak pas shkatërrimit që Islami i bëri perandorisë perse.
Ibn Sebe hartoi një plan të thuktë, për të rrëzuar shtetin islam nga brenda. Ai dërgoi letra të rreme të nënshkruara në emër të nënës së besimtarëve, Aishes dhe emrat e sahabëve të mëdhenj, ku pretendohej se ata kërkonin ndihmë nga muslimanët nëpër shtete të ndryshme, për t’i shpëtuar nga shtypja e Uthmanit, që i keqtrajtonte në Medine. Këto broshura u përhapën si zjarr dhe hipokritët nisën të marshonin drejt Medines për të vrarë kalifin e të Dërguarit të Zotit (paqja qoftë mbi të!). Ata erdhën në Medine dhe rrethuan shtëpinë e Uthmanit (Zoti qoftë i kënaqur me të!).
Rreth shtatëqind burra nga sahabët e mëdhenj dhe të rinjtë muslimanë u rreshtuan përkrah dhëndrit të Profetit, për ta mbrojtur me shpatat e tyre. Aliu vuri çallmën e Profetit dhe ngjeshi shpatën e vet dhe u nis drejt shtëpisë së Uthmanit, në krye të një turme të madhe luanësh për të mbrojtur kalifin e tyre. Në mesin e tyre ishte dhe trimi biri i trimit, Abdullahu i biri i Umerit dhe trimi biri i trimit, Abdullahu i biri i Zubejrit, dy trimat bijtë e trimit, Hasani dhe Husejni, si dhe Mervani, Ebu Hurejre, Ebu Seid el-Hudri dhe shumë të tjerë.
Uthmani doli para turmës që kishin ardhur për ta mbrojtur nën udhëheqjen e Aliut dhe u tha: “Për hatër të Zotit, i lutem të gjithë atyre që kanë respekt për mua që të mos i nxjerrin shpatat dhe të kthehen në shtëpitë e tyre!”
Kështu, sahabët me lot në sy u detyruan që t’i bindeshin urdhrit të kalifit të tyre. Pastaj Uthmani iu drejtua shërbëtorëve të tij, të cilët kishin rrokur armët për të mbrojtur zotërinë e tyre dhe u tha: “Kushdo që e ngjesh shpatën e tij është i lirë!” Në këtë mënyrë Uthmani i largoi nga vetja të gjithë mbrojtësit e tij dhe mbeti i vetëm, i rrethuar nga hipokritët, të cilët i prenë ujin që ai të vdiste nga etja. I prenë ujin njeriut i cili dikur i dha të pinte të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!) nga pusi i Rumes.
Ndërsa Uthmani flinte në shtëpinë e tij dhe armiqtë e kishin rrethuar nga të gjitha anët, ai u zgjua duke qeshur. Dikush prej njerëzve të familjes e pyeti për arsyen e qeshjes dhe ai tha: “Pashë në ëndërr Profetin, Ebu Bekrin dhe Umerin, të cilët më thanë: ‘Duro o Uthman, sepse nesër do ta çelësh agjërimin pranë nesh!’”
Të nesërmen Uthmani gdhiu agjërueshëm dhe e hapi derën në pritje të martirizimit. Ai mori Kuranin, që e kishte tubuar për muslimanët, dhe filloi të lexonte disa vargje me zërin e tij të ëmbël.
Sakaq terroristi, el-Gafikij u hodh mbi të dhe e goditi në kokë me një hekur të mprehtë. Goditja i shkaktoi një plagë të thellë nga e cila i rrodhi gjak. Më pas ai e shkelmoi Kuranin, i cili pas një rrotullimi në ajër ra përsëri në prehrin e Uthmanit. Sikur Libri i Allahut këmbëngulte që shkronjat e tij të përziheshin me gjakun e Uthmanit. Një njollë nga gjaku i Uthmanit ra mbi vargun kuranor “Allahu do të hakmerret për ty kundra tyre!” (Bekare, 137)
Sakaq kriminelët u sulën duke e qëlluar me hanxharët e tyre njeriun prej të cilit edhe engjëjt kishin turp. Bashkëshortja e tij besnike dhe e nderuar sahabija, Naila e bija e Ferafises (Zoti qoftë i kënaqur me të!), u hodh me trimëri të rrallë në mbrojtje të burrit të saj, të cilin po e qëllonin nga çdo anë. Në përpjekje për të mbrojtur burrin e saj ajo humbi gishtërinjtë e duarve, nga tehu i shpatave që binin mbi Uthmanin.
Kur ata e vranë Uthmanin dhe ia prenë kokën, bashkëshortja e tij bërtiti me zë të lartë: “Prijësi i besimtarëve u vra! Prijësi i besimtarëve u vra!” Ndërsa koka e Uthmanit prehej në prehrin e saj, një armik i fëlliqur hyri dhe e qëlloi kokën e tij me shuplakë në formë poshtëruese. Bashkëshortja e Uthmanit e mallkoi atë: “T’u thafshin duart! T’u verbofshin sytë! Dhe ai nuk doli dot nga dera e asaj shtëpisë pa iu tharë duart dhe pa iu verbuar sytë!
Pastaj disa nga hipokritët e ardhur nga Iraku u futën në dhomë, dhe duke qeshur shkelmuan Librin e Allahut, rrëmbyen mantelin e gruas së Uthmanit, zonjës së pastër Naila dhe morën gjithçka gjetën.
Në këto rrethana u nda nga kjo botë, për t’u prehur në paqe shpirti i njeriut të tretë më të madh në historinë e njerëzimit pas profetëve. Sahabiu i madh, Uthmani i biri i Afanit, u martirizua ndërsa agjëronte dhe lexonte Librin e Allahut. U martirizua njeriu prej të cilit turpëroheshin engjëjt!
Zoti të mëshiroftë, o Uthman! Zoti të mëshiroftë, o dhëndër i të Dërguarit të Zotit! Të kërkoj ndjesë Uthman, nëse ndonjëherë kam menduar keq për ty! Ose nëse nuk të kam dhënë të drejtën që të takon në faqet e këtij libri! Paqja qoftë mbi ty, o njeri i pastër! O njeri bujar e i turpshëm, o zemërgjerë e xhymert! O bamirës i madh, o tubuesi i Kuranit, o Uthman bir i Afanit!
Por si erdhi ora e hakmarrjes ndaj atyre përbindëshave njerëzorë? Dhe kush ishte skifteri umejad i cili mori hakun e Uthmanit? Çfarë bëri pas kësaj gruaja e tij e devotshme Naila? Çfarë përmbante kutia sekrete që ajo dërgoi në Levant? Kush ishte sahabiu i madh që e mori mesazhin e saj? Përse i Dërguari i Zotit ia besoi këtij sahabiu shpalljen hyjnore? Çfarë tha Xhibrili (paqja qoftë mbi të!) për këtë burrë të madh musliman? Si u bë ai njeriu më i madh që sundoi muslimanët gjatë gjithë historisë së Islamit? Dhe pse militantët e Ibn Sebes e konsiderojnë atë armikun e tyre më të madh…
Njoftim: Librin “100 kolosë të botës Islame që ndryshuan rrjedhën e historisë” mund ta porosisni në këtë numër: +355 67 432 3930