Falënderimi i takon Allahut, Atë e falënderojmë, prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Prej Allahut kërkojmë të na mbrojë nga e keqja e vetes dhe sherri i veprave tona! Atë të cilin e udhëzon Allahu, s’ka kush e devijon dhe atë të cilin Allahu e lë në humbje, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (alejhi selam) është rob dhe i dërguari i Tij.
S’ka dyshim që shëmbëlltyra ndikon thellë në zemra. Kjo sepse njeriu do që botëkuptimet teorike t’i shohë se si zbatohen në praktikë. Nuk ka libër në histori si Kur’ani që është përkujdesur për shëmbëlltyrën dhe tregimin. Shpeshherë brenda ajeteve përsëriten rrëfimet për pejgamberët dhe njerëzit e drejtë, derisa Allahu ata i bëri shëmbëlltyrë për besimtarët: “Allahu ka dhënë si shembull për besimtarët gruan e Faraonit, kur ajo tha: “O Zoti im! Ndërtoma një shtëpi te Ti, në Xhennet; më shpëto nga Faraoni dhe veprat e tij dhe më shpëto nga populli keqbërës!”
Edhe Merjemen, të bijën e Imranit, e cila e ruajti virgjërinë e saj; Ne frymë brenda saj nga shpirti Ynë¹ (shpirtin e Isait alejhi selam). Ajo u besoi fjalëve të Zotit të saj dhe librave të Tij e ishte nga të devotshmit.” (Et-Tehrim: 11-12) ¹Shpirti është krijesë e Allahut. Kur të vijë në Kur’an аро hadithe: Shpirti Ynë, Shtëpia Ime, Deveja e Allahut e të ngjashme, në këso raste është për qëllim të tregohet madhështia e asaj krijese, e jo se ajo është pjesë e qenies së Allahut.
Historia islame ka nevojë të rilexohet dhe t’i prezantohet brezit të ri me një gjuhë ndryshe dhe metodologji tjetër. Kjo arrihet kur disa faqe prej historisë prezantohen dhe sistemohen sipas mënyrës që u përshtatet nevojave njerëzore të kohës, por pa i lënë anash mësimet e historisë që u shkruan nga të parët e umetit. Studimi, përmbledhja e hulumtimeve dhe të analizuarit e pozitës së fëmijës, të të riut dhe të gruas në historinë islame, duke filluar me jetëshkrimin e Pejgamberit u përgjigjet shumë pyetjeve dhe mjegullnajave që i mundojnë edukatorët bashkëkohorë, ndërsa të rinjve u shfaq një imazh dhe shëmbëlltyrë të drejtë.
Muslimanët e sotëm kanë nevojë të madhe për shëmbëlltyrë të mirë, veçmas kur dihet fakti që sot umeti ka krizë në identitetin e vet fetar. Shumë prej të rinjve dhe të rejave myslimane janë zhytur nëpër epshe dhe kënaqësi, garojnë cili do të jetë i pari në to, derisa shëmbëlltyrë për ta janë brezi i muzikës dhe i artit të shthurur, apo i sportit dhe i argëtimit të kotë. Armiqtë e kuptuan rrezikun e pozicionimit të gruas, kështu nisën të shisnin mend për çështjet e saj dhe e ngritën zërin lart e poshtë për të kërkuar kinse lirinë për të, duke pretenduar se zhveshja, heqja e mbulesës dhe përzierja me burra të huaj, madje ecja rrugëve të imoralitetit dhe të degjenerimit ishin e drejtë prej të drejtave të gruas, që asaj i qenë rrëmbyer dhe nuk i posedonte sot.
I ngritën zërat dhe thirrjet për të drejtat e gruas, derisa nuk lanë revistë dhe gazetë, program televiziv dhe emision, derisa e mbushën horizontin me këto thirrje dhe i shpallën luftë fesë, dëlirësisë dhe vlerave. Atij që i ka mbetur sadopak xhelozi në zemër për fenë islame dhe historinë e saj, duhet të bëjë çmos që t’i paraqesë para të rinjve dhe të rejave faqet e ndritshme nga historia islame e gjeneratës së parë. Njohja me shëmbëlltyrat e gjeneratave të para është nevojë që nuk ka diskutim, për të gjithë të rinjtë dhe të rejat. Por, duke e pasur parasysh temën për gruan dhe diskutimet rreth saj, të cilat po zhvillohen kohëve të fundit, besoj që vajzat e reja kanë më tepër nevojë të njihen me këto shëmbëlltyra.
Sikurse të rejat që kanë nevojë të përfitojnë dhe të marrin mësime nga jetëshkrimi i të rinjve sahabë, edhe të rinjtë kanë nevojë të studiojnë jetëshkrimin e të rejave sahabe. Kush lexon për jetëshkrimin e besimtareve të gjeneratës së parë, do të njoftohet me shembuj të mëdhenj dhe shëmbëlltyra të drejta në besim, në adhurim, në lidhshmëri me Allahun, në sakrificë për fe, në durim dhe qëndrueshmëri, në luftë në rrugë të Allahut, në kërkim të dijes, në moral dhe edukatë. Ato janë shëmbëlltyrë dhe yrnek për gjithë breznitë, në çdo kohë dhe vend, për besimtarë dhe besimtare, si për burrat ashtu edhe për gratë.