Përcillet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Asnjëri nga ju të mos i paraprijë Ramazanit me një ditë ose dy ditë agjërim, përveç atij që ka agjërim të rregullt nafile dhe dita e tij përkon me ditët para ramazanit, atëherë një person i tillë mund ta agjërojë këtë ditë.” [1]
Ndërsa në variantin që sjell Imam Tirmidhiu, Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Mos i paraprini muajit të Ramazanit duke agjëruar një ditë ose dy përpara, përveç nëse ajo ditë përkon me agjërimin tuaj që e bëni rregullisht…”.
Mësime dhe dispozita:
- Ndalimi i agjërimit para Ramazanit për të treguar më shumë siguri për fillimin e Ramazanit. Dijetarët thonë se kuptimi i hadithit është ky: mos e filloni agjërimin para Ramazanit me qëllim që të tregoni më shumë siguri për Ramazanin”. [2] Imam Tirmidhiu thotë se, në bazë të këtij hadithi dijetarët e shohin si të papëlqyeshëm nxitimin për të agjëruar para hyrjes së muajit të Ramazanit me qëllimin e rrokjes me siguri të ditës së parë të Ramazanit, por nëse dikush ka ditë agjërimi nafile të rregullta dhe agjërimi i tij përkon me këto dy ditë, atëherë s’ka problem nëse agjëron këto ditë. [3]
- Ndalohet agjërimi i papërcaktuar nafile para Ramazanit. [4] Përjashtohet nga kjo ndalesë agjërimi për shlyerje a për një zotim, ose agjërimi vullnetar i vazhdueshëm, si agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte.
- Më e sakta që është thënë për urtësinë e kësaj ndalese është se Ramazani është i lidhur me shikimin e hënës së re. Kush agjëron para se të shihet hëna, një ditë ose dy, ai nuk e pranon këtë dispozitë dhe nuk pranon tekstet fetare të cilat e kanë lidhur agjërimin me shikimin e hënës së re. [5]
- Ky hadith kundërshton rafiditë (shi’itët), të cilët e nisin agjërimin para shikimit të hënës. [6]
- Është e ligjshme ndarja mes veprave të detyrueshme dhe atyre vullnetare në adhurime. Kështu, në agjërim bëhet ndarja mes agjërimit vullnetar në muajin Sha’ban dhe agjërimit farz në muajin e Ramazanit, me ndalimin e agjërimit të ditës që është e dyshimtë. Po kështu kur mbyllet Ramazani dhe fillon muaji Shewal, ndalohet agjërimi i ditës së Bajramit. Mes namazit farz dhe nafile, Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) dhe një grup nga të parët tanë të mirë kanë pëlqyer të bëhet një ndarje, qoftë ajo duke thënë diçka, duke u ngritur, duke ecur apo duke lëvizur nga vendi. [7]
- Është i detyrueshëm zbatimi i rregullave të fesë, pa shtuar dhe pa hequr asgjë prej saj sepse diçka e tillë të shpie në teprim ose në largim prej fesë. Kjo vihet re te ndalimi i agjërimit para Ramazanit me qëllimin sigurie se ndoshta është Ramazan.
[1] Buhariu (1815) dhe Muslimi (1082).
[2] Fet’hul Bari (4/128).
[3] Suneni i Tirmidhiut (684).
[4] Burimi i mësipërm (4/128).
Është fjala për ndalimin e agjërimit nafile të ndonjë dite për të cilën nuk ka ndonjë përcaktim në Sheriat dhe të cilën njeriu nuk e ka agjërim nafile të rregullt. Ky ndalim në fakt fillon që kur bëhet gjysma e muajit Sha’ban e deri sa fillon Ramazani.
[5] Shiko: Fet’hul Bari (4/128).
[6] Burimi i mësipërm (3/371).
[7] Istidhkar (3/371).