Abdurrahman Ibn Abdulkarij rrëfen: “Shkova një natë në Ramazan me Omer Ibn Hattabin në xhami, ku njerëzit faleshin grupe-grupe të ndarë. Ca faleshin vetëm e ca me grupe të vogla. Omeri tha: “Mendoj se, nëse i bashkoj njerëzit të falen pas një imami, do të ishte më mirë.” E vendosi dhe i bashkoi ata pas Ubej Ibn Keabit. Dola sërish me të një natë tjetër dhe pamë se njerëzit faleshin pas një imami. Omeri tha: “Sa bidat i mirë është ky! Koha në të cilën ata flejnë është më e mirë për namaz sesa kjo kohë në të cilën falen.” Ai kishte për qëllim pjesën e fundit të natës, sepse njerëzit faleshin në pjesën e parë të saj.” [1]
Tek Imam Maliku thuhet se: “Omer Ibn Hattabi urdhëroi Ubej Ibn Keabin dhe Temijm Eddarimin që të dilnin si imamë dhe të falnin 11 rekatë. Imami këndonte sure që kishin më shumë se njëqind ajete, aq sa mbështeteshim në shkopinj nga qëndrimi i gjatë në këmbë dhe nuk largoheshim përveçse kur afronte agimi.” [2]
Tek Ibn Huzejme shënohet se Omeri tha: “Pasha Allahun, mendoj se po t’i kishim bashkuar këta njerëz pas një imami, do të kishte qenë më mirë.” Kështu vendosi Omeri dhe e urdhëroi Ubej Ibn Keabin që të falej si imam i tyre në Ramazan. Omeri doli një natë, ndërkohë që njerëzit po faleshin pas imamit, dhe tha: “Sa bidat i mirë është ky, mirëpo ajo kohë në të cilën flenë është më e mirë se kjo në të cilën po falen.” Ai kishte për qëllim pjesën e fundit të natës.
Njerëzit faleshin pjesën e parë të natës. Në gjysmën e dytë të Ramazanit ata mallkonin qafirët (në lutjen e kunutit): “O Allah, shkatërroji qafirët, atë të cilët pengojnë nga rruga Jote, quajnë gënjeshtarë të dërguarit e Tu dhe nuk e besojnë premtimin Tënd. O Allah, përçaji dhe futu frikën në zemër, lësho mbi ta zemërimin dhe dënimin tënd, o Zoti i Vërtetë!” Pastaj çonin salavate mbi Pejgamberin (alejhi selam), pastaj luteshin që Allahu t’u jepte mirësi muslimanëve, pastaj kërkonin falje për besimtarët. Pas këtyre, thoshin në fund: “O Allah, vetëm Ty të adhurojmë, për Ty falemi dhe vetëm Ty të përulemi, kah Ti vijmë dhe shpejtojmë! Shpresojmë mëshirën Tënde dhe i frikësohemi dënimit Tënd! Vërtet, dënimi Yt do t’i kapë armiqtë e Tu!” Pastaj imami thoshte “Allahu Ekber” dhe binte në sexhde.” [3]
Mësime dhe dispozita: [4]
Namazi i teravive është vepër që e ka bërë Pejgamberi (alejhi selam), që pastaj e ndërpreu, nga droja se mos bëhej detyrë për muslimanët. Më pas, në kohën e tij dhe në kohën e Ebu Bekrit, njerëzit i falën teravitë të shpërndarë, jo me një xhemat. Ndërsa kur u bë Omeri kalif, ai i bashkoi muslimanët të falnin teravitë me xhemat pas një imami, duke ringjallur kështu një sunnet të Pejgamberit (alejhi selam). Muslimanët e asaj kohe dhe të mëvonshmit kanë qëndrim unanim se kjo vepër është e pëlqyer. [5]
Ndoshta ai i cili është më pak i mirë mund të ringjallë një sunnet ose të bëjë një të mirë, të cilën nuk e ka bërë ai i cili është më i mirë, ashtu siç ndodhi me Omerin, që Allahu e frymëzoi për ta ringjallur këtë traditë të mrekullueshme. Për këtë nuk u frymëzua Ebu Bekri, edhe pse ishte më i mirë se Omeri, saqë vetë Omeri ka thënë për të njëherë: “Për Allah, nuk garoj më kurrë me të për asgjë!”. [6]
Kur kalonte afër xhamive dhe i shikonte kandilët e ndezur në muajin e Ramazanit, Aliu thoshte: “Allahu i dhëntë dritë Omerit në varr, ashtu siç i ka ndricuar xhamitë tona (me namazin e teravive) për ne!” [7]
Kështu, muslimani nuk duhet assesi ta nënçmojë veten në kryerjen e veprave të mira, sepse ndoshta Allahu i hap atij ndonjë derë të hajrit, të cilën nuk ia ka hapur atyre që janë më të mirë se ai. Kjo është mirësia e Allahut, të cilën ia jep kujt të dojë. Vërtet, Allahu zotëron mirësi të madhe.
- Bashkimi i muslimanëve është më parësor se përçarja e tyre dhe e kanë detyrë prijësit e muslimanëve që të punojnë për ta bërë realitet këtë.
- Gjykimi i prijësit në çështjen e sunneteve është i detyrueshëm për besimtarët, që duhet t’i binden atij, ashtu siç iu bindën sahabët Omerit, kur i bashkoi pas një imami.
- Pajtimi për ringjalljen e një sunneti dhe bashkimi në kryerjen e ibadetit është diçka me bereqet, sepse lutja e secilit individ përfshin të gjithë xhematin. Për këtë arsye, namazi me xhemat është 27 herë më i mirë se namazi që falet vetëm. Seijd Ibn Xhubejri ka thënë: “Preferoj më tepër të falem pas një imami që lexon suren “Gashije”, sesa të falem vetëm duke lexuar 100 ajete”. [8]
- Nëse vepra lihet për një arsye dhe kjo arsye largohet, atëherë nuk ka problem nëse e rikthejmë prapë atë vepër, ashtu siç riktheu Omeri namazin e teravive me xhemat në Ramazan.
- Nëse është e mundur, imam duhet të bëhet ai që di më shumë Kur’an përmendësh, sepse Ubej Ibn Keabi ishte hafizi më i mirë i Librit të Allahut në mesin e tyre, prandaj e zgjodhi Omeri. Kjo është e pëlqyeshme dhe jo e detyrueshme, sepse Omeri nxori imam edhe Temijm Eddari, ndërkohë që në mesin e sahabëve kishte të tjerë që dinin Kur’an përmendësh më shumë se ai.
- Lejohet për gratë që të marrin pjesë në faljen e namazit të teravive në xhami, ashtu siç lejohet që një burrë të bëhet imam vetëm për gratë, nëse xhemati është vetëm gra, me kusht që të mos ketë vend për fitne.
- Lejohet të lidhesh në namaz pas një tjetri që po falet më vete, edhe nëse ky tjetri nuk e ka patur qëllim të bëhet imam.
- Nëse imami e ka bërë zakon që të pushojë pas dy apo katër rekatëve, nuk duhet që xhemati të falë nafile gjatë kësaj kohe. Këtë veprim e ka parë të urryer imam Ahmedi, ashtu siç ka dëshmi edhe për tre sahabë, që janë: Ubade Ibn Essamit, Ebu Derda dhe Ukbete Ibn Amiri. [9]
- Nuk ka problem nëse fal teravitë me një imam derisa të mbarojë, pastaj arrin një xhemat tjetër, që po falin teravitë, dhe të falesh me ta. [10]
Nuk lejohet të falen rregullisht me xhemat namazet nafile, përveç teravive në Ramazan, pasi është bidat, [11] siç është përshembull grumbullimi i disa njerezve për të falur namaz nate me xhematë përgjatë gjithë vitit, ose veçimi i disa netëve të caktuara me namaz nate me xhemat. Pejgamberi (alejhi selam) nuk i ka bashkuar besimtarët për të falur namaz nafile me xhemat jashtë Ramazanit.
[1] Buhariu 1906, Maliku 1/114, Abdurrezaku 7723 dhe Ibn Ebi Shejbeh 2/165.
[2] Transmeton Saib Ibn Jezijd. Hadithi gjenedet tek Maliku (1/115), Abdurrezaku (7730) dhe Ibn Ebi Shejbeh (2/162).
[3] Ky transmetim është i Ibn Huzejmes (1100). Albani e konsideron si transmetim të saktë.
[4] Sherh Ibn Battal ala el Buhari (4/146-147), Ikmalul mual-lim (3/114) dhe Fet’hul barii (4/252).
[5] E përcjellin këtë unanimitet shumë dijetarë muslimanë, njëri prej të cilëve është imam Neveviu në tehdhijbul esmai vel-lugat (2/332).
[6] Ebu Davudi (1618) dhe Tirmidhiu (3675) nga Omeri. Tirmidhiu thotë se është hadith i mirë dhe i saktë.
[7] Ibn Asakir fit tarikhihi (44/280) dhe Ibn Abdulberri në temhijd (8/119).
[8] Ibn Abdulberri në temhijd (8/118.)
[9] Elistidhkar (2/72.)
[10] Kjo vepër quhet ‘teakijb’.
Atë e ka lejuar Enes Ibn Maliku, duke thënë: “Nuk kthehen për tu falë prapë vetëm sepse shpresojnë për të mira ose të ruhen nga e keqja”. Ka thënë imam Ahmedi: “Nuk ka problem”. Shih: Elmugnij (1/457).
[11] Shiko: Ikmalul mual-lim (3/114).