Përcillet se Aishja (radijAllahu anha) ka thënë: “Pejgamberi (alejhi selam) gdhihej xhunub, pastaj lahej, pastaj shkonte në xhami dhe koka i pikonte ujë. E kështu atë ditë agjëronte.” [1]
Ebu Bekër Ibn Abdurrahmani përcjell nga një shok i Pejgamberit (alejhi selam) që ka thënë: “E kam parë Pejgamberin (alejhi selam) në Arxh të hidhte ujë mbi kokë, nga etja ose nga të nxehtit, ndërkohë që ishte me agjërim”. [2]
Imam Buhariu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ibn Omeri (radijAllahu anhu) ka lagur rrobën e vet dhe e ka hedhur në trup, ndërkohë që ka qenë me agjërim. Gjithashtu, Sheabiu ka bërë banjë, ndërkohë që ka qenë me agjërim.”
Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Nuk ka problem nëse e provon vetëm me gjuhë ushqimin ose diçka tjetër.” Haseni (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Për agjëruesin nuk ka problem shpëlarja e gojës me ujë ose freskimi i trupit me të.”
Ibn Mesudi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Nëse ndonjëri nga ju është me agjërim, le të parfumoset dhe krihet”. Enesi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Unë kam një basen të vogël, ku futem e lahem edhe kur jam me agjërim”. [3]
Mësime dhe dispozita
1- Agjëruesit i lejohet të freskohet duke hedhur ujë mbi trupin e tij, qoftë për larje të detyrueshme, të pëlqyeshme ose të lejueshme. [4]
2- Agjëruesit i lejohet të zhytet në ujë, por duhet të ketë kujdes që të mos i depërtojë gjë në brendësi të trupit. [5]
3- Zbutja e vështirësive të adhurimit me forma të lejuara nuk konsiderohet mërzi me ibadetin. Gjithashtu nuk është e përligjur shpërfillja e metodave të lejuara që lehtësojnë adhurimin.
4- Njeriu është i dobët dhe i pafuqishëm nga natyra e vet, prandaj ka nevojë për të shfrytëzuar mjetet e lehtësimit që ia ka bërë mirësi Allahu i Lartësuar.
5- Lejohet për agjëruesin hyrja në banjo me avull ose të ngjashme. I lejohet gjithashtu parfumosja, zbukurimi dhe përdorimi i vajrave ose kremrave për lëkurën dhe flokët. Aromat nuk e prishin agjërimin dhe as nuk janë të urryera.
6- I lejohet agjëruesit të zhytet në ujë për freskim ose për pastrim, ose edhe për sport, sepse nuk i prishet agjërimi.
7- I lejohet kuzhinierit provimi i ushqimit me gjuhë, pa e gëlltitur, nëse është e nevojshme. Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Për mendimin tim, është më e pëlqyeshme që agjëruesi t’i shmanget shijimit të ushqimit, por nëse e bën, nuk ka problem.” [6]
[1] Ahmedi (6/99), Nesaiu në Kubra (29-86), Ebu Jeala (4708), Bezzari (1552) dhe Tajalisi (1503). Zinxhiri i transmetimit është i saktë. Ky hadith gjendet dhe në dy librat e sakta (Buhariu dhe Muslimi), por me një formulim tjetër.
[2] Ebu Daudi (2365), Maliku në Muvetta (1/294), Shafiu në Musnedin e tij (1/157), Ahmedi (3/457) dhe Hakimi (1/590). Ibn Abdulberri equan të saktë në Temhijd (22/47), por edhe Hafidhi në Teglijkut Tealijk (3/153), Ajni në Umdetul kari’i (11/11) dhe Albani në Sahih Ebu Dauud.
[3] Sahih Buhari (2/681). Shiko: teglijkut-tealijk (3/151).
[4] Avnul Meabud (6/352)
[5] Mirkatul mefatijh (4/441)
[6] Elmugnij (3/19)