Berai (radijAllahu anhu) tregon: “Ka ndodhur me shokët e Pejgamberit (alejhi selam) që, duke qenë me agjërim, nëse i zinte gjumi në kohën e iftarit, ata nuk hanin më atë natë, as ditën vijuese, derisa vinte akshami tjetër. Kështu, njëherë, Kajs Ibn Sirmete el Ensari ishte me agjërim dhe, kur afroi koha e çeljes, i tha së shoqes: “A ka gjë për të ngrënë?” – “Jo, – i tha ajo, – por po dal e po kërkoj diçka për ty.” Kajsi kishte qenë gjithë ditën duke punuar, prandaj e zuri gjumi duke pritur. Kur erdhi gruaja dhe e gjeti në gjumë, i tha: “Ah, e humbe atë që e kërkove!” Dhe Kajsi nuk hëngri më. Por aty nga gjysma e ditës së nesërme, atij i ra të fikët. Kur kjo ngjarje iu tregua Pejgamberit (alejhi selam), zbriti ajeti kuranor: “Tani është e lejuar për ju që, gjatë netëve të agjërimit, të shkoni më bashkëshortet tuaja.” (Bekare : 187) Sahabët u gëzuan shumë. Pastaj zbriti ajeti: “Hani dhe pini deri në agim, atëherë kur të dallohet peri i zi nga peri i bardhë.” (Bekare : 187) [1]
Muadh Ibn Xhebeli (radijAllahu anhu) ka thënë: “Namazi është ligjëruar në tre faza, po ashtu edhe agjërimi është ligjëruar në tre faza…” Pasi ka shpjeguar fazat e namazit, ka folur për agjërimin: “Në fillim, Pejgamberi (alejhi selam) agjëronte tri ditë në çdo muaj si edhe ditën e Ashuras. Pastaj Allahu Lartësuar shpalli: “O ju që keni besuar, e keni detyrim agjërimin, ashtu siç ishte detyrim për pararendësit tuaj….”, deri tek “…ushqen një të varfër” në suren Bekare, ajeti 183. Në këtë fazë, besimtarët e kishin me zgjedhje: ose mund të agjëronin, ose nuk agjëronin, por ushqenin për çdo ditë nga një të varfër. Kjo mënyrë e zëvendësimit të agjërimit ishte e lejuar. Më pas, Allahu i Lartësuar shpalli: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kurani..” deri tek “le të agjërojë po aq ditë (sa ka lënë pa agjëruar) më vonë”, që bën të detyrueshëm agjërimin për çdo njeri që e arrin muajin e Ramazanit, ndërsa për udhëtarin lejohet të mos agjërojë gjatë udhëtimit, por e ka detyrë zëvendësimin i ditëve që ka lënë pa agjëruar. Gjithashtu, u përcaktua praktika e ushqimit të të varfërve si kompensim nga të moshuarit (që nuk mund të agjërojnë).” [2]
Nga Ahmedi është përcjellë se ka thënë: “Për sa u përket fazave të agjërimit, kur Pejgamberi (alejhi selam) erdhi në Medinë, në fillim agjëronte tri ditë të çdo muaji. Jezid Ibn Haruni thotë se për nëntëmbëdhjetë muaj me radhë që nga muaji Rabiul Ewel e deri në Muajin Ramazan të vitit pasues, Profeti (alejhi selam) agjëronte tre ditë për çdo muaj, gjithashtu agjëronte dhe ditën e Ashuras.
Pastaj Allahu i Lartësuar e bëri detyrim agjërimin me ajetin: “O ju që keni besuar, e keni detyrim agjërimin, ashtu siç ishte detyrim për pararendësit tuaj….” (Bekare : 183) deri tek: “…e ata që i rëndon agjërimi janë të obliguar për kompensim: ushqim ditor i një të varfëri”. Kështu, me dëshirë, besimtarët mund të agjëronin, ose mund të ushqenin një të varfër për të zëvendësuar agjërimin.
Më pas, Allahu i Lartësuar zbriti ajetin tjetër: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur’ani” deri tek: “Kushdo nga ju që e përjeton këtë muaj, le të agjërojë!” Këtu Allahu e bëri detyrim agjërimin për ata që nuk janë udhëtarë dhe që janë në gjendje të mirë shëndetësore, e lehtësoi çështjen për udhëtarët dhe të sëmurët, si edhe caktoi kompensimin e agjërimit me ushqimin e të varfërve për ata të moshuar të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë. Besimtarët gjatë natës hanin, pinin dhe shkonin me gratë e tyre, përderisa nuk i zinte gjumi. Nëse i zinte gjumi, nuk bënin më pas asgjë nga këto.
Njëherë – vijon shpjegimin Imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) – një ensar, që quhej Sirme, ishte duke punuar, ndërkohë që ishte me agjërim në Ramazan, derisa perëndoi dielli. Shkoi në shtëpi, fali jacinë pastaj fjeti, duke mos ngrënë e pirë asgjë, derisa u gdhi. Kështu u zgjua përsëri me agjërim. Të nesërmen, Pejgamberi (alejhi selam) e vuri re që ensari ishte tepër i lodhur, prandaj e pyeti: “Çfarë halli ke, se po më dukesh i rraskapitur?” – “O i Dëguari i Allahut, – i tha Sirme – unë punova dje gjithë ditën, dhe kur shkova në shtëpi, u shtriva për të pushuar, por më zuri gjumi. Kur u zgjova, kishte filluar agjërimi.
Gjithashtu, – përfundon Imam Ahmedi – Omeri (radijAllahu anhu) kishte shkuar me gruan gjatë natës, prandaj shkoi te Pejgamberi (alejhi selam) për ta pyetur. Atëherë Allahu i Lartësuar shpalli ajetin: “Gjatë netëve të agjërimit, e keni të lejuar kontaktin me gratë tuaja….” deri tek: “Pastaj, vazhdojeni agjërimin deri në mbrëmje.”. (Bekare : 187)
Mësime dhe dispozita
1- Lehtësimi për besimtarët është mëshirë nga Allahu i Lartësuar. Në fillim të detyrimit të agjërimit, nëse nuk haje menjëherë pas perëndimit të diellit deri në kohën e namazit të jacisë, ose nëse të zinte gjumi në kohën e iftarit, ishte e ndaluar të haje e pije më pas, deri në akshamin e ditës së nesërme. Kjo qe shumë e vështirë, siç u tregua më lart, prandaj Allahu i Lartësuar solli lehtësimin duke lejuar ngrënien, pirjen dhe marrëdhëniet intime gjatë natës, pavarësisht se fle ose jo pas perëndimit të diellit. Vetëm Allahut i takon lavdërimi dhe falënderimi për këtë lehtësim!
2- Në hadithe tregohet se si gruaja i shërbente bashkëshortit të saj, dhe kjo vinte prej respektit ndaj tij dhe tregon bashkëjetesën e mirë.
3- Shihet se sa të kujdesshëm ishin sahabët për të mos rënë në haram, sa të bindur ishin ndaj urdhrave të Allahut, në intimitet dhe në publik. Në disa versione të tjera të hadithit thuhet se gruaja u vonua në gjetjen e ushqimit, prandaj burrin e zuri gjumi. Ajo e zgjoi, por burri nuk deshi të kundërshtonte Zotin dhe të Dërguarin e Tij, prandaj refuzoi të hante, dhe kështu që u zgjua në mëngjes me agjërim. [3] Ndërsa sipas një transmetimi tjetër thuhet: “Burri mbështeti kokën dhe mori një sy gjumë. Gruaja solli ushqimin dhe i tha të shoqit: “Çohu e ha!” Ai i tha: “Por mua më zuri gjumi!” – “Jo, – i tha gruaja – nuk fjete.” Megjithatë, burri ra për të fjetur dhe u zgjua në mëngjes i uritur dhe i lodhur.” [4]
4- Lejohet të kënaqesh me lehtësimet e Allahut të Lartësuar dhe kjo nuk bie ndesh me zbatimin e kërkesave të detyrueshme, sepse të gjitha janë nga Allahu i Lartësuar. Allahu i Lartësuar e pëlqen që robi t’i pranojë e t’i zbatojë lehtësimet e Tij, ashtu siç e pëlqen që të zbatojë detyrat.
5- Është prej mëshirës së Allahut, që ka caktuar ibadete të dobishme për njerëzit, si pastrim për zemrën dhe shpirtin e tyre.
6- Allahu i Lartësuar i ka sjellë shkallë-shkallë detyrimet në rastet kur njerëzit nuk ishin të mësuar me to. Kështu ndodhi me namazin, që u bë detyrim në tri etapa, me agjërimin dhe me ndalimin e alkoolit. Kjo qe mëshirë dhe lehtësim nga Allahu i Lartësuar për robërit e tij. Atij i takon lavdërimi dhe falënderimi!
7- Detyrimi i agjërimit erdhi gradualisht, sepse njerëzit nuk ishin mësuar me të në fillimet e Islamit. Sipas transmetimit të dytë të hadithit, Muadhi (radijAllahu anhu) ka thënë: “Ata ishin popull që nuk ishin mësuar me agjërim, prandaj e kishin të vështirë të agjëronin”. [5]
8- Agjërimi u bë i detyrueshëm në tri etapa:
Etapa e parë: Agjërimi tre ditë në çdo muaj dhe agjërimi ditën e Ashures.
Etapa e dytë: Mundësia për të zgjedhur: ose të agjëroje në Ramazan, ose të ushqeje të varfërit, nëse nuk doje të agjëroje.
Etapa e tretë: Detyrimi i agjërimit për çdo njeri që ka mundësi dhe lehtësimi për të moshuarit, të cilët nuk kanë mundësi të agjërojnë, duke iu dhënë mundësinë që të ushqejnë për çdo ditë të agjërimit nga një të varfër, këtu përfshihet edhe i sëmuri për të cilin nuk ka shpresa se shërohet.
[1] Buhariu (1816), Ebu Davudi (2314), Tirmidhiu (2968) dhe Ahmedi (4/295).
[2] Ebu Davudi (507), Ahmedi (5/246), Taberaniu në elkebijr (20/132) nr (270) dhe Hakimi. [Albani thotë se hadithi është i saktë].
[3] Këtë transmetim e përcjell Taberiu në tefsirin e tij nëpërmjet Es-Surijj (2/167).
[4] Këtë transmetim e përcjell Taberiu në tefsirin e tij nëpërmjet Muhammed ibn Jahja Ibn Hibban.
[5] Ky transmetim është i Ebu Davudit (506) dhe i Bejhakiut në Sunen (4/201) dhe në Fadailul Evkat (30). Shih: Sahih Ebu Davud.