Nga Zejd Ibn Thabiti (radijAllahu anhu) përcillet se ka thënë: “Pejgamberi (alejhi selam) rrethoi një pjesë të vogël në xhami me degë palme (ose me kashtë) dhe filloi të falej në të. Disa burra e ndoqën dhe falën namaz bashkë me të. Ata erdhën edhe natën tjetër, por Pejgamberi (alejhi selam) nuk doli. Ata ngritën zërin dhe i ranë derës së Profetit (alejhi selam) me ca gurë të vegjël. Pejgamberi (alejhi selam) doli i zemëruar dhe iu tha: “Mendova se, po të vazhdonit të vepronit kështu, do tu bëhej i detyrueshëm ky namaz, prandaj faluni në shtëpitë tuaja, sepse namazi më i mirë është ai që falet në shtëpi, përveç namazeve të detyrueshme”. [1] Në një transmetim tjetër thuhet: “Kisha frikë se mos u bëhej namaz i detyrueshëm, se po të ishte bërë i detyrueshëm, ju nuk do mund ta kryenit!” [2]
Mësime dhe dispozita:
1- Shihet thjeshtësia e Pejgamberit (alejhi selam) në mjetet që përdorte.
2- Mësojmë për adhurimin e shumtë të Pejgamberit (alejhi selam), edhe pse i ishin falur gjynahet e kaluara dhe të ardhme.
3- Interesimi i sahabëve (radijAllahu anhu) për të bërë vepra të mira dhe për ta ndjekur sa më shumë Pejgamberin (alejhi selam) në atë që vepronte.
4- Në hadith tregohet vlera e namazit të natës në përgjithësi dhe veçanërisht në Ramazan.
5- Lejohet falja e namazeve nafile në xhami. [3]
6- Namazi i teravive në Ramazan është vepër e Pejgamberit (alejhi selam), që më pas e ndërpreu nga frika se mos i bëhej detyrë umetit. Këtë sunnet e ringjalli më pas Omeri (radijAllahu anhu). [4]
7- Nëse udhëheqësi apo komandanti bën një veprim në kundërshtim më atë që janë mësuar pasuesit e tij, duhet t’ua shpjegojë atyre arsyen, gjykimin, si dhe urtësinë e këtij veprimi, ashtu siç bëri Pejgamberi (alejhi selam). [5]
8- Këtu duket dhembshuria dhe mëshira e Pejgamberit (alejhi selam) për umetin e tij, por edhe lehtësimi që bënte për ta – Allahu i dhëntë shpërblimet më të mira! Prijësit dhe njerëzit e mëdhej që kanë pasues në dije apo diçka tjetër, duhet të kenë model Pejgamberin (alejhi selam) në këtë aspekt. [6]
9- Lejohet lënia e disa gjërave me interes për të shmangur të këqijat e mundshme, që mund të vijnë më pas. Gjithashtu, ndër dy gjëra të dobishme, duhet t’i japim përparësi asaj që ka më tepër vlerë, kur nuk mund të arrihen të dyja. [7]
10- Kur namazet nafile falen me xhemat, si namazi i teravive, nuk thirret ezan apo ikamet. [8]
11- Falja në shtëpi e namazeve nafile është më e mirë se falja e tyre në xhami, përveç namazeve që, sipas traditës profetike falen me xhemat si për shembull, namazi i kërkimit të shiut dhe për teravitë, që më e mira është që të falen me xhemat. [9]
[1] Buhariu (5762) dhe Muslimi (781).
[2] Buhariut (6860) dhe Muslimi (781).
[3] Sherh Ennevevij ala Muslim (6/69).
[4] Shiko Fet’hul Bari li Ibn Haxher (3/14).
[5] Burimi i mësipërm (3/14) dhe Tarhut-tethrijb (3/90).
[6] El Fet’h (3/14).
[7] Sherhun Nevevi ala Muslim (6/69) dhe El Fet’h (3/14).
[8] Burimi i mësipërm (3/14) dhe Tarhut-Tethrijb (3/90).
[9] Sherhun Nevevi ala Muslim (6/70) dhe Mirkatul Mefatijh (3/334).