Allahu i Lartësuar thotë: “Sigurisht, pasuria dhe fëmijët tuaj janë vetëm sprovë, ndërsa tek Allahu është shpërblimi i madh.” (Tegabun, 15). Po ashtu, në suren Enbija, ajeti 35: “Ne ju sprovojmë me vështirësi e kënaqësi, dhe ju në fund ktheheni tek Ne”. Ibn Abbasi (radijAllahu anhu) shpjegon këtë ajet: “Ju sprovojmë me vështirësi dhe komoditet, shëndet dhe sëmundje, me pasuri dhe fukarallëk, me të lejuara dhe të ndaluara, me bindje dhe rënie në gjynahe, me udhëzim dhe humbje.” [1]
Hudhejfja (radijAllahu anhu) tregon se, njëherë, Omeri (radijAllahu anhu) tha: “Kush mban mend ndonjë fjalë të Pejgamberit (alejhi selam) rreth sprovës?” – “Unë – tha Hudhejfja – e kam dëgjuar atë (alejhi selam) të thotë: “Sprovimin me rënie në gjynahe, për shkak të familjes, pasurisë ose fqinjëve e shlyen namazi, agjërimi dhe sadakaja.” [2]
Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcjell nga Pejgamberi (alejhi selam): “Zoti i juaj ka thënë: “Për çdo punë të keqe (gjynah) ka shlyerje. Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” [3]
Nga imam Ahmedi (Allahu e mëshiroftë!) vjen kështu ky hadith: “Çdo punë e mirë është shlyerje gjynahesh. Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të.” [4] Edhe në një transmetim tjetër qëndron: “Çdo punë e mirë është shlyerje gjynahesh, përveç agjërimit, i cili është i Imi dhe Unë shpërblej për të.” [5]
Përcillet nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Pesë namazet, xhumaja deri në xhumanë e ardhshme, Ramazani deri në Ramazan, i shlyejnë gjynahet që bëhen mes tyre, nëse shmangen gjynahet e mëdha.” [6]
Nga Ebu Seid el Hudriu (radijAllahu anhu) përcillet se ka thënë: “E kam dëgjuar Pejgamberin (alejhi selam) të thotë: “Kush e agjëron Ramazanin dhe i njeh caqet e tij, të cilat nuk duhet t’i tejkalojë, dhe ruhet nga ato që i takon të ruhet (si: gënjeshtra, përgojimi, etj), i fshihen gjynahet e mëparshme”. [7]
Mësime dhe dispozita
1- Njeriu mund të vihet në provë me të mira dhe me të këqija. Të mirat që vijnë si provë mund të jenë: shtimi i pasurisë, sukseset, etj. Të këqija janë problemet si mërzia, sëmundjet etj.
2- Fëmijët dhe pasuria janë sprovë për njeriun, pasi ai mund të shkelë disa norma për shkak të tyre, dhe kështu ato bëhen shkak për dënimin e tij në botën tjetër. Allahu i Urtë ka caktuar gjithashtu detyrime ndaj fëmijëve, për shembull, si edukimin apo kujdesin shëndetësor e financiar për ta. Nëse nuk i përmbush këto detyrime, atëherë është gjynaqar. [8]
3- Gjynahet janë sprova. Kush bën një gjynah, në fakt, ka rënë në sprovë, dhe kjo mund të ndodhë edhe me njerëzit e mirë. [9] Allahu i Lartësuar thotë në Kur’an: “Ata që i frikësohen Allahut kur u vjen ndonjë mendim i lig nga shejtani, kujtojnë Atë, e atëherë shohin rrugën e drejtë.” (Araf, 201). Ose: “…Ata të cilët, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë padrejtësi vetes, kujtojnë Allahun dhe i kërkojnë falje për gjynahet e tyre – e kush i fal gjynahet përveç Allahut?! – dhe nuk ngulmojnë me vetëdije në gabimet e tyre” (Al-Imran, 135)
4- Kush bën një gjynah në mënyrë të vazhdueshme, duhet të shtojë veprat e mira, sepse, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Veprat e mira i shlyejnë të këqijat” (Hud, 114) Ndoshta shtimi i veprave të mira bëhet shkak që të lirohesh nga robëria e gjynahut dhe që Zoti të të japë sukses për një pendim të pranuar.
5- Agjërimi fshin gjynahet. Në hadithin e Ebu Hurejres, që duket sikur e mohon këtë fakt, qëllimi është se: veprat e mira janë fshirje gjynahesh, përveç agjërimit, i cili jo vetëm që fshin gjynahet, por edhe rrit shpërblimin. Fjala është për agjërimin që bëhet me sinqeritet për Allahun, larg syfaqësisë dhe formave të tjera të shirkut. [10]
6- Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) shpjegon: “Nëse vetëm abdesi i fshin gjynahet, atëherë po namazi, çfarë fshin?! Nëse namazi vetëm i fshin gjynahet, atëherë po namazi me xhemat?! Po Ramazani, agjërimi ditën e Arafatit dhe ditën e Ashures, po kur thua ‘Amin’ njëherësh me melekët pas leximit të Fatihas nga imami!’ pas Fatihasë, me lutjen e melekëve?!
Për të gjitha veprat e përmendura më lart kanë ardhur dëshmi se ato i fshijnë gjynahet. Dijetarët përgjigjen se, secila prej tyre shërben për fshirjen e gjynaheve. Nëse ka gjynahe të vogla, ato e fshijnë. Nëse nuk ka as gjynahe të vogla, as të mëdha, besimtarit i shkruhen si vepra të mira dhe ngrihet në grada. Nëse ka gjynahe të mëdha, shpresohet që veprat e mira mund ta lehtësojnë peshën e tyre”. [11]
7- Cënimi i të drejtave të njeriut nuk falet me këto vepra, qoftë shkelja e të drejtës njerëzore gjynah i madh apo i vogël, por duhet së pari t’i shlyesh detyrimin tjetrit ose t’i kërkosh që të ta falë padrejtësinë që i ke bërë. [12]
8- Hadithet tregojnë mirësinë e agjërimit, që është shkak për faljen e gjynaheve.
9- Këto mirësi i përfiton ai i cili e ruan agjërimin e tij nga gjërat që e prishin atë, siç thotë hadithi: “Kush e agjëron Ramazanin dhe i njeh caqet e tij dhe ruhet nga ato që i takon të ruhet, i fshihen gjynahet e mëparshme”. Për këtë arsye, muslimani duhet të ruhet ditën dhe natën nga përgojimet, thashethemet, etj.
E lus Allahun e Madhëruar që të na udhëzojë të gjithëve tek e mira dhe e drejta!
[1] Tefsijr Ibn Kethijr (3/286).
[2] Buhariu (1796) dhe Muslimi (144).
[3] Buhariu (7100) dhe Ahmedi (2/504).
[4] Ahmedi (2/457) dhe Tajalisi (2485).
[5] Sjellë nga Ibn Rahavejh (58).
El Hejthemi në Mexhmeuz-zevaid (3/179) pohon se e shënon edhe Ahmedi, duke shtuar se transmetuesit e tij janë të saktë. Edhe Ibn Haxheri e quan të saktë në Fet’h (4/109).
[6] Muslimi (233).
[7] Ahmedi (3/55), Ebu Je’ala (1058) dhe Bejhakiu (4/304).
Ibn Hibbani e vlerëson si të saktë (3433). Hadithi është i dobët për shkak të një njeriu të panjohur në sened (Silsile daife: 5083)
[8] Shiko: Sherh Ennevevi ala Muslim (2/171).
[9] Ettemhijd i Ibn Abdulberr (17/394).
[10] Shiko: El Fet’h (4/111).
[11] Sherh En Nevevi (3/113) dhe Eddijbaxh ala Muslim (2/17).
[12] Shiko: Tenvijru Havalik (2/42) dhe Tuhfetul Ehvedhij (1/535).