Përcillet nga Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se Pejgamberi (alejhi selam) përmendi Ramazanin dhe tha: “Mos agjëroni pa parë hënën e re (të Ramazanit) dhe mos e ndërprisni agjërimin pa parë hënën tjetër të re (të Shewalit). Nëse nuk mund ta shikoni hënën, atëherë plotësojeni (muajin tridhjetë ditë)”. [1]
Në një variant tjetër të Buhariut thuhet: “Kur të shikoni atë (hënën e re të Ramazanit), agjëroni, dhe kur të shikoni tjetrën (hënën e re të Shewalit), ndërprisni agjërimin. Nëse nuk mund ta shikoni hënën, atëherë plotësojeni (muajin tridhjetë ditë)”. [2]
Kuptimi i fjalës “plotësojeni” është: çojeni muajin deri në cakun e tij dhe caku i tij është 30 ditë. Ky është shpjegimi i shumicës së dijetarëve të parë dhe brezave pas tyre [3] , duke u mbështetur në transmetime të tjera, si: “Nëse nuk mund ta shihni hënën (për shkak të reve), atëherë përcaktojeni muajin me 30 ditë.” Në një variant tjetër thuhet: “llogarisni 30 ditë”, ndërsa në një tjetër: “plotësoni numrin”. Të gjitha këto transmetime gjenden në ‘Sahih’-un e Muslimit. [4]
Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur ta shikoni hënën e re, filloni e agjëroni, dhe kur ta shikoni atë përsëri (pas një muaji), ndërpriteni agjërimin. Nëse hëna nuk mund të shihet (për shkak të reve), atëherë agjëroni plot 30 ditë”.
Në një variant tjetër thuhet: “Filloni të agjëroni kur të shihni hënën e re dhe ndërpriteni agjërimin kur ta shihni përsëri atë. Nësë nuk arrini ta shihni atë, atëherë llogariteni muajin Sha’ban me 30 ditë”. Sipas një tjetri: “Nëse nuk arrini ta kapni me sy, plotësoni muajin Sha’ban me 30 ditë”. [5]
Përcillet nga Abdullah Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur prej të dyve): “Njerëzit ishin mbledhur për të parë hënën e Ramazanit, por unë njoftova të Dërguarin e Allahut se tashmë e kisha parë atë. Kështu, ai filloi agjërimin e Ramazanit dhe dha urdhër që edhe njerëzit të fillonin agjërimin.” [6]
Mësime dhe dispozita
1- Agjërimi i Ramazanit është i lidhur më shikimin e hënës së re të këtij muaji. Nëse shikimin e hënës e pengojnë retë, pluhuri, tymi apo diçka tjetër, bëhet i detyrueshëm mbyllja e muajit Sha’ban me 30 ditë.
2- Nuk agjërohet dita e fundit e muajit Sha’ban për të treguar siguri për Ramazanin, edhe nëse hëna nuk shikohet për shkak të reve, pluhurit apo diçkaje tjetër, sepse këtë e ka ndaluar Pejgamberi (alejhi selam) kur ka thënë: “Mos agjëroni pa parë hënën e re!”. Siç dihet, në parim, kur bëhet një ndalim në tekstet e Kur’anit apo të Sunnetit, ai duhet të merret si ndalim kategorik (harram).
3- Nëse shihet hëna e re e Ramazanit, bëhet i detyrueshëm agjërimi, pa marrë parasysh parashikimet e përllogaritësve. [7]
4- Nga normat që tregojnë lehtësinë e Sheriatit Islamik për zbatim është dhe lidhja e agjërimit me shikimin e hënës, e kjo nuk ka nevojë për nxënie dhe studim, sepse hënën e re arrin ta shohë ai që ka shikim të fortë. Sikur kjo çështje të varej nga përllogaritjet, atëherë do të kishte qenë e vështirë për shumicën e muslimanëve, në ato vende ku mungojnë specialistët që bëjnë mirë llogaritjen astronomike. [8]
5- Fillimi i agjërimit është i detyrueshëm për popullin e atij vendi ku është parë hëna e re e Ramazanit. Kështu, vendi në të cilin nuk është parë hëna nuk e nis agjërimin, sepse mundësia e shikimit të hënës ndryshon në varësi të vendeve të ndryshme. [9]
6- Për hyrjen e muajit të Ramazanit mjafton dëshmia e një njeriu të drejtë, siç tregon hadithi i Ibn Omerit, ndërsa për daljen e Ramazanit duhen dy dëshmitarë të drejtë, siç tregojnë hadithet e tjera. [10]
7- Prijësi i muslimanëve është ai i cili shpall hyrjen e Ramazanit ose ditën e Bajramit. [11]
8- Personi që shikon hënën e re të Ramazanit duhet që të lajmërojë kryetarin e muslimanëve ose zëvendësin e tij.
9- Duhet të merret parasysh lajmërimi i mediave të kohës për hyrjen dhe daljen e muajit, nëse ato e bëjnë lajmërimin me urdhër të prijësit ose zëvendësit të tij. [12]
10- është e pëlqyeshme që muslimanët të vëzhgojnë në grup hënën e re natën e tridhjetë të muajit Sha’ban dhe natën e tridhjetë të muajit Ramazan, që të mësojnë hyrjen e muajit dhe daljen e tij.
11- Çështja e pranimit të dëshmisë së një gruaje për shikimin e hënës mbetet e diskutueshme në mesin e dijetarëve. Dijetari Ibn Baz (Allahu e mëshiroftë!) ka përzgjedhur mospranimin e dëshmisë së saj, sepse shikimi i hënës është një punë me të cilën merren vetëm burrat, ata arrijnë ta shohin hënën e re dhe kanë njohuri më shumë sesa gratë për këtë çështje. [13]
[1] Buhariu dhe Muslimi.
[2] Buhariu (1807) dhe Muslimi (1080).
[3] Shpjegimi i Neveviut mbi Muslimin (7/186).
[4] Muslimi (1080-1081).
[5] Buhariu (1810) dhe Muslimi (1081).
[6] Ebu Davudi (2343), Darimi (1691), Darekutni (2\156), Bejhekiu (4/212),Tabaraniu në Evset (3877). E saktëson Ibn Hibbani (3447). Hakimi ka thënë se është me kushtet e Muslimit (1/585). E saktëson Neveviu në Mexhmu (6/276).
[7] Sherh Ibn Mulekkan ala Elumdeh (5/178)
[8] Sherh Ibn Battal ala el Buhari (4/27)
[9] Sherh ibn Mulekkin (5/181-182).
Mendimi më i saktë i dijetarëve në këtë çështje është se shikimi i një vendi vlen dhe për çdo vend tjetër ku arrin lajmi i shikimit sikurse ka sqaruar me argumente Ibn Tejmijje ne Mexhmul Fetawa.
Arsyeja që përmend më lart autori nuk qendron për shkak se:
1- Nuk ka asnjë argument për të ndarë kufitjë e vendeve ku mund të shihet hëna nga ato ku nuk mund të shihet hëna.
2- Për ndarjen e vendeve me kufij nga njëri-tjetri do të nevojitej llogaritje, sepse nuk ka mënyrë tjetër, e siç dihet bazimi në llogaritje është i ndaluar.
3- Edhe ndarja me hamendje e kufirit të një vendi nga një vend tjetër apo të vendeve të largëta nga ato të afërtat është e papranueshme në fe.
4- Edhe brenda atij që përkrahësit e këtij mendimi e quajnë një vend apo një shtet, siç është përshembull Arabia Saudite, ka zona më në lindje të tij ku nuk mund të shihet hëna e re, dhe ka zona më në perëndim të tij ku shihet hëna e re, a do të thotë kjo atëherë se edhe njerëzit e këtij vendi duhet të ndahen në disa rajone!?
5- Madje ka mundësi që hëna të shihet në një fshat, dhe të mos shihet në një fshat tjetër kufitar me të parin, por pak më në lindje, a do të thotë kjo se në varësi të mundësisë së shikimit të hënës duhet të ndahen dhe zona kaq të afërta me njëra tjetrën!? Pejgamberi e pranoi atë shikimin e grupit të udhëtarëve që e lajmëruan gjatë ditës se në mbrëmjen e djeshme kishin parë hënën e re.
6- Nëse do të vihej një kufi që ndan një vend nga një tjetër, atëherë do të duhej që njerëzit që janë përtej këtij kufiri qoftë edhe disa metra të mos e fillonin agjërimin, ndërkohë që ju ka arritur lajmi i shikimit të hënës, e kjo është e pavlefshme, sepse bie ndesh me hadithet e mësipërme që urdhërojnë të fillohet agjërimi kur shikohet hëna e re.
7- Ibn Kudame ka sqaruar në librin “El Mugni” se mosmarrëveshja mes dijetarëve mbi pranimin e shikimit të një vendi tjetër ka të bëjë vetëm me zëvendësimin si kaza të ditës së parë të Ramazanit. Kjo do të thotë se dijetarët në të kaluarën nuk e vinin në diskutim pranimin e lajmit të shikimit të hënës së re kur arrinte në kohë, gjatë natës ose ditës së parë, por diskutimi ka qenë vetëm për rastin kur lajmi i shikimit arrin mbasi ka kaluar dita e parë: nëse duhet të bëhet kaza ajo ditë apo jo. Kjo vërteton se ky fenomen që ndodh në kohën tonë ku pranohet shikimi i një vend tjetër, madje ndonjëherë edhe kufitar, ndërkohë që lajmi ka arritur që në natën e parë, është në kundërshtim dhe me ixhmain dhe praktikën ndërshekullore të muslimanëve.
Për hadithin që sjell Kurejbi nga Ibn Abassi themi se fjala e Ibn Abassit nuk ka të bëjë me rastin në fjalë, sepse Ibn Abassit i arriti lajmi mbasi kishte kaluar dita e parë e muajtit të Ramazanit, dhe prandaj nuk e mori për bazë. Nëse do ta merrte për bazë, do të duhej ta bënte kaza ditën e parë. Kështu, nëse lajmi i shikimit të hënës së re të Ramazanit na arrin mbasi ka kaluar dita e parë e këtij muaji, këtu vlen të merret për bazë hadithi i Ibn Abassit, që tregon se nuk e kemi detyrë ta agjërojmë kaza ditën e parë meqë nuk na ka arritur lajmi.
Por megjithëkëtë, nëse autoriteti që ju shpall muajin muslimanëve të një vendi ecën me këtë mendim të gabuar, ose ndonjë mendim tjetër të gabuar të ngjashëm me këtë, siç është bazimi në llogaritje, ose nëse muslimanët e këtij vendi gabojnë në fillimin e muajit të Ramazanit, ditën e Fitër Bajramit apo ditën e Kurban Bajramit, në këtë rast pra individët duhet t’i bashkohen xhematit dhe të mos e fillojnë Ramazanin veças, të mos e bëjnë ditën e fitër Bajramit veças dhe të mos e bëjnë ditën e Kurban Bajramit veças. Kështu pra individët duhet t’i bashkohen xhematit në fillimin e Ramazanit, ditën e Fitër Bajramit dhe ditën e Kurban Bajramit, qoftë edhe nëse janë në dijeni se xhemati i muslimanëve ka rënë në gabim për shkak të një mendimi a vendimi të gabuar të autoritetit që ju shpall muajin.
Argument për këtë është hadithi i Ebu Hurejres i cili tregon se Pejgamberi ka thënë: “Agjërimi fillon ditën kur ju filloni agjërimin, fitër bajrami bëhet në ditën kur ju bëni fitër bajram dhe kurban bajrami bëhet në ditën kur ju bëni kurban bajram”. (Shënon Tirmidhiu.) Në shpjegimin e këtij hadithi, Tirmidhiu menjëherë pas përmendjes së tij thotë: Disa dijetarë e shpjegojnë këtë hadith kështu: “Kuptimi është se agjërimi dhe fitër bajrami bëhen bashkë me xhematin dhe shumicën e njerëzve”. Albani thotë se hadithi është i saktë. (Shënim i redaktorit fetar)
[10] Thotë Tirmidhiu në ‘El Xhami’ (3/74): “Nuk kanë diskutim dijetarët se për shikimin e hënës së ndërprerjes së agjërimit (Fitër Bajramit) nuk pranohet vetëm se dëshmia e dy burrave”. Neveviu në Sherhul Muslim (7/190) thotë: “Qëllimi është ta shohin hënën disa prej muslimanëve. Nuk është kusht që ta shikojë çdo njeri, përkundrazi, shikimi i dy persona të drejtë mjafton për të tjerët, madje sipas mendimit më të saktë për fillimin e agjërimit mjafton vetëm një dëshmitarë i drejtë, ndërsa për Fitër Bajram, për shikimin e hënës së re të Shewalit, nuk mjafton dëshmia e një personi të drejtë, sipas të gjithë dijetarëve, përveç Ebu Theurit i cili mendon se mjafton një përson i drejtë edhe për Fitër Bajram”. Shiko dhe fetvatë e Ibn Baz (15/62).
[11] El bulug bi tealijk Ebi kutejbeh El farjani. Shiko dhe El fetava Esseadije (216)
[12] Shih dhe Mexhmuul fetava Ibn Baz (15/86-87)
[13] Kush merr për bazë hadithin e Ibn Omerit në pranimin e lajmit të një përsoni për shikimin e hënës së re, ai e pranon dëshminë e gruas dhe të robit (mbi shikimin e hënës së re të Ramazanit), siç përmend Hattabi në Mealimus-Sunen (2/753). Ndërsa Ibn Bazi (Allahu e mëshiroftë!) është i mendimit se nuk pranohet dëshmia e gruas mbi shikimin e hënës së re, siç përmendet në Mexhmul Fetawa (15/62).