Nga Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (alejhi selam) është rob dhe i dërguari i tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, haxhi dhe agjërimi i Ramazanit”. [1]
Ebu Xhumrah Nasr Ibn Imrani (radijAllahu anhu) rrëfen: “Si përkthyes i Ibn Abassit, e kam dëgjuar atë të thotë njëherë: “Kur erdhi delegacioni i Abdul Kajsit, Pejgamberi (alejhi selam) pyeti? “Nga vjen ky delegacion?” – “Nga fisi Rebia” – i thanë. Atëherë, Pejgamberi (alejhi selam) tha: “Mirë se të vijë delegacioni ose fisi që nuk do tu shkelet krenaria e nuk do të dëshpërohen për zgjedhjen e tyre! [2] ” Delegatët i thanë: “Ne vijmë nga një udhëtim i largët. Në rrugën mes nesh dhe jush gjendet fisi jobesimtar i Mudarit, prandaj mund të vijmë këtu vetëm në një muaj të shenjtë. Na trego se cilat janë detyrat tona, që t’ua përcjellim edhe njerëzve që kemi lënë atje, dhe kështu të futemi në Xhennet.” Profeti (alejhi selam) u përcolli katër urdhëresa. Së pari, ai (alejhi selam) i urdhëroi që ta besonin Zotin si një të vetëm. Profeti (alejhi selam) i pyeti: “A e dini se ç’do të thotë ta besoni Allahun si një të vetëm?” Ata thanë: “Allahu dhe i Dërguari i tij e dinë më së miri!” Profeti (alejhi selam) tha: “Të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi (alejhi selam) është rob dhe i dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të jepni një të pestën e plaçkës së luftës.” Pastaj u tha: “Mbajini mend këto dhe përcilluani atyre që përfaqësoni!”. [3]
Mësime dhe dispozita [4]
1- Në hadithet më lart tregohet kuptimi i imanit dhe i islamit. Imani është pohimi i brendshëm, pranimi me zemër, ndërsa islami është nënshtrimi i jashtëm, me vepra. Kështu shpjegohen këta terma nëse përmenden së bashku në një tekst. Nëse përmenden veçmas në tekste të ndryshme, atëherë koncepti ‘iman’ bart në vetvete edhe kuptimin e ‘islamit’ ose anasjelltas.
2- Me pohimin e shehadetit njeriu bëhet musliman. Islami ka shtyllë kryesore shehadetin, të cilin e shoqërojnë namazi, zekati, agjërimi dhe haxhi, si adhurimet më të mëdha dhe më të dukshme të kësaj feje.
3- Braktisja e pesë shtyllave të Islamit ose e ndonjërës prej tyre tregon mosdorëzim dhe mosnënshtrim ndaj Allahut të Lartësuar.
4- Renditja e agjërimit të Ramazanit ndër shtyllat kryesore të fesë Islame dëshmon për vlerën dhe gradën e tij të lartë tek Allahu.
5- Mësimi i rregullave të rëndësishme të fesë, siç janë urdhëresat ose ndalesat, është detyrë e domosdoshme e muslimanit që më pas ai të punojë sipas tyre e t’ua përcjellë të tjerëve. Kjo përftohet nga thënia e Pejgamberit (alejhi selam): “Mbajini mend këto dhe përcilluani atyre që përfaqësoni!”.
[1] Buhariu dhe Muslimi (16).
[2] Ngaqë nxituan dhe nuk u vonuan të përqafonin islamin. (sh.p)
[3] Buhariu (87) dhe Muslimi (17).
[4] Shiko: Shpjëgimi i Neveviut mbi Muslimin (1/148).