Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kur hyn muaji i Ramazanit, hapen dyert e qiellit dhe mbyllen dyert e Zjarrit, kurse shejtanët lidhen me pranga”. [1]
Sipas një transmetimi tjetër, Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Kur hyn nata e parë e Ramazanit, lidhen me zinxhirë shejtanët dhe xhindët agresivë, mbyllen dyert e Zjarrit dhe nuk hapet asnjë prej tyre, hapen dyert e Xhennetit dhe nuk mbyllet asnjë prej tyre, ndërsa një zë thërret: “O ju që doni të mirën, ejani! O ju që kërkoni të bëni të këqija, hiqni dorë!” Allahu liron robër nga Zjarri, dhe kjo ndodh çdo natë (të Ramazanit).” [2]
Kuptimi i thënies: “O ju që doni të mirën, ejani!” është: “O ju që doni të mirën, ejani për të kryer vepra të mira, sepse kjo është koha juaj, kur shpërbleheni shumë me pak punë. Ndërsa ju të tjerët, që kërkoni të bëni të këqija, ndaluni dhe pendohuni, sepse kjo është koha e pendimit. [3]
Sipas një hadithi tjetër, Pejgamberi (alejhi selam) ka përgëzuar shokët e tij: “Ju erdhi Ramazani, një muaj i begatë. Allahu e ka bërë detyrë agjërimin e tij. Në këtë muaj hapen dyert e qiellit, mbyllen dyert e Zjarrit dhe lidhen shejtanët më agresivë. Allahu ka bërë një natë në të, e cila është më e mirë se një mijë muaj. Kush privohet nga mirësia e kësaj nate, me të vërtetë është privuar nga një mirësi e madhe”. [4]
Nga Ebu Hurejra ose Ebu Seidi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu liron robër nga Zjarri çdo ditë dhe çdo natë dhe secilit nga këta robër i pranohet një lutje (nga Allahu)”. [5]
Nga Xhabiri (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu liron robër nga Zjarri në çdo kohë iftari, dhe kjo ndodh çdo natë”. [6]
Mësime dhe dispozita
1- Hadithet e mësipërme tregojnë mirësinë e muajit të Ramazanit, në të cilin ndodhin ngjarje të mëdha si: hapja e dyerve të Xhennetit, mbyllja e dyerve të Zjarrit dhe prangosja e shejtanëve. Këto ndodhin natën e parë të Ramazanit dhe vazhdojnë deri në fund të tij.
2- Hadithi i parë tregon se Xhenneti dhe Xhehenemi janë tashmë të krijuar dhe se hapja dhe mbyllja e dyerve të tyre ndodh realisht. [7]
3- Kohët e volitshme për ibadet dhe veprat e mira që bëhen në to janë shkak për të fituar kënaqësinë e Allahut, si rezultat i së cilës hapen dyert e Xhennetit dhe mbyllen dyert e Zjarrit.
4- Përgëzimi dhe urimi për ardhjen e Ramazanit është i ligjshëm në fe. Pejgamberi (alejhi selam) përmendte avantazhet e Ramazanit, si përgëzim për shokët e tij, por dhe për t’i shtyrë të bënin sa më tepër punë të mira. Të njëjtin gjykim ka dhe përgëzim për çdo të mirë.
5- Shejtanët agresivë qëndrojnë të lidhur në Ramazan, prandaj ndikimi i tyre mbi njerëzit është i dobët gjatë këtij muaji. Shkaku i kësaj janë punët e mirë që kryejnë njerëzit gjatë këtij muaji.
6- Është mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij që ua mbron agjërimin njerëzve, duke dobësuar ndikimin e xhindëve agresivë, në mënyrë që të mos ua prishin adhurimin në këtë muaj të begatë. [8]
7- Hadithet dëshmojnë për ekzistencën e shejtanëve, të cilët kanë trupa, që mund të lidhen me pranga. Disa prej tyre janë agresivë që prangosen gjatë muajit të Ramazanit. [9]
8- Mirësitë e posaçme të Ramazanit i përfitojnë vetëm besimtarët, të cilët e nderojnë Ramazanin duke kryer gjatë tij detyrimet që u ka caktuar Allahu. Ndërsa për jobesimtarët, të cilët nuk e respektojnë shenjtërinë e tij, për ta nuk hapen dyert e Xhennetit dhe nuk mbyllen dyert e Zjarrit. Për jobesimtarët nuk lidhen shejtanët dhe nuk ka çlirim nga Zjarri. [10] Kështu që, nëse ata vdesin në Ramazan ose edhe jashtë tij, do të marrin dënimin e merituar të Zotit.
9- Për sa u përket atyre që u përngjajnë jobesimtarëve në shkeljen e shenjtërisë së Ramazanit, duke mos agjëruar ose duke ia ulur vlerën atij me vepra të tilla si: përgojimi, thashethemet, gënjeshtrat, dëshmitë e rreme etj., ekziston droja se mund t’iu humbasin mirësitë e posaçme të këtij muaji. Ndoshta të tillë njerëzve iu mbyllen dyert e Xhennetit, iu hapen dyert e Zjarrit dhe shejtanët e tyre qëndrojnë të lirë.
10- Çështja e hapjes së dyerve të Xhennetit dhe e mbylljes së dyerve të Xhehenemit në Ramazan nuk bie në kundërshtim me thënien e Allahut të Lartësuar: “Vërtet, për njerëzit që ruhen nga gjynahet ka kthim të mirë, në kopshtet e Adnit, dyert e të cilit janë të hapura për ta” (Sad : 49-50), pasi kjo nuk tregon që këto dyer qëndrojnë gjithnjë të hapura. Madje, ky ajet flet konkretisht për Ditën e Gjykimit. Gjithashtu, nuk ka asnjë mospërputhje as me fjalën e Allahut në lidhje me Xhehenemin: “…kur të arrijnë atje, dyert e tij do të hapen…” (Zumer: 71), sepse dyert e Xhehenemit mund të jenë mbyllur edhe herë tjetër më parë. [11]
11- Mirësia e Natës së Kadrit, e cila është më e mirë se një mijë muaj pa Natë Kadri, prandaj kush e humb atë, është i privuar nga një mirësi e madhe.
12- Allahu i Lartësuar liron robër nga zjarri i Xhehenemit çdo natë të Ramazanit. Njerëzit që e meritojnë së pari shpëtimin nga Zjarri janë ata të cilët e kryejnë agjërimin pa cen, falen natën në formën më të mirë, i shtojnë veprat e mira me dashuri për Zotin, duke shpresuar në shpërblimin e Tij dhe duke u frikësuar nga dënimi i Tij.
13- Njerëzit që lirohen nga zjarri i Xhehenemit kanë lutje të pranuara tek Allahu i Lartmadhërishëm. Në këtë mënyrë, Allahu u jep njëherësh dy shpërblime madhështore, që janë shpëtimi nga Zjarri dhe pranimi i lutjes së tyre.
14- Çdo musliman duhet të ketë kujdes që ta ruajë agjërimin e tij nga veprimet që e prishin ose ia ulin vlerën atij, duke ruajtur sidomos dëgjimin, shikimin dhe gjuhën e tij nga haramet, në mënyrë që të fitojë çlirimin nga zjarri i Xhehenemit.
15- Agjëruesit duhet t’i shtojnë sa më tepër lutjet, sepse shpresohet më shumë që lutjet e tyre të pranohen nga Allahu i Madhëruar.
[1] Buhariu (1800) dhe Muslimi (1079).
[2] Ky transmetim është i Tirmidhiut (682) dhe Ibn Maxhes (1642).
E ka saktësuar Ibn Huzejmeh (1883) dhe Ibn Hibbani (3453). Hakimi ka thënë se plotëson kushtet e Buhariut dhe Muslimit (1/582). Edhe Albani e quan hadith të saktë në sahih Et tirmidhi.
[3] Hashijetus-sindi ala sunen En-nesai (4/130).
[4] Ky është transmetimi i Nesaiut (4/129), Ahmedit (2/230) dhe Abd Ibn Humejd (1429).
[5] Ky është transmetimi i Ahmedit (2/254) dhe i Taberaniut në Evsat (6/257) me zinxhir të saktë.
[6] Ibn Maxheh (1643). Albani në sahih ibn Maxheh ka thënë se është hasenun sahih (i mirë –i saktë).
[7] Shiko:Shpjegimi i Ibn Batta (l 4/20) dhe El MufhiM (3/163).
[8] DhekhijretuL Ukba (20/255).
[9] Burimi i mësipërm.
[10] Shiko: Fetava shejkh El islam (5/131-474).
[11] Dhekhijretul Ukba (20/235).