Përcillet nga Hafsa e bija e Omerit (radijAllahu anhu) se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: ”Kush nuk e vendos për agjërim që përpara sabahut, ai nuk ka agjërim të vlefshëm”. Hadithin e sjell Ebu Davudi dhe Tirmidhiu, por sipas qëndrimit më të saktë, kjo është thënie e Hafsës.
Ndërsa te Nesaiu përcillet se: “Kush nuk e bën nijet para sabahut që të agjërojë, ai nuk ka agjërim të vlefshëm.” [1]
Nga Abdullah Ibn Omeri (radijAllahu anhu) përcillet se ai ka thënë: “Nuk i quhet agjërimi veçse atij që e vendos që para sabahut për agjërim”. [2]
Tirmidhiu (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët shpjegojnë se nuk i vlen agjërimi atij që nuk e vendos për të agjëruar para hyrjes së sabahut në Ramazan, ose për zëvendësimin e ditëve të Ramazanit (kazanë), ose për agjërimin që njeriu ia bën detyrë vetes me zotim. Me fjalë të tjera, nëse njeriu nuk e bën nijetin për agjërimin detyrë natën, para agimit, nuk i vlen agjërimi. Sa i përket agjërimit vullnetar, lejohet ta bësh nijetin pasi të hyjë sabahu. Ky është qëndrimi i Shafiut, Ahmedit dhe Is’hakut.” [3]
Mësime dhe dispozita
1- është i domosdoshëm që agjërim të kryhet me nijetin si ibadet për Allahun e Lartmadhëruar. Nëse dikush nuk i konsumon gjërat që prishin agjërimin për të mbajtur dietë, ose nga këshillat e mjekut, ose thjesht sepse nuk i hahet e pihet, ose për ndonjë arsye tjetër, ky nuk vlen si agjërim fetar, për të cilin shpërblehet nga Zoti.
2- Vendi i nijetit është zemra. Kushdo që e çon në mendje se të nesërmen do të agjërojë, e ka bërë nijetin.
3- Agjërimi i detyrueshëm, si agjërimi në Ramazan, agjërimi që njeriu ia ka bërë detyrë vetes me zotim apo agjërimi për shlyerje [4], duhet që të përfshijë gjithë ditën, nga hyrja e agimit e deri në perëndimin e diellit, prandaj këtë e arrin vetëm ai i cili e vendos të agjërojë që para çeljes së agimit. Ndërsa kush e bën nijetin gjatë ditës, agjërimi i tij nuk e përfshin gjithë ditën, prandaj nuk ka agjërim të vlefshëm. Për këtë, është detyrë që nijeti i agjërimit të detyrueshëm të bëhet para agimit.
4- Lejohet bërja e nijetit të agjërimit, i detyruar qoftë apo vullnetar, në çdo pjesë të natës. Edhe nëse pas nijetit bën diçka që e prish agjërimin, nuk është e detyrueshme ribërja e nijetit, nëse ende nuk ka hyrë agimi.
[1] Ebu Davudi (2454), Tirmidhiu (730), Nesaiu (4/196), Ibn Maxheh (1700) dhe Ahmedi (6/287) dhe Ibn Khuzejmeh (1933). Sipas një varianti ky hadith përcillet me zinxhir transmetimi të plotë deri tek Pejgamberi (alejhi selam) dhe sipas një varianti tjetër sillet me zinxhir transmetimi deri tek sahabët si një thënie e tyre dhe jo e Pejgamberit (alejhi selam). Më e sakta është që është thënie e sahabëve.
[2] Muetta i Imam Malikut (1/288).
[3] Xhamiu Et-Tirmidhi (3/108).
[4] Si për shlyrje (kefaret) betimi, dhihari, apo vrasje gabim.