Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Agjërimi është mburojë. Nëse jeni me agjërim, atëherë mos flisni fjalë të pista dhe mos u sillni pa edukatë. Nëse ju shan dikush, thuajini: “Jam me agjërim, jam me agjërim”.” [1]
Në një variant tjetër qëndron: “Nëse jeni duke agjëruar, atëherë mos flisni fjalë të pista dhe mos u grindni me zë të lartë. Nëse ju shan dikush ose kërkon të grindet, thuajini: “Jam me agjërim!” [2]
Një hadith tjetër thotë: “Mos shaj kur je me agjërim! Nëse të shan dikush, thuaji: ‘Unë po agjëroj’, dhe nëse je në këmbë, ulu ndenjur.” [3]
Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Kush nuk i lë gënjeshtrat [4], mashtrimin e punët e këqija [5] dhe sjelljen e injorancës, ta dijë se Allahu nuk ia vlerëson lënien e ushqimit dhe të pijes.” [6] Me fjalët ‘dhe sjelljen e injorancës’ ka për qëllim sjelljen me mendjelehtësi.
Nga Aishja (radijAllahu anha) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Agjërimi është mburojë nga Zjarri. Kushdo që gdhihet me agjërim, të mos sillet si mendjelehtë, e nëse dikush sillet ulët ndaj tij, të mos e fyejë dhe të mos e shajë atë, por le t’i thotë: “Unë po agjëroj!”. [7]
Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se ai me shokët e tij kanë qëndruar në xhami gjatë agjërimit, duke thënë: “Po ruajmë të pastër agjërimin tonë!” [8]
Mësime dhe dispozita
1- Agjërimi është shkak për mbrojtje nga Xhehenemi, sepse agjërimi frenon epshet dhe Xhehenemi është ‘i rrethuar’ me gjëra që janë kënaqësi të ndaluara.
2- Agjëruesit i ndalohen fjalët e kota dhe fjalët e pista. Po ashtu, atij i ndalohen marrëdhëniet intime dhe veprimet joshëse që i paraprijnë këtij akti, përveç puthjes dhe përqafimit e përkëdheljes, nëse e përmban epshin.
3- Agjëruesit i ndalohen veprat tipike të injorantëve, si ngritja e zërit, veprimet e ulta prej mendjelehti, polemikat e kota etj.
4- Nëse agjëruesi provokohet me britma, sharje e sulme personale, atij nuk i takon të kundërpërgjigjet me të njëjtën formë, por të ketë parasysh këto norma:
a- Të jetë i butë dhe durimtar.
b- Të mos reagojë me fjalë ndaj provokatorit, në mënyrë që të mos gabojë, pasi në disa transmetime të tjera të hadithit thuhet: “Nëse e fyen ndokush, ai të mos flasë.” [9]
c- T’i përgjigjet provokatorit me fjalët: “Unë po agjëroj!”. Këtë t’ia thotë me zë haptazi, për ta ndalur nga devijimi në sjellje dhe për t’i treguar tjetrit arsyen e mosreagimit, qoftë agjërim i detyrueshëm apo vullnetar. [10]
d- Nëse sulmuesi nuk ndalet, agjëruesi thotë sërish: “Jam me agjërim”, sepse edhe në hadith ashtu përsëritet.
e- Nëse agjëruesi është në këmbë dhe ka mundësi të ulet, atëherë le të ulet, duke zbatuar kështu hadithin e Profetit (alejhi selam). Në këtë mënyrë ulet zemërimi dhe i pritet rruga kundërshtarit të tij dhe shejtanit.
5- Nga hadithet e mësipërme nuk nënkuptohet aspak se sharja, sjellja e keqe, polemikat e kota etj. janë të lejuara jashtë kohës së agjërimit, por theksohet ndalimi i tyre gjatë këtij adhurimi, për arsye se ato janë në kundërshtim të hapur me qëllimin e agjërimit. [11]
6- Në hadithet e mësipërme tregohet madhështia dhe gjithëpërfshirja e fesë Islame. Ato dëshmojnë për rolin e kësaj feje në edukimin e pasuesve të saj me moral të lartë, qoftë edhe ndaj injorantëve e mendjelehtëve. Falënderimi i takon Allahut, i Cili e solli këtë fe dhe na udhëzoi në të!
7- Nëse agjëruesi sulmohet fizikisht nga dikush, qoftë për rrahje apo vrasje, atëherë mund të reagojë për vetëmbrojtje, sepse këtë rast e përfshin e drejta e vetëmbrojtjes ndaj agresorit, por ky rrezik duhet të largohet me formën më të lehtë të mundshme. Domethënë, nuk është e ndaluar që agjëruesi t’i përgjigjet këtij lloj sulmi. [12]
8- Agjërimi i vërtetë është ‘agjërimi’ nga gjynahet, nga gënjeshtrat dhe fjalët e pista, pastaj nga ushqimi, pirja, marrëdhëniet intime dhe (për ata të cilët nuk e përmbajnë veten) përqafimi i grave. [13]
9- Shumica e dijetarve kanë rënë dakord se agjëruesi që bën përgojim, gënjen apo sillet keq me të tjerët, ai nuk e prish atë ditë agjërimi me këtë veprim, por merr gjynah dhe i ulet shpërblimi. [14]
10- Qëllimi i agjërimit nuk është thjesht uria dhe etja, por është kontrolli i epshit, shuarja e zemërimit dhe frenimi i egos nga e keqja, përmirësimi i vetvetes dhe arritja e paqes shpirtërore. Nëse këto nuk arrihen me agjërim, atëherë nuk ka ndryshim mes agjërimit dhe mosagjërimit, pasi ai nuk ka ndikuar aspak te njeriu. [15]
11- Gënjeshtra është baza e paturpësive dhe burimi i gjynaheve. Për këtë arsye, ajo është përmendur krahas me shirkun në ajetin: “Largohuni nga ndyrësitë e idhujve dhe largohuni prej fjalëve të pavërteta.” (Haxh : 30). Dihet se shirku është e kundërta e sinqeritet, ndërsa tipar kryesor i agjërimit është vërtetësia e sinqeriteti, prandaj nëse agjërimi bashkohet me gënjeshtrën, të kundërtën e tij, atëherë ai asgjësohet. [16]
[1] Transmeton Maliku dhe hadithi është sjellë sipas versionit të tij (1/310). Transmeton edhe Buhariu (1795) dhe Muslimi (1151).
[2] Ky transmetim është i Buhariut (1805) dhe i Muslimit (1151).
[3] Ky transmetim është i Nesaiut në Kubra (3259), Tajalisi (2367). Ibn Khuzejme (1994) dhe Ibn Hibani (3483) e quajnë të saktë.
[4] Këtu hyjnë të gjitha gjynahet e gojës si: dëshmia e rremë, shpifja, gënjeshtra, sharja, mallkimi etj.
[5] Këtu përfshihen të gjitha punët e ndaluara të cilat njeriu i bën me gjymtyrë.
[6] Buhariu (5710), Ebu Davudi (2362), Nesaiu në Kubra (3245-3246) dhe Tirmidhiu (707).
[7] Nesaiu (4/167) dhe Tabaraniu në Evset (4179 ). Albani e vlerëson të saktë në sahihun e Nesaiut.
[8] Ahmedi në Ez-Zuhd (178) dhe Ebu Nuejmi në El-Hiljeh (1/382).
[9] Këtë pjesë e përmend Ibn Haxheri në Fet-h, por unë nuk e kam gjet diku tjetër.
Ibn Haxheri përmend se e ka shënuar Ebu Kurre në Sunnen, por këtë libër nuk e kemi në dorë. Gjithësesi, këtë pjesë e kam gjetur në Mu’xhemul Eusat të Taberaniut, por senedi është i dobët.
[10] Kjo çështje ka diskutim në mesin e dijetarëve.
Kush do më shumë informacion lë të kërkojë në librin “Elmufijd fi khutab elxhumati el-ijd”. Më e sakta është ajo që përmenda më sipër dhe kjo është ajo që duket nga fjalët e Kurtubiut në Elmufhim (2/126-127). Ky është qëndrimi Ibn Tejmijje në librin El Minhaxh (5/197) dhe në El Fetava El Kubra (4/460). Kështu mendon dhe Ibn Muflih në librin El Furu (3/66).
[11] Shiko El Mufhim (3/214) dhe El Fet`h (4/104).
[12] Shiko El Fet`h (4/105).
[13] Ehadijth Es-sijam te Adullah Feuzan (75).
[14] Shiko: El Fet`h (4/104) dhe Umdetulkari (10/276).
[15] Këtë shpjegim e ka dhënë Bejdavi, siç përmendet në Fet-h (4/117) dhe Fejd El Kadijr (6/224).
[16] Këtë shpjegim e citon Menavi nga Ettijbi. Shiko: Fejd Kl Kadijr (6/224).