Nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) përcillet se Pejgamberi (alejhi selam) ka thënë: “Agjërimi fillon atë ditë kur agjëroni të gjithë, dita e Fitër Bajramit është atë ditë kur të gjithë bëni fitër bajram dhe dita e Kurbanit është atë ditë kur të gjithë bëni kurban”. Tirmidhiu për këtë hadith ka thënë që është i hasen (mirë përsa i përket gradës së saktësisë), por edhe garib (jo shumë i njohur përsa i përket përhapjes së tij ndër transmetuesit e haditheve). [1]
Ndërsa në një version të Ebu Davudit thuhet: “Dita e Fitër Bajramit është atë ditë kur të gjithë bëni fitër bajram dhe dita e Kurbanit është atë ditë kur të gjithë bëni Kurban.” [2]
Nga Aishja (radijAllahu anha) përcillet se Profeti (alejhi selam) ka thënë: “Dita e Fitër Bajramit është atë ditë kur të gjithë njerëzit bëjnë Fitër Bajram dhe dita e Kurbanit është atë ditë kur të gjithë njerëzit bëjnë Kurban.” [3]
Mësime dhe dispozita
1- Këtu vihen re toleranca dhe lehtësia që karakterizojnë Sheriatin Islam. Ky legjislacion fetar nuk i vë në vështirësi njerëzit dhe për të mësuar kohët e ibadeteve ka caktuar shenja që mund t’i kapin me lehtësi, siç është shikimi i hënës së re.
2- Interesimi i Sheriatit për bashkimin e muslimanëve, duke njësuar për të gjithë ata ditën e hyrjes së Ramazanit, daljes së tij dhe ditët e festave të tyre.
3- Gabimi në gjetjen e saktë të ditës së parë ose të fundit të muajit hënor është i falshëm, nëse njerëzit ndjekin metodën që obligon Allahu e që është shikimi i hënës së re, ose plotësimi i muajit tridhjetë ditë kur nuk shihet hëna. [4]
El Hafidh Ibn AbdulBerri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Dijetarët kanë rënë dakord se, nëse bashkësia gabon në përcaktimin e hënës së muajit Dhul Hixheh dhe qëndron në Arafat në ditën e dhjetë të këtij muaji, quhet periudhë e plotësuar, jo e mangët. Po kështu është edhe me çështjen e ditës së Fitër Bajramit dhe të ditës së Kurban Bajramit.”. [5]
4- Këto hadithe tregojnë se për caktimin e ditës së Bajramit duhet të merret parasyshë fakti që qëndrimi i individëve duhet të jetë në përputhje me njerëzit. Individi duhet të pajtohet me xhematin, edhe nëse e ka parë hënën vetë. Kjo vlen edhe për ditën e parë dhe të fundit të Ramazanit. Ibn Kajjimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Ky hadith tregon se personi që e shikon hënën i vetëm nuk e ka të detyrueshme të marrë për bazë këtë shikim (në kundërshtim me xhematin) në çështjen e fillimit të agjërimit, ditës së Fitër Bajramit apo të ditës së qëndrimit në Arafat.” [6]
Kështu, nëse dikush e shikon hënën e Ramazanit i vetëm, por nuk ia pranojnë dëshminë, ai nuk fillon të agjërojë i vetëm, por fillon atëherë kur fillojnë njerëzit, duke patur të njëjtin gjykimi si ata në këtë çështje, bazuar në domethënien e drejtpërdrejtë të këtyre haditheve. [7]
[1] Për gradën e saktësisë së këtij hadithi Tirmidhiu përdor shprehjen “hasen garib”. Dijetarët e hadithi, si shejh Albani, kanë sqaruar se, kur Tirmidhiu jep një vlerësim të tillë për senedin e hadithit, ai nënkupton që në vetvete senedi është i gradës hasen (i mirë). Kështu pohon Albani në librin “Difa ani sira”. Në një vend tjetër në “sunen” Tirmidhiu e quan këtë sened si sahih. Ne fakt, senedi i këtij hadithi është hasen, por duke marrë parasyshë dhe rrugën tjetër të këtij hadithi, që edhe autori më lart e përmend pas kësaj rruge, hadithi bëhet padiskutimisht i saktë. Për më gjerë mund të shihet libri “Irrvaul galil” i Albanit.
[2] Ebu Davudi (2324), Tirmidhiu (697), Ibn Maxheh (1660), Darekutnij (2/164), Abdurrezaku (7304) dhe Is’haku (496).
[3] Tirmidhiu për këtë hadith ka thënë që është hasen garib dhe sahih nga kjo rrugë. Këtë hadith e shënon edhe Is’haku. Porse një transmetues i dobët në këtë sened ka gabuar dhe ka thënë se hadithi është transmetuar nga Aishja, se në fakt ky hadith është tranametuar veçse nga Ebu Hurejra, sikurse vërtetohet nga rrugët e tjera. Për më gjerë të shihet libri “Irrvaul galil”.
[4] Të njëjtin gjykim ka dhe kur bashkësia e muslimanëve e fillon Ramazanin gabim, e bën ditën e fitrit të bajramit gabim dhe ditën e Kurban Bajramit gabim për shkak se autoriteti që ju shpall muajin me intepretim të gabuar nuk ndjek metodën e caktuar në Sheriat. Ja disa raste kur nuk respektohet metoda e caktuar në Sheriat e që është marrja parasyshë e lajmit të shikimit të hënës së re:
1- Kur autoriteti nuk pranon lajmin e shikimit të hënës së re në një vend tjetër, duke vënë për pranimin e lajmit të shikimit të hënës së re kushte dhe kufij për të cilët nuk ka asnjë argument, e duke kundërshtuar kështu hadithet që urdhërojnë për fillimin e agjërimit kur shihet hëna e re.
2- Kur pranohet lajmi i shikimit të hënës së re brenda një shteti, edhe pse distanca nga një anë e shtetit është shumë e largët nga ana tjetër, dhe nuk pranohet lajmi i shikimit prej një një shteti tjetër kufitar, edhe pse distanca e disa qyteteve prej këtij shteti kufitar është më e shkurtër! E kjo ndodh për shkak se pranohet lajmi brenda atij shteti dhe nuk pranohet prej një shteti tjetër kufitar! Kjo gjë është në kundërshtim me Kur`anin, Sunnetin, dhe ixhmain. Nuk mund të ketë logjikë të shëndoshë që mund ta pranojë këtë metodë përcaktimi si të saktë.
3- Kur hyrja e muajit hënorë bazohet në llogaritë astronomike mbi mundësië e shikimit të hënës së re dhe jo në shikimin real të hënës, gjë që bie ndesh me Kur`anin, Sunnetin dhe ixhmain.
Të gjitha këto pra janë raste gabimesh që vijnë nga bazimi në mendime të gabuara, por që në këtë çështje nuk ka argument për t’i trajtuar ndryshe nga rastet e tjera të gabimit të përmendura më lart apo të përmendura në vende të tjera, përkundrazi hadithi i mësipërm i përfshin të gjitha këto raste gabimi dhe nuk ka argument për ti trajtuar disa gabime ndryshe nga të tjerat në këtë çështje. Ky është dhe qëndrimi i Ibn Tejmijjes, Ibn Bazit dhe Albanit për këtë çështje.
[5] Et-Temhijd (14/356).
Shejh Ibn Bazi:” (Allahu e mëshiroftë!) thotë: Nëse njerëzit gabojnë ndërkohë që kanë punuar me shikimin fetar të hënës, ata kanë shpërblim”. Mexhmu fetava ve resail (15/133).
[6] Tehdhijbus-Sunen (6/317).
[7] Shiko: El-Fetava es-seadijeh (216) dhe Mexhmu fetava ve resail Ibn Baz (15/64-72-73).