Abdullah Ibn Umer Ibn Hattab (radijAllahu anhu) transmeton se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem) të ketë thënë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): Mbi dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, mbi kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, vizitën e Qabes dhe në agjërimin e muajit të Ramazanit.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi.)
1- Fjala e Profetit që thotë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla)”, pasqyron vlerën e madhe që kanë këto shtylla dhe se Islami është i ndërtuar mbi to. Hadithi është një shprehje figurative e krahasur me një ndërtesë, sepse ashtu sikurse një ndërtesë, në të vërtetë, mund të qëndrojë vetëm se duke u mbështetur në shtyllat e saj, në të njëjtën mënyrë edhe Islami është i ngritur mbi këto pesë shtylla. Ai u mjaftua me përmendjen e pesë shtyllave sepse ato janë bazë, ndërsa të tjerat i ndjekin ato.
2- Neveviu e renditi këtë hadith menjëherë pas hadithit të Xhibrilit, i cili i përmbante këto pesë thylla. Ai e bëri këtë për të treguar rëndësinë e këtyre pesë shtyllave dhe se ato janë bazat, mbi të cilat ngrihet Islami. Ndaj në hadith ekziston një përmbajtje shtesë, përtej asaj që u përmend në hadithin e Xhibrilit.
3- Këto pesë shtylla, mbi të cilat është ndërtuar Islami nisin me dy dëshmitë që janë themeli bazë, ndërsa shtyllat e tjera janë të ndërvarura dhe i ndjekin ato. Këto shtylla, apo edhe vepra të tjera nuk vlejnë nëse nuk janë të ndërtuara mbi dy dëshmitë, të cilat janë të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën. Për këtë arsye, kërkohet që njeriu të dëshmojë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, bashkë me dëshminë se nuk ka të adhuruar të vërtetë përveç Allahut.
Ajo që kërkon dëshmia “La ilahe ila Allah” është që të mos adhurohet askush tjetër përveç Allahut. Ndërsa ajo që kërkon dëshmia “Muhamedun Resulullah” është që një adhurim duhet të jetë në përputhje të plotë me atë që solli i Dërguari i Allahut. Këto dy baza duhet të jenë gjithmonë të pranishme me qëllim që çdo vepër që kryen njeriu të pranohet, pra e përsërisim edhe një herë se kërkohet sinqeritet vetëm për Allahun dhe ndjekje e mirfilltë e traditës së të Dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem).
4- Hafidh Ibn Haxheri në librin e tij “Fet’hul Bari” (1/50) thotë: “Nëse dikush pyet se përse në hadith nuk është përmendur besimi tek pejgamberët, melaiket etj, ashtu siç i përfshiu hadithi i Xhibrilit (alejhi selam), iu përgjigjemi se qëllimi i dëshmisë është pranimi i çdo gjëje që vjen nga Profeti, për këtë arsye kërkohet që të besojnë çdo gjë që është përmendur rreth besimit.”
Ismaili, në një fjalë të tij thotë: “Kjo përfshihet në atë që quhet emërtimi i diçkaje me një pjesëz të saj, siç mund të thuash: Lexova “Elhamin (Fatihan)” dhe ke për qëllim të gjithë Fatihanë.” E njëjta gjë thuhet p.sh: Dëshmova për profetësinë e Muhamedit dhe ke për qëllim të gjitha ato që u përmendën.”
5- Shtylla më e rëndësishme që renditet pas dy dëshmive është namazi. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e ka cilësuar atë si shtyllë të Islamit, siç është transmetuar në hadithin e porosisë që Profeti i jep Muadh Ibn Xhebelit (radijAllahu anhu), i cili është hadithi i njëzetë e nëntë në renditjen e këtyre dyzet haditheve.
Gjithashtu, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) na ka lajmëruar se: “Namazi është gjëja e fundit që do të humbasë kjo fe, vepra e parë për të cilën do të pyeten njerëzit përpara Allahut të Madhëruar dhe ai që e dallon muslimanin nga jomuslimani.” (Sahih Muslim nr. 134) Kryerja e namazit bëhet në dy mënyra. Mënyra e parë është e detyrueshme dhe do të thotë të realizosh të paktën detyrimin, i cili largon nga ti përgjegjësinë dhe llogarinë. Mënyra e dytë është ajo e preferuara, e cila nënkupton plotësimin e tij me çdo gjë që është e pëlqyeshme të veprohet në namaz.
6- Zekati gjithmonë vjen i shoqëruar me namazin, si në ajetet kuranore, ashtu edhe në hadithe. Allahu i Madhëruar thotë në Librin e Tij: “… dhe nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë lërini të lirë.” (Teube, 5) Dhe thotë: “… dhe nëse ata pendohen, e falin namazin dhe e japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe.” (Teube, 11) Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Ata nuk i urdhëruam me gjë tjetër vetëm se të adhuronin Allahun me adhurim të sinqertë, të largoheshin nga çdo besim i kotë, të falnin namazin dhe të jepnin zekatin, sepse kjo është feja e drejtë.” (Bejine, 5)
Zekati është adhurim material, dobia e të cilit u shkon edhe të tjerëve. Allahu i Madhëruar e ka obliguar atë për të pasurit, në atë mënyrë që të përfitojnë edhe të varfërit. Zekati, kurrsesi nuk e dëmton të pasurin, kjo për shkak se nga pasuria e tij jepet një përqindje shumë e vogël e një sasie shumë të madhe parash.
7- Agjërimi i muajit të Ramazanit është adhurim trupor i fshehtë midis njeriut dhe Krijuesit dhe atë nuk e njeh askush përveç Allahut të Madhëruar. Ka njerëz që ti mendon se agjërojnë, por në të vërtetë nuk agjërojnë e po ashtu, ka njerëz që agjërojnë nafile dhe njerëzit mendojnë se ai nuk agjëron. Për këtë arsye, në një hadith të saktë është transmetuar: “Njeriu shpërblehet për punën e tij të mirë, dhjetë, deri në shtatëqindfish.”
Allahu i Madhëruar tha: “Me përjashtim të agjërimit, i cili kryhet vetëm për Mua dhe Unë shpërblej për të (pa llogari).” (Buhariu nr. 1894, Muslimi nr. 164) Të gjitha veprat e njeriut duhet të kryhen për hir të Allahut. Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime, janë vetëm për Allahun, Zotin e botëve. Ai nuk ka shok. Kështu jam urdhëruar dhe jam i pari i muslimanëve.” (Enam, 162) Por, në këtë hadith u veçua agjërimi për shkak të fshehtësisë që ka ky adhurim, të cilin nuk e njeh askush, përveç Allahut.
8 – Haxhi (vizita e shtëpisë së shenjtë) është një adhurim material dhe trupor njëkohësisht, të cilin Allahu i Madhëruar ia ka obliguar çdo njeriu një herë të vetme në jetë. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) në një prej haditheve të tij, duke treguar për rëndësinë e tij ka thënë: “Kush e kryen Haxhin, duke mos e përzier atë me fjalë të pista ose vepra të ndaluara, kthehet sikur ta kishte lindur nëna e tij edhe një herë.” (Buhariu nr. 1820) Gjithashtu ka thënë: “Kryerja e Umreve njëra pas tjetrës i fshin mëkatet ndërmjet tyre, ndërsa Haxhi i pranuar tek Allahu, nuk ka shpërblim tjetër përveç Xhenetit.” (Muslimi nr. 1349)
9 – Ky hadith me fjalitë e tij e rendit Haxhin para agjërimit. Me këtë renditje e transmetoi edhe Buhariu në fillimet e kapitullit të imanit në Sahihun e tij dhe në bazë të tij, ai renditi librin e tij “El Xhamiu Sahih”, duke i dhënë përparësi kapitullit mbi Haxhit kundrejt kapitullit të agjërimit. Ndërsa në librin e saktë të “Muslimit” është transmetuar ky hadith me nr. 19, dhe ka renditur agjërimin para Haxhit, si dhe në një version tjetër ka renditur Haxhin para agjërimit. Në versionin e parë Ibn Umeri pohon se ajo që ka dëgjuar nga Profeti (salAllahu alejhi ue selem) është renditja e agjërimit përpara Haxhit.
Duke u nisur nga ky fakt themi se renditja e Haxhit para agjërimit është bërë nga transmetuesit, të cilët mund ta kenë transmetuar hadithin me nënkuptim. Ndërsa hadithi i Ibn Umerit në Sahihun e Muslimit vjen në këtë mënyrë: “Islami është i ndërtuar mbi pesë (shtylla): mbi njësimin e Allahut, kryerjen e namazit, dhënien e zekatit, agjërimin e muajit Ramazan dhe kryerjen e Haxhit.” Dikush pyeti: “Haxhi dhe më pas agjërimi i Ramazanit? Ai iu përgjigj: “Përkundrazi agjërimi i Ramazanit dhe Haxhi, kështu e kam dëgjuar nga i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem).”
10- Pesë shtyllat e Islamit janë përmendur të radhitura sipas rëndësisë që ka secila prej tyre. Në fillim vjen Shehadeti, i cili është bazë e çdo vepre që të afron tek Allahu i Madhëruar. Më pas renditet namazi, i cili falet pesë herë gjatë një ditë – nate, pra është një lidhje e fortë ndërmjet njeriut dhe Krijuesit. Më pas vjen zekati, i cili obligohet vetëm atëherë kur pasuria arrin një vlerë të caktuar sipas Sheriatit, duke qenë e palëvizshme gjatë një viti, sepse dobia e saj u kalon edhe të tjerëve. Pastaj vjen agjërimi, i cili obligohet vetëm një muaj në vit. Dhe në fund përmendet Haxhi, i cili është detyrë vetëm një herë në jetë.
11- Në Sahihun e Muslimit transmetohet se Ibn Umeri e tregoi këtë hadith në kohën kur dikush e pyeti dhe ai iu përgjigj: “A nuk shkon në luftë?” – E më pas tregoi hadithin. E bëri këtë për të treguar se Xhihadi nuk është prej shtyllave të Islamit, kjo për faktin se këto pesë shtylla janë të pandara për çdo njeri, ndryshe nga Xhihadi i cili është farz kifaje (obligim kolektiv), i cili nuk ndërmerret në çdo kohë.
Disa prej dobive që përfitojmë nga ky hadith janë:
- Rëndësia e këtyre pesë shtyllave, duke qenë se Islami është ndërtuar mbi to.
- Përdorimi i shprehjeve figurative kundrejt shembujve realë, me qëllim që të fiksohen më mirë nga njerëzit.
- Gjithçka duhet nisur nga gjërat më të rëndësishme, e kështu me radhë.
- Dy dëshmitë janë bazë në vetvete dhe bazë për gjërat e tjera. Për këtë arsye nuk pranohet një vepër, nëse ajo nuk është e ndërtuar mbi këto dy dëshmi.
- Shihet prioriteti që i jepet namazit krahas veprave të tjera sepse ai është një lidhje e ngushtë mes robit dhe Zotit të tij.