Gjithashtu Omeri (radijAllahu anhu) transmeton: “Një ditë kur ishim ulur tek i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem), papritur u shfaq një njeri me rroba shumë të bardha dhe flokë shumë të zinj. Në pamjen e tij nuk dukeshin shenja udhëtari dhe askush nga ne nuk e njihte. Ai u ul pranë Profetit (salAllahu alejhi ue selem), afroi gjunjët e tij me të Profetit, vendosi duart mbi gjunjët e tij dhe filloi ta pyeste: “O Muhamed! Më trego çfarë është Islami?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) u përgjigj: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të vizitosh shtëpinë e shenjtë (Qaben), nëse ke mundësi”. Njeriu i huaj tha: “Të vërtetën the!” Omeri (radijAllahu anhu) tha: “Ne mbetëm të habitur nga mënyra se si ai pyeste dhe vetë i miratonte fjalët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem).”
Më pas vazhdoi: “Më trego çfarë është imani (besimi)?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat që Ai zbriti, profetët e dërguar, Ditën e fundit dhe të besosh Kaderin, qoftë i mirë apo i keq.” Njeriu i huaj përsëri tha: “Të vërtetën ke thënë!” Pastaj pyeti: “Më trego çfarë është ihsani?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai me të vërtetë të shikon ty.” Njeriu i huaj tha: “Më trego kur do të ndodhë Dita e Gjykimit?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) iu përgjigj: “I pyeturi nuk ka njohuri më shumë nga ai që pyet.” Tha: “Atëherë më trego për shenjat që lajmërojnë afrimin e saj.” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Do të ndodhë atëherë kur robëresha të lindë zotërinë e saj, dhe kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur, të cilët ndërtojnë ndërtesa të larta.”
Omeri (radijAllahu anhu) vazhdoi të tregonte: “Më pas, ky njeri u largua dhe pas një kohe të gjatë, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) më tha: “A e di kush ishte ai që pyeste o Omer?” Iu përgjigja: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë.” Atëherë Profeti (salAllahu alejhi ue selem) më tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” (Transmeton Muslimi)
1- Në transmetimin e hadithit të Xhibrilit të transmetuar nga Omeri është veçuar Muslimi kundrejt Buhariut. Por transmetimet e tyre rreth këtij hadithi janë përputhur në kohën kur e transmetuan nga Ebu Hurejra. Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!) librin e tij “Dyzet hadithet” e nisi me hadithin e Omerit “Veprat vlerësohen sipas qëllimeve”, i cili është hadithi i parë në Sahihun e Buhariut. Pas tij, shënoi përsëri hadithin e Omerit që tregon ardhjen e Xhibrilit tek Profeti (salAllahu alejhi ue selem), e që është hadithi i parë në Sahihun e Muslimit. Kështu veproi para tij edhe Imam Begavi, i cili dy librat e tij me tituj: “Sherhu Suneh” dhe “Mesabihu Suneh”, i filloi me këto dy hadithe. Këtë hadith e kam trajtuar në një koment të veçantë, i cili është shumë më i gjerë se komenti që do përmendim këtu.
2- Ky është hadithi i parë në kapitullin e Imanit të Sahihut të Muslimit dhe atë e tregon Abdullah ibn Omeri nga babai i tij. Transmetimi i këtij hadithi përmban një ndodhi, të cilën Muslimi e përmend para këtij hadithi nga Jahja ibn Jamer, i cili transmeton duke thënë: “Njeriu i parë që mohoi kaderin ishte Mabed el Xhuheni nga qyteti i Basras. Në atë kohë unë dhe Humejd ibn AbduRrahman el-Humejri u nisëm për Haxh ose për Umre. Atje i thamë njëri-tjetrit: “Sikur të takonim ndonjë nga shokët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) dhe ta pyesnim për fjalët e këtyre njerëzve që flasin për kaderin. Rastësisht, aty hasëm Abdullah ibn Omerin, i cili po hynte në xhami. Shkuam tek ai dhe e rrethuam një nga ana e djathtë dhe një nga e majta.
Unë e dija se shoku im do më linte mua të flisja, prandaj nisa ta pjyes: “O babai i AbduRrahmanit! Tek ne janë shfaqur disa njerëz, të cilët e lexojnë Kur’anin dhe e kërkojnë dijen (dhe përmend shumë cilësi të tyre), por ata pretendojnë se nuk ekziston Kaderi dhe se Dija e Allahut nuk i përfshin punët që kanë për të bërë njerëzit në të ardhmen!” Ibn Omeri (radijAllahu anhu) kur i dëgjoi këto fjalë tha: “Nëse të bie rasti t’i takosh ata njerëz, atëherë lajmëroi se unë jam larg nga mendimet e tyre dhe ata janë larg prej meje. Betohem në Allahun, se nëse ndonjë prej tyre ka një mal me flori sa ai i Uhudit dhe e jep lëmoshë, Allahu kurrë nuk do e pranojë këtë vepër, derisa ai të besojë në Kader.” Më pas vazhdoi të tregonte: “Babai im, Omer Ibn Hattabi, më ka treguar…” – dhe tregoi hadithin për t’u argumentuar me të për besimin në Kader.
Nga kjo ndodhi kuptojmë se risia (bidati) e mohimit të Kaderit për herë të parë u shfaq në Basra (Irak), në kohën e sahabëve dhe pikërisht në kohën e Ibn Omerit (radijAllahu anhu), i cili ka ndërruar jetë në vitin 73H. Gjithashtu mësojmë kujdesin që tregonin tabiinët për t’i pyetur shokët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) në çështje që kanë të bëjnë me fenë, e kjo është shumë e domosdoshme që të kthehemi tek dijetarët në çdo kohe sepse Allahu i Madhëruar thotë: ”E nëse nuk dini, atëherë pyesni njerëzit e ditur.” (Enbija, 7) Mësojmë gjithashtu se bidati i Kaderive (mohuesve të paracaktimit të Allahut) është bidati më i keq, këtë e themi duke u bazuar në fjalët goditëse që tha Ibn Omeri për këtë bidat. Ndërsa kur myftiu përmend një gjykim, duhet që atij t’i bashkangjisë edhe argumentin përkatës.
3- Hadithi i Xhibrilit pohon faktin se kur engjëjt vijnë tek njerëzit, shndërrohen në formën e njerëzve. Diçka e tillë është përmendur edhe në Kur’an, p.sh. ardhja e Xhibrilit te Merjemja në formën e një burri, apo takimi që bënë engjëjt me Ibrahimin dhe Lutin (alejhimu selam). Pra, ata me fuqinë që iu ka dhënë Allahu i Madhëruar kanë mundësi të ndryshojnë formën e tyre nga ajo engjëllore, në atë njerëzore.
Allahu i Madhëruar në Librin e Tij kur tregon për krijimin e engjëjve thotë: ”Falënderimet i përkasin vetëm Allahut, Krijuesit të qiejve e të tokës, Sajuesit të engjëjve me nga dy palë, tri palë dhe katër palë krahë. I zgjodhi ata si ndërmjetësues (ndërmjet njerëzve dhe Allahut). Ai shton në krijimin e Tij çfarë të dojë.” Ndërsa në Sahihun e Buhariut me nr. 4857 dhe të Muslimit me nr. 280, transmetohet se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e ka parë Xhibrilin të kishte gjashtëqind krahë.
4- Nga ardhja e Xhibrilit dhe ulja e tij pranë Profetit (salAllahu alejhi ue selem), kuptojmë se si duhet të jetë morali i nxënësit të dijes me mësuesin e tij dhe se ai që pyet, nuk duhet të mjaftohet vetëm duke pyetur për gjërat që nuk ka njohuri. Përkundrazi, ai duhet të pyesë edhe për çështjet që mund t’i dijë shumë mirë, me qëllim që të pranishmit të përfitojnë nga përgjigja që do të jepet. Për këtë arsye, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) në fund të hadithit këtë mësim ia atribuon Xhibrilit, duke thënë: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.” Në të vërtetë mësimdhënia u krye nga Profeti (salAllahu alejhi ue selem), por iu atribua Xhibrilit sepse ai qe nxitësi për të dhënë atë mësim.
5-“O Muhamed, më trego çfarë është Islami!”, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) iu përgjigj: “Islami është të dëshmosh se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh Zekatin, të agjërosh muajin e Ramazanit dhe të vizitosh shtëpinë e shenjtë (Qaben), nëse ke mundësi.” Pyetjes së parë të Xhibrilit për Islamin, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) i përgjigjet, duke përmendur veprat e dukshme të njeriut, ndërsa kur u pyet për imanin, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) përmendi veprat e padukshme të njeriut.
Imani dhe Islami janë dy fjalë që kur përmenden së bashku, secila prej tyre merr kuptimin përkatës. Në këtë hadith Islami dhe Imani erdhën të radhitura dhe secila mori kuptimin e saj. Pra, Islami ka të bëjë me veprat e dukshme të njeriut dhe është shumë i përshtatshëm me kuptimin gjuhësor të tij, për shkak se Islam do të thotë: “Dorëzim dhe bindje ndaj Allahut të Madhëruar”. Ndërsa Imani merr kuptimin veprave të padukshme të njeriut, i cili është gjithashtu shumë i përshtatshëm me kuptimin gjuhësor të tij: “Besim dhe pranim”.
Islami dhe Imani mund të vijnë edhe të ndarë nga njëri tjetri, gjë që e bën secilin prej tyre të përmbajë kuptimin e tjetrit (d.m.th. veprat e dukshme dhe ato të padukshme). Ja një shembull konkret ku përmendet vetëm Islami, Allahu i Madhëruar thotë: ”E kush kërkon fe tjetër përveç Islamit, atij kurrsesi nuk ia pranojmë dhe në Ditën e Gjykimit ai mbetet i dështuar.” (Ali Imran, 85) Ndërsa shembulli që përmend vetëm Imanin është fjala e Allahut të Madhëruar: ”Ai i cili mohon imanin ka shkatërruar punën e tij dhe në Ditën e Gjykimit do të jetë nga të dështuarit.” (Maide, 5) Fjalë të ngjashme me këto (Islamin dhe Imanin) janë edhe: i varfëri dhe nevojtari, bamirësia dhe tekvaja (devotshmëria), etj.
Gjëja e parë me të cilën përmblidhet Islami është dëshmia: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë, përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij.” Këto dy dëshmi janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën, prandaj kërkohet që ta pranojë çdo njeri apo xhind, duke filluar nga dita kur u dërgua si profet Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem), e deri në Ditën e Gjykimit. Ai që nuk beson në profecinë e Muhamedit (salAllahu alejhi ue selem) do të jetë nga banorët e zjarrit. Argument për këtë është fjala e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) që thotë: “Betohem në Atë, i Cili ka në dorë shpirtin tim, se çdo njeri, qoftë jahudi apo i krishterë që dëgjon për mua dhe vdes, duke mos i besuar profecisë me të cilën u dërgova, ai do të jetë nga banorët e zjarrit.” (Muslimi me nr. 240)
Fjala ”LA ILAHE ILLA ALLAH” do të thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut”. Kjo fjali është e ndërtuar nga dy pjesëza: njëra shpreh mohim të përgjithshëm në fillim të fjalisë “LA ILAHE” dhe tjetra pohim të veçantë në fundin e saj “ILLA ALLAH”.” Që do të thotë se te pjesa e parë mohohet çdo adhurim që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut, ndërsa pjesa tjetër pohon vetëm adhurimin që i bëhet Allahut, sepse vetëm Ai e meriton diçka të tillë. Nuk është e saktë të thuhet: “Nuk ka Zot tjetër përveç Allahut” kjo për faktin se zotëra të kotë njerëzit kanë plot, por ajo që duhet të mohohet (në këtë dëshmi) është adhurimi i vërtetë, që duhet t’u mohohet të gjithëve përveç Allahut, dhe në të njëjtën kohë ky adhurim i vërtetë të pohohet vetëm për Allahun.
Kuptimi i pjesës së dytë të Shehadetit “MUHAMMEDUN RESULULLAH” është ta duash Profetin (salAllahu alejhi ue selem) më shumë se çdo krijesë tjetër, t’i bindesh në gjërat që ai urdhëron dhe të largohesh nga gjërat që ndalon. Të besosh lajmet që sjell, qofshin për kohën e tij, për të ardhmen, apo për të tashmen, edhe nëse nuk shihen e arrihen, dhe ta adhurosh Allahun në përputhje me udhëzimin e tij. Sinqeriteti në kryerjen e një vepre për hir të Allahut dhe pasimi i rrugës profetike, formojnë atë që quhet dëshmi: “La ilahe illa Allah Muhammedun Resulullah.”
Për këtë arsye, një vepër që të pranohet tek Allahu duhet të plotësojë dy kushte:
- të kryhet me sinqeritet për hir të Allahut,
- të kryhet në përputhje me Sunetin (rrugën, traditën) e të Dërguarit (salAllahu alejhi ue selem).
Nëse një vepër nuk kryhet me sinqeritet për hir të Allahut, atëherë ajo refuzohet dhe tek Allahu nuk pranohet. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”Ne do iu kthehemi veprave që bënë ata dhe do i bëjmë ato hi e pluhur.” (Furkan, 23) Gjithashtu, në një hadith Kudsij (të shenjtë) Allahu i Madhëruar ka thënë: “Unë jam më i panevojshmi për ortak. Prandaj kush kryen një vepër duke më shoqëruar ortak, Unë do ta braktis atë dhe ortakun e tij.“ (Muslimi me nr. 2985)
Nëse një vepër nuk kryhet në përputhje me rrugën e Profetit (salAllahu alejhi ue selem), atëherë edhe kjo punë refuzohet. Argument është hadithi i Profetit (salAllahu alejhi ue selem) i cili thotë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk i përket asaj, atëherë ajo vepër nuk pranohet (nga Allahu)”. (Buhariu me nr. 2698)
Ndërsa në versionin që transmeton Muslimi, Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Kush bën një vepër që nuk përputhet me fenë tonë, ajo do t’i refuzohet”. (Muslimi me nr. 1718) Fjalia e dytë është më përgjithësuese se e para sepse përfshin çdokënd që praktikon ndonjë bidat, pasi e ka shpikur vetë, gjithashtu edhe atë që e praktikon ndonjë bidat duke ndjekur dikë tjetër që e praktikon atë. Rreth namazit, zekatit, agjërimit dhe Haxhit, do të flasim kur të përmendim hadithin e Ibn Omerit ku thuhet: “Islami është i ndërtuar mbi pesë shtylla”, radhitja e të cilit është menjëherë pas hadithit që po komentojmë.
6- “Të vërtetën the o Muhamed.” Omeri tha: “Ne mbetëm të habitur nga mënyra se si ai pyeste dhe në të njëjtën kohë miratonte fjalët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem).”
Kjo habi vjen duke qene se në shumicën e rasteve ai që pyet nuk e di përgjigjen e pyetjes sepse ai pyet për të arritur tek përgjigja. Si i tillë pyetësi nuk duhej që t’i miratonte përgjigjen: “Të vërtetën the” sepse tregon që pyetësi e di përgjigjen para se ta tregonte i pyeturi. Për këtë arsye, sahabët mbetën të habitur nga miratimi që bëri pyetësi, e që ishte i huaj.
7- “Më trego çfarë është imani (besimi)?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Të besosh Allahun, engjëjt e Tij, librat që Ai zbriti, profetët e dërguar, Ditën e Fundit, si dhe të besosh kaderin, qoftë i mirë apo i keq.”
Përgjigja e dhënë nga Profeti (salAllahu alejhi ue selem) përmbledh gjashtë shtyllat e besimit. Shtylla e parë dhe më e rëndësishmja është besimi në Allahun e Madhëruar. E themi këtë sepse të besuarit është baza e çdo besimi që duhet besuar, për këtë arsye bashkë me të u përmendën edhe besimi në engjëjt, librat dhe profetët. E ai që nuk beson te Allahu, ai nuk i ka besuar edhe shtyllave të tjera të besimit.
Besimi te Allahu përmbledh besimin në ekzistencën e Tij (teuhidi rububijeh), besimi i sigurtë se vetëm Ai meriton të adhurohet (teuhidi uluhijeh) dhe së fundi besimi në emrat dhe cilësitë e Tij (teuhidi esma ue sifat). Allahu është i cilësuar me të gjitha cilësitë e plota që i përkasin vetëm Atij, e nga ana tjetër është i Pastër nga çdo e metë. Për këtë arsye kërkohet që Allahu të njësohet në rububijen, uluhijen, në emrat dhe cilësitë e Tij. Njësimi i Allahut në teuhidin rububijeh, në kuptim më të gjerë do të thotë: të besosh se Allahu është i Vetëm në veprat që bën. Pra, Ai nuk ka ortak në atë që vepron p.sh. në krijim, furnizim, në dhënien jetë apo vdekjen e krijesave, në kontrollin absolut të gjithësisë, e shumë çështje të tjera, të cilat kanë lidhje me rububijen e Tij.
Teuhidi uluhijeh do të thotë: Njësimi i Allahut në veprat e krijesave. Shembull për këtë lloj teuhidi është: lutja, frika, shpresa, të mbështeturit vetëm tek Allahu, kërkimi i ndihmës dhe mbrojtjes vetëm nga Ai, të bësh kurban dhe të zotohesh vetëm me emrin e Tij, e shumë adhurime të tjera, për të cilat kërkohet kategorikisht t’ia kushtojmë vetëm Atij. Në këtë mënyrë, asnjë prej adhurimeve nuk duhet t’i drejtohet dikujt tjetër veç Allahut të Madhëruar, edhe nëse ai është engjëll i afërt, apo profet i dërguar, e jo më për krijesa apo objekte.
Teuhidi esma ue sifat do të thotë: Të pohosh çdo gjë që Allahu ka pohuar për Veten e Tij, apo atë që Profeti ka pohuar për emrat dhe cilësitë e Tij, në mënyrën që përshtatet dhe i përket përsosmërisë dhe madhështisë së Tij, pa i shëmbëllyer ato me të krijesave dhe pa i shtrembëruar, interpretuar apo mohuar. Duhet të kemi parasysh që Allahun ta veçojmë nga të gjitha gjërat që nuk kanë të bëjnë me Të, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar në librin e Tij: “Asnjë send nuk i ngjan Atij, ndërsa Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.” Në këtë ajet Ai bashkoi mes pohimit dhe përsosmërisë. Pohimi vërehet në fjalën e Allahut që thotë: “Ai është Dëgjuesi, Shikuesi.”
Ndërsa përsosmëria vërehet në fjalën e Tij kur thotë: “Asnjë send nuk i ngjan Atij”.
Pra, Allahu i Madhëruar ka dëgjim dhe shikim që nuk ngjason me atë të krijesave. E njëjta gjë është për të gjitha emrat dhe cilësitë e pohuara për Allahun e Madhëruar.
Besimi tek engjëjt do të thotë të besosh se janë krijesa të Allahut të krijuara prej dritës, ashtu siç transmetohet në Sahihun e Muslimit se i Dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Engjëjt janë krijuar nga drita, xhindët nga zjarri, ndërsa Ademi është krijuar nga ajo që u është cilësuar (nga balta).” (Muslimi me nr. 2996)
Ata janë të pajisur me krahë, ashtu siç është përmendur në ajetet e para të Sures Fatir, ndërkohë që Xhibrili posedon gjashtëqind krahë, sikurse është saktësuar në një hadith të Profetit, të cilin e kemi përmendur më parë. Engjëjt janë krijesa të panumërta. Numrin e tyre nuk e di askush përveç Allahut të Madhëruar. Ajo që e pohon këtë është se Bejtul Me’amurin (shtëpinë e shenjtë në qiell) që ndodhet në qiellin e shtatë, “e vizitojnë çdo ditë nga shtatë dhjetë mijë engjëj, të cilëve nuk iu bie më radha ta vizitojnë herë tjetër (për shkak të numrit të madh të tyre).“ (Buhariu me nr. 3207 dhe Muslimi me nr. 259)
Muslimi në Sahihun e tij transmeton nga Abdullah ibn Mesudi (radijAllahu anhu) se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ditën e Gjykimit, Xhehenemi do të sillet me shtatëdhjetë mijë zinxhirë dhe në krye të çdo zinxhiri do të ketë shtatëdhjetë mijë engjëj që do ta tërheqin.” (Muslimi me nr. 2842)
Engjëjt bëjnë punë të ndryshme. Disa janë të preokupuar me çështjet e shpalljes (vahjit), disa me çështjet e shiut, disa me ecurinë e foshnjës në mitrën e nënës dhe disa të tjerë me marrjen e shpirtrave, me Xhenetin dhe Zjarrin, etj. Engjëjt janë të përulur dhe të nënshtruar ndaj urdhërave të Allahut. Ata veprojnë sipas asaj që janë urdhëruar. Në Librin e Allahut dhe në Sunetin e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) janë përmendur disa emra të engjëjve, p.sh. Xhibril, Mikail, Israfil, Malik, Munker dhe Nekir. Është detyrë të besojmë në ekzistencën e engjëjve, si atyre që iu përmenden emrat, ashtu edhe atyre që nuk iu përmenden. Gjithashtu, është detyrë të besojmë çdo gjë që ka zbritur për ta në ajetet kuranore dhe hadithet profetike.
Të besosh në librat e Allahut do të thotë të pranosh dhe të besosh çdo libër të zbritur te profetët nga Allahu i Madhëruar. Madje, duhet të jemi të bindur se janë të vërtetë, janë Fjalë e Allahut dhe nuk janë të trilluar. Librat e Allahut përmbajnë gjithçka që është e nevojshme për t’u sjellë lumturi njerëzve (popujve) ku kanë zbritur ato libra. Ata që kapen fort pas tyre janë të sigurt dhe fitimtarë, ndërsa ata që nuk i zbatojnë kanë humbur dhe janë shkatërruar. Disa nga këta libra janë përmendur e disa të tjerë jo. Librat që janë përmendur janë: Kur’ani, Tevrati, Inxhili, Zeburi, fletushkat e Ibrahimit dhe Musait. Këto të fundit janë përmendur në dy vende në Kur’an, në suren en-Nexhm dhe el-A’la. Po ashtu, edhe Zeburi është përmendur në dy vende, në suren en-Nisa dhe el-Isra.
Tevrati dhe Inxhili janë përmendur shumë herë në Kur’an. Libri që është përmendur më shumë është Tevrati, ndërkohë, edhe profeti që është përmendur më shumë është Musai (alejhi selam). Libri që iu shpall Musait është përmendur me emra të ndryshëm, si p.sh. Tevrat, El-Kitab (libri), El-Furkan (dalluesi), Ed-Dija (drita) dhe Edh-Dhikr (përkujtimi). Prej gjërave që e dallojnë Kur’anin nga librat e tjerë është se Kur’ani është mrekullia e përhershme, Allahu e ka marrë përsipër ruajtjen e tij, ai është i pastër nga cdo lloj shtrembërimi dhe se ka zbritur pjesë-pjesë.
Të besosh te profetët do të thotë: të pranosh dhe të jesh i bindur se Allahu i Madhëruar ka zgjedhur disa njerëz (profetë), të cilët i udhëzojnë njerëzit në rrugën e drejtë dhe i nxjerrin ata nga errësirat në dritë. Allahu i Madhëruar në Librin e tij thotë: “Allahu zgjedh të dërguar nga melaiket dhe nga njerëzit.”
Në mesin e xhindëve nuk ka pasur profetë, por vetëm këshillues. Për këtë Allahu i Madhëruar në librin e Tij thotë: “Përkujto kur disa xhindë i drejtuam te ti për të dëgjuar Kur’anin dhe kur u afruan dhe e dëgjuan atë, i thanë njëri-tjetrit: “Heshtni!” Kur mbaroi u kthyen te populli i tyre dhe e këshilluan duke iu thënë: “O populli ynë! Ne dëgjuam një libër të shpallur (të zbritur) pas atij të Musait, i cili e vërteton atë, udhëzon për në të vërtetën dhe për në rrugën e drejtë. O populli ynë! Përgjigjjuni thirrësit të Allahut dhe besojini atij, sepse Allahu i fal mëkatet tuaja dhe ju shpëton nga dënimi i rëndë. Ai që nuk i përgjigjet atij që thërret për në rrugën e Allahut, ai nuk është i pamposhtur në tokë. Të tillët janë në humbje të qartë!” (Ahkaf, 29-32)
Në këtë ajet xhindët nuk përmendën ndonjë profet që të jetë dërguar prej tyre e as ndonjë libër, përkundrazi, ata përmendën dy libra të zbritur tek Musai dhe Muhamedi (alejhimu selem). Ata nuk e përmendën Inxhilin, i cili ka zbritur pas Musait, kjo për shkak se shumë dispozita që përmenden në Inxhil janë të përmendura në Tevrat. Ibn Kethiri duke komentuar këto ajete thotë: “Ata nuk e përmendën Isain sepse libri i shpallur tek ai përmban vetëm këshilla, morale dhe shumë pak ligje. Inxhili në të vërtetë është plotësim i Tevratit, pra baza është Tevrati. Për këtë arsye xhindët thanë: “Ne dëgjuam një libër të shpallur pas atij të Musait.”
Profetët e Allahut janë të urdhëruar për kumtimin dhe sqarimin e shpalljeve që u janë zbritur. Për këtë, Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: “Ne i dërguam të Dërguarit tanë me dokumente të qarta dhe me ta zbritëm Librin dhe drejtësinë.” (Hadid, 25)
Libri i përmendur në ajet është emër i përgjithshëm dhe përfshin të gjithë librat. Profetët ishin ata që u urdhëruan të kumtojnë legjislacionin e një profeti para tyre, siç thotë Allahu i Madhëruar: “Ne kemi dërguar Tevratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut i gjykonin hebrejtë, por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e librit të Allahut.” (Maide, 44)
Ata e kyen më së miri detyrën që ju caktoi Allahu i Madhëruar sepse e kumtuan në formën më të mirë dhe më të plotë atë që u shpalli Allahu. Argument për këtë është fjala e Allahut që thotë: “A mos kanë obligim tjetër të Dërguarit, përveç se t’i njoftojnë njerëzit qartë?” (Maide, 99)
Gjithashtu, në një ajet tjetër thotë: “E ata që nuk besuan vijnë grupe-grupe në Xhehenem dhe kur arrijnë aty dyert e tij hapen dhe roja i tij thotë: “A nuk u erdhën të dërguar nga mesi juaj, t’ju lexojnë shpalljet e Zotit tuaj dhe t’ju këshillojnë për ballafaqimin e kësaj dite?” Ata thonë: “Po, por vendimi për dënim bëhet realitet ndaj jobesimtarëve.” (Zumer, 71)
Imam Zuhriu ka thënë: “Allahu i Madhëruar zbret shpalljen e Tij dhe i Dërguari (salAllahu alejhi ue selem) është i detyruar ta kumtojë atë, ndërsa për ne nuk mbetet gjë tjetër vetëm se ta pranojmë”. Këto fjalë, Buhariu i përmendi në Sahihun e tij bashkë me “Fet’hul Barin” (13/503) në kreun e Teuhidit dhe pikërisht në komentin e ajetit: “O ti i dërguar, kumtoje atë që t’u zbrit nga Zoti yt, e nëse nuk e bën, atëherë nuk e ke kumtuar shpalljen e Tij.” Disa profetë janë përmendur me emra në Kur’an, ndërsa disa të tjerë jo. Allahu i Madhëruar thotë: “Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem.” (Nisa, 164)
Profetët që janë përmendur në Kur’an janë njëzet e pesë, tetëmbëdhjetë prej të cilëve janë përmendur në suren E’nam: “Këto janë argumentet Tona që ia dhamë Ibrahimit kundër popullit të tij, Ne ngremë në shkallë të lartë atë që duam. Zoti yt çdo gjë e vë në vendin e vet dhe Atij asgjë nuk mund t’i fshihet. Ne atij (Ibrahimit) i falëm Is’hakun dhe Jakubin dhe secilin prej tyre e udhëzuam. Më parë edhe Nuhun e patëm udhëzuar. E nga pasardhësit e tij (Ibrahimit) udhëzuam Daudin, Sulejmanin, Ejubin, Jusufin, Musain dhe Harunin. Ne kështu i shpërblejmë bamirësit. Shpërblyem edhe Zekerian, Jahjan, Isain dhe Iljasin, të gjithë këta ishin prej të mirëve të përsosur. Shpërblyem edhe Ismailin, Eljesan, Junusin dhe Lutin dhe të gjithë këta i veçuam mbi njerëzit e tjerë.” (E’nam, 83-86)
Ndërsa shtatë të tjerët janë: Ademi, Idrisi, Hudi, Salihu, Shuajbi, Dhulkifli dhe Muhamedi (alejhimu selem).
Besimi në Ditën e Gjykimit do të thotë: besimi dhe miratimi i çdo lajmi që është transmetuar në Kur’an apo Sunet për gjërat që do ndodhin pas vdekjes. Allahu i Madhëruar ka përgatitur për njerëzit dy botë: botën në të cilën po jetojmë dhe botën tjetër. Ajo që i ndan këto dy botë nga njëra-tjetra është vdekja dhe fryrja e Surit, i cili do të vdesë çdo krijesë. Për çdo njeri që vdes është bërë Kiameti sepse ai është transferuar nga bota e veprave, në botën e shpërblimit.
Bota tjetër është e ndarë në dy pjesë: jeta në berzah (varr), e cila fillon me vdekjen dhe mbaron me ringjalljen e të gjithë njerëzve dhe jeta pas ringjalljes. Se çfarë do të ndodhë pas vdekjes dhe pas ringjalljes, askush nuk e di përveç Allahut të Madhëruar. Të gjitha këto bëjnë pjesë në jetën pas vdekjes dhe secila tregon për shpërblimet që njerëzit do marrin për veprat që kanë bërë. Kështu që njerëzit e lumtur do të shpërblehen në varre me kënaqësitë e Xhenetit, ndërsa të këqinjtë do të dënohen me dënimet e zjarrit.
Besimi në botën tjetër përfshin dhe besimin në ringjalljen dhe tubimin e njerëzve para Allahut, besimi në ndërmjetësimin, haudin (rezervuarin që Allahu i ka dhuruar Profetit Muhamed), llogarinë, peshimin e veprave, Siratin, Xhenetin, Xhehenemin, e shumë shpërblime të tjera që janë përmendur në Kur’an dhe Sunet. Besimi në paracaktimin e Allahut do të thotë: Të besosh se Allahu ka paracaktuar çdo gjë që do të ndodhë deri në Ditën e Fundit.
Besimi në Kaderin e Allahut ka disa shkallë:
E para: Dituria e hershme e Allahut, e cila përfshin çdo gjë që do të ndodhë.
E dyta: Shkrimi i çdo gjëje që do të ndodhë në librin Levhi Mahfudh, pesëdhjetë mijë vjet, para se Allahu të krijonte qiejt dhe Tokën.
E treta: Vullneti dhe dëshira e Allahut për çdo send që do të ndodhë.
E katërta: Krijimi i çdo gjëje me vullnetin e Allahut e që është në përputhje të plotë me atë që Ai di, të cilat i ka shkruar dhe e ka dashur ekzistencën e tyre.
Ndaj kërkohet që të besojmë në këto që u përmendën, duke pasur në mendje se çfarë do Allahu patjetër që ajo do të ekzistojë, ndërsa atë që nuk e do Allahu, kurrë nuk mund të ekzistojë. Kjo është në përputhje të plotë me fjalën e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) që thotë: “Dije se ajo që nuk të ka goditur, nuk do të mund të të godiste, ndërsa ajo që të ka goditur nuk ka qenë e mundur të mos të të godiste”, të cilin do e sqarojmë në hadithin e nëntëmbëdhjetë.
8- Në fjalët e hadithit: “Më trego çfarë është ihsani?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai me të vërtetë të shikon ty.” Ihsani është shkalla më e lartë, pas tij vjen imani e më pas Islami. Çdo besimtar është musliman, çdo muhsin është besimtar dhe musliman, por jo çdo musliman mund të jetë besimtar dhe muhsin. Për këtë arsye në suren Huxhurat thuhet: “Arabët e shkretëtirës deklarojnë se: “Ne besojmë”. Thuaju: “Ju nuk keni besuar! Por më mirë thoni: “Ne përulemi”, pasi besimi ende nuk ka hyrë (si duhet) në zemrat tuaja.” (Huxhurat, 14)
Në termin gjuhësor do të thotë: Bamirës, por në termin fetar ai merr kuptimin që i dha profeti me fjalët e tij: “Ihsani është ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh, Ai me të vërtetë të shikon ty.”
Në hadith tregohet shkalla e lartë që gëzon ihsani, e pikërisht në fjalën e Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “… ta adhurosh Allahun sikur ti e sheh Atë”, që do të thotë: ta adhurosh Allahun sikur po qëndron para Tij dhe po e shikon Atë. Nëse njeriu e praktikon këtë gjë, adhurimi i tij do të jetë i rregullt dhe i plotë. Ndërsa ai që nuk e ndien diçka të tillë, le të mendojë se Allahu i Madhëruar po e shikon dhe kurrë nuk mund t’i fshehë Atij asgjë. Të ruhet që Allahu të mos e shohë në gjërat që ia ka ndaluar dhe të punojë për gjërat që Ai kërkon ta shohë në zbatimin e tyre.
9- “Më trego kur do të ndodhë dita e Gjykimit?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) iu përgjigj: “I pyeturi nuk ka njohuri më shumë se ai që pyet.”
Allahu i Madhëruar është i Vetmi që e di se kur do të ndodhë Kiameti, prandaj Ditën se kur do të ndodhë Dita e Gjykimit nuk e di askush tjetër përveç Allahut. Allahu i Madhëruar në Librin e Tij thotë: ”S’ka dyshim se vetëm Allahu e di se kur do të ndodhë Kiameti. Ai e di kur e lëshon shiun dhe Ai di se çka në mitra. Askush nuk e di përveç Tij se çfarë mund t’i ndodhë nesër dhe se kur do të vdesë. Allahu është më i Dijshmi, më i Njohuri.” (Lukman, 34)
Gjithashtu thotë: ”Çelësat e fshehtësisë janë vetëm tek Ai dhe atë (fshehtësinë) nuk e di askush përveç Tij.” (Enam, 59) Një nga këta çelësa është edhe Dita e Gjykimit. Argument për këtë është hadithi i Profetit (salAllahu alejhi ue selem) që thotë: “Çelësat e fshehtësisë janë pesë…” – dhe më pas lexoi ajetin e sures Lukman: ”S’ka dyshim se vetëm Allahu …”. (Buhariu me nr. 4778)
Dhe në një ajet tjetër Allahu i Madhëruar thotë: ”Të pyesin ty (Muhamed) për Kiametin se kur do të ndodhë. Thuaj: “Atë e di vetëm Zoti im dhe momentin e tij askush nuk mund ta zbulojë përveç Tij. Çështja e Kiametit është preokupim i rëndë në qiej dhe në tokë, e ai nuk u vjen ndryshe vetëm se befas. Të pyesin sikur ti di për të. Thuaj: “Për të di vetëm Allahu, por shumica e njerëzve nuk e dinë (pse është e fshehtë).” (Araf, 187)
Është transmetuar në hadithet e Profetit (salAllahu alejhi ue selem) se Kiameti do të ndodhë Ditën e Xhuma. Në çfarë viti, muaji, apo në cilën të Xhuma të muajit, nuk e di askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar.
Ebu Daudi në Sunenin e tij transmeton nga Ebu Hurejra se Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Dita më e mirë në të cilën lind dielli është dita e Xhuma. Në këtë ditë u krijua Ademi, në këtë ditë zbriti (nga Xheneti në tokë), në këtë ditë iu pranua pendimi, në këtë ditë ka ndërruar jetë dhe në këtë ditë do të bëhet Kiameti. Nuk ka asnjë kafshë që të mos frikësohet ditën e Xhuma, që nga koha kur hyn sabahu, e deri në lindjen e diellit, nga frika se mos ndodh Kiameti, me përjashtim të njerëzve dhe xhinëve, të cilët janë të vetmit që nuk frikësohen.” (Ebu Daudi me nr. 1046 dhe Nesaiu me nr. 1430) Ky hadith është i saktë dhe burrat që kanë transmetuar zinxhirin e tij kanë transmetuar në gjashtë librat e hadithit, duke përjashtuar Kanabiun, prej të cilit nuk ka transmetuar askush me përjashtim të Ibn Maxhes.
Fjalët e Profetit (salAllahu alejhi ue selem): “I pyeturi nuk ka njohuri më shumë se ai që pyet”, do të thotë se krijesat nuk e dinë se kur do të ndodhë Kiameti dhe çdo njeri që pyet apo pyetet ndodhet në të njëjtën gradë njohurish dhe kurrsesi nuk kanë si ta dinë të fshehtën e saj.
10- “Atëherë më trego për shenjat që lajmërojnë afrimin e saj?” Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Do të ndodhë atëherë kur robëresha të lindë zotërinë e saj dhe kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur, të cilët do të ndërtojnë ndërtesa të larta.” Shenjat e Kiametit ndahen në dy grupe: në grupin e parë bëjnë pjesë ato shenja që janë shumë afër kohës kur do të ndodhë Kiameti, p.sh. lindja e diellit nga perëndimi, dalja e dexhalit, dalja e jexhuxhëve dhe mexhuxhëve, zbritja e Isait (alejhi selam) nga qielli etj., ndërsa në grupin e dytë bëjnë pjesë ato shenja që do të ndodhin para shenjave që përmendëm, p.sh. këto dy shenja që përmenden në hadith.
Kuptimin e tekstit: ”Atëherë kur robëresha të lindë zotërinë e saj”, disa dijetarë e kanë komentuar me shtimin e robëreshave të luftës, të cilat lindin fëmijë nga zotërinjtë e tyre. Ato, më pas, bëhen nëna të fëmijëve të tyre dhe këta fëmijë bëhen sikur të ishin zotërijtë e tyre. Kjo ndodh për shkak se ata e fitojnë lirinë, ndërsa nënat e tyre mbeten robëresha. Disa të tjerë e kanë komentuar me ndryshimin që do të pësojnë njerëzit, deri në atë masë sa që fëmijët nuk do t’i respektojnë më prindërit, por do t’i shtypin dhe poshtërojnë, duke u sjellë sikur të ishin zotërijtë e prindërve të tyre.
Kuptimi i tekstit: ”Kur të shikosh barinjtë e varfër, të zbathur e të leckosur që bëjnë ndërtesa të larta”, është se të varfërit (ata që nuk kanë të ardhura) dhe ata që ruajnë bagëtitë do të ndryshojnë (do të pasurohen). Ata do shpërngulen nga shkretëtirat për në qytete, madje do të ndërtojnë dhe pallate të larta. Këto dy shenja që përmendëm janë realizuar.
11- Fjalët në hadith: ”Më pas ky njeri u largua dhe pas një kohe të gjatë Profeti (salAllahu alejhi ue selem) më tha: “A e di se kush ishte ai që pyeste o Omer?” Thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e njohin më mirë”. Atëherë Profeti (salAllahu alejhi ue selem) tha: “Ai ishte Xhibrili, erdhi t’ju mësojë fenë tuaj.“ Profeti (salAllahu alejhi ue selem) i lajmëroi shokët për njeriun e huaj menjëherë pas largimit të tij.
Ndërsa Omerin (radijAllahu anhu) thuhet se e ka lajmëruar pas tri ditëve. Kjo që përmendëm nuk bie në kundërshtim me hadithin, sepse kur Profeti (salAllahu alejhi ue selem) u tregoi shokëve që ishin të ulur aty, Omeri (radijAllahu anhu) nuk ishte me ta, por ishte larguar menjëherë. Ai e takoi Profetin (salAllahu alejhi ue selem) pas tri ditëve dhe atëherë ai i tregoi se kush ishte njeriu i huaj që e kishte pyetur.
Disa prej përfitimeve që kemi nga ky hadith janë:
- Njeriu që pyet për të mësuar, mund të pyesë edhe për të përfituar të tjerët, kështu ai mund të pyes për diçka që ka njohuri për të me qëllim që njerëzit të dëgjojnë përgjigjen.
- Engjëjt e ndryshojnë formën e tyre dhe paraqiten në forma njerëzish. Por kjo nuk e bën të lejuar atë që quhet sot teatër e që është përhapur në masë sepse ajo është lloj truku. Ndërsa ajo që i ndodhi Xhibrilit ishte me ndihmën dhe lejen e Allahut të Madhëruar.
- Në hadith pasqyrohen disa norma të nxënësit para mësuesit.
- Kur Islami dhe imani vijnë të renditura së bashku, atëherë Islami komentohet me gjërat e dukshme të njeriut ndërsa imani me gjërat e fshehta.
- Duhet të fillohet me gjërat më të rëndësishme, sepse Profeti (salAllahu alejhi ue selem) e filloi me dy dëshmitë kur tregoi për Islamin, e gjithashtu e filloi me besimin në Allahun atëherë kur sqaroi imanin.
- Shtyllat e Islamit janë pesë ndërsa bazat e besimit janë gjashtë.
- Besimi, duke përfshirë gjashtë bazat e tij, përfshihet në besimin në të fshehtën.
- Në hadith sqarohet ndryshimi ndërmjet Islamit, imanit dhe ihsanit.
- Në hadith vërehet grada e lartë që gëzon ihsani.
- Koha se kur do të ndodhë Kiameti është një çështje, për të cilën vetëm Allahu ka njohuri.
- Në hadith tregohen disa prej shenjave të Kiametit.
- Ai që pyetet për diçka që nuk e di, duhet të thotë: “Allahu e di më mirë.”