“O Profet i Zotit, për Allahun, nuk të themi ty, siç i thanë bijtë e Israilit Musait: ‘Shko ti dhe Zoti yt e luftoni, ne po rrimë këtu!’ Por, shko ti dhe Zoti yt, e ne do të luftojmë bashkë me ju!” (Mikdad Ibn Amr)
Lindja e një kolosi në një popull të caktuar të botës nuk përbën ndonjë çudi, pasi në çdo popull kanë lindur kolosë. Në popullin e mongolëve lindi Xhenkiz Khani. Te maqedonasit lindi Aleksandri i Madh. Te gjermanët lindi Bismarku. Tek italianët lindi Garibaldi. Gjatë historisë u shfaqën shumë udhëheqës dhe mendimtarë, të cilët kontribuan në ndryshimin e gjendjes së popujve të tyre dhe ata u njohën në histori si kolosë. Ndonëse, një pjesë e tyre ishin kolosë, vetëm në sytë e popujve të tyre!
Ajo që në të vërtetë të çudit, është që në një popull të caktuar të shfaqet një brez i tërë kolosësh, në një kohë të vetme! Të cilët nuk ndryshuan vetëm gjendjen e popullit të tyre, por ndryshuan gjendjen e mbarë botës, gjer në ditën e fundit të saj! Nuk po flasim për një kolos të vetëm, por, po flasim për një brez të veçantë në llojin e vet! Një brez, si i cili as ka parë, e as ka për të parë ndonjëherë njerëzimi! Po flasim për shokët e Muhamedit, birit të Abdullahit! Po flasim për brezin e sahabëve!
Sahabi quhet ai njeri i cili është takuar me Profetin e Allahut (paqja qoftë mbi të!), duke qenë musliman dhe ka ndërruar jetë duke qenë i tillë.
Allahu i Madhëruar i ka përshkruar këta kolosë në formën më të bukur në një varg kuranor tejet mahnitës. Arsyeja që ai varg është mahnitës, është se ai është i vetmi varg në të gjithë Librin e Allahut, në fjalët e të cilit janë mbledhur bashkë të gjitha shkronjat e gjuhës arabe! Asnjë nga shkronjat e alfabetit të gjuhës arabe nuk ka ngelur pa u përmendur në atë varg! Sekretin e shumëllojshmërisë së shkronjave të përmendura në të, do të përpiqemi ta mësojmë pasi ta kemi cituar këtë varg të bukur, i cili është cekur në kapitullin “El Fet’h”.
”Muhamedi është i dërguari I Allahut. Ata të cilët janë me të, janë të ashpër ndaj të pafeve dhe të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata tek bien në ruku dhe në sexhde, duke kërkuar mirësinë e Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Teurat. Ndërsa në Ungjill shembulli i tyre përshkruhet si një farë e mbjellë, që lëshon filiza e forcohet, e pastaj rritet e fortë me kërcellin e vet, duke i gëzuar mbjellësit. (Kështu përshkruhen ata) me qëllim që nëpërmjet tyre Ai t’i zemërojë mohuesit. Për ata midis tyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira Allahu ka premtuar falje dhe shpërblim të madh.” (El-Fet’h, 29)
Që të bëhet i mundur përjetimi i përshkrimit të këtij vargu të bukur kuranor, që Allahu i bën sahabëve të nderuar, të duhet ta përfytyrosh këtë ilustrim të bukur hyjnor! Imagjino një fidan të vogël, përqark të cilit çelin disa filiza, që e përforcojnë dhe e rrethojnë fidanin kryesor nga çdo anë! Këta filiza e bëjnë të fortë dhe ia shtojnë atij qëndrueshmërinë! Falë këtyre filizave përforcues, fidani i vogël forcohet dhe ngrihet lart në qiell, duke u bashkuar me ta dhe duke formuar kështu një trup të ri të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, zemra e të cilit është fidani kryesor, ndërsa muret e tij janë ata filizat që çelën nga ky fidan! Ky trup u ngrit lart në qiell plot krenari, duke i mahnitur bujqërit që e shihnin teksa kalonin pranë tij dhe duke i hidhëruar mosbesuesit me fortësinë dhe qëndrueshmërinë e tij.
Pasha Allahun, nuk ka përshkrim tjetër në asnjë nga gjuhët e botës që t’i përshkruajë sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) më mirë se ky përshkrim i mrekullueshëm hyjnor!
Muhamedi, i dërguari i Zotit, është ai fidani kryesor, nga i cili çelën filizat e tjerë që janë sahabët e nderuar! Ndërsa bujqërit, të cilët dëshirojnë të mësojnë mënyrën e saktë të kultivimit, janë besimtarët e sinqertë. Ata e vështrojnë me kujdes fidanin e shëndetshëm, për të mësuar nga ai bazat e kultivimit të saktë. Ky është një nga argumentet mbi obligueshmërinë e pasimit të traditës së sahabëve! Ndërsa të pafetë hidhërohen nga bukuria dhe fortësia e tij! Andaj, nëse ti i mban mëri dikujt prej sahabëve të nderuar, sikur dhe një grimcë të vogël, dije mirë se ti je në rrezik të madh! Sepse, në këtë rast, ty të përshtatet fjala e Zotit të gjithësisë: ”… nëpërmjet tyre (sahabëve) Ai synon të hidhërojë të pafetë”.
Besoj se tashmë është bërë më se e qartë arsyeja e vërshimit të sulmeve mediatike kundra sahabëve të Profetit (paqja qoftë mbi të!). Sahabët simbolizojnë atë murin e fortë që rrethon zemrën, e cila simbolizon Profetin (paqja qoftë mbi të!). Nëse pushtuesit arrijnë të shembin murin e fortë të kësaj fortese, atëherë terreni për të sulmuar zemrën e saj do të jetë i hapur! Për t’a shpjeguar më mirë këtë, më duhet të them se nëse ne i lejojmë orientalistët dhe bashkëpunëtorët e tyre nga radhët e hipokritëve që të sulmojnë dhe të hedhin hije dyshimi mbi reputacionin e sahabëve, padyshim që shumë shpejt ky sulm do t’i drejtohet vetë figurës së Profetit (paqja qoftë mbi të!). Pikësynimi kryesor i këtyre pushtuesve është pikërisht zemra e ndërtesës, e cila është vetë Profeti (paqja qoftë mbi të!).
Kritikimi i një sahabiu, cilido qoftë ai, bën që feja islame të ekspozohet përballë rrezikut! Ishin pikërisht këta njerëz, të cilët përçuan deri te ne Kuranin dhe traditën profetike! Me fjalë të tjera, ishin ata që na e përçuan neve fenë islame. Nëse ne vëmë në dyshim përçuesit dhe mbartësit e fesë islame, s’ka diskutim se do të vëmë në dyshim edhe vetë fenë islame!
Të pranosh kritikën ndaj këtyre kolosëve, do të thotë të pranosh se Kurani dhe Suneti, që ata na kanë përçuar, nuk janë të saktë! E për rrjedhojë, ky version i fesë islame që ne njohim nuk është autentik! Të pranosh kritikën në adresë të sahabëve, do të thotë të pranosh të shuhet feja islame e bashkë me të, të shuhemi edhe ne përfundimisht!
Për Allahun, nëse dikush do të ofendonte një mikun tuaj, me siguri që ju do të hidheshit përpjetë dhe do t’i jepnit një shuplakë fytyrës! Të mjerët ju, si është puna me ju! A nuk meritojnë sahabët që ne t’i mbrojmë ata, ashtu si e mbrojtën ata mikun e tyre (Profetin), në mbrojtjen e të cilit dhanë edhe jetën e tyre! S’ka dyshim se t’i dalësh sahabëve në mbrojtje do të thotë t’i dalësh vetë Islamit në mbrojtje! Këta kolosë nuk u bënë të mëdhenj nga hiçi! Përkundrazi, para se dikush prej tyre të shndërrohej në një nga kolosët e brezit të vet, ai ishte fryt i tre faktorëve themelorë që ndikuan në formimin e personalitetit të tij:
Faktori i parë – Përzgjedhja hyjnore
Allahu e përzgjodhi të Dërguarin e Tij nga mesi i gjithë njerëzimit, që ai t’i përçonte botës mesazhin e Tij të fundit. Por jetëgjatësia e këtij të dërguari, si njeri që ishte, ishte e kufizuar. Andaj ishte e nevojshme që Allahu të përzgjidhte për të, dikë që t’a përkrahte sa ishte gjallë, në përmbushjen e misionit të tij. Dhe më pas, pas vdekjes së tij, mesazhin e tij t’ia përçonte popujve të tjerë të botës, të paprekur dhe të pashtrembëruar! S’ka se si të bëhej i qartë ndryshe argumenti i Zotit ndaj njerëzimit mbi përçimin e mesazhit autentik tek ata! Nuk i duhet shumë zgjuarsi atij që i studion me kujdes historitë e sahabëve, që të kuptojë se Allahu i Madhërishëm i përzgjodhi ata një për një, që të përmbushnin misionin për të cilin ishin krijuar.
Fisi i Eusëve dhe fisi i Hazrexhëve nuk ishin me origjinë nga Medineja. Ata rridhnin nga fisi i Ezdëve, i cili u shpërngul nga Jemeni fill pas shembjes së digës së Me’rebit. Vallë kush i shtyu ata që të zgjidhnin Medinen si vendbanimin e tyre të ri, ku disa vite më pas u shpërngul dhe i dërguari i Allahut! Madje, fillimisht, kush bëri që diga e Me’rebit të shembej? Selman Farisiu u shpërngul përmes një aventure të habitshme, nga tokat perse në tokat e Shamit, e më pas në tokat e Irakut, e më pas në tokat e Turqisë, në kërkim të së vërtetës së përjetshme, por pa sukses! E pasi ai personalisht nuk arriti që ta gjejë të vërtetën, atëherë një bandë kusarësh e rrëmbyen atë dhe e çuan pikërisht në Medine, pa dëshirën e tij! Aty ku dhe gjeti të vërtetën që e kërkonte prej vitesh!
Faktori i dytë – Edukata Profetike
Mbase ajo që më së shumti i dallon sahabët nga pjesa tjetër e njërëzimit në të gjitha kohërat, është fakti se ata patën fatin që të mësojnë drejtpërdrejt nga mësuesi më i madh i njerëzimit, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!). Kjo bëri që ata të njihen në histori si nxënësit më të mëdhenj, të mësuesit më të madh në botë! Sahabët e morën ujin të kulluar nga burimi, të papërzier me ndonjë element të dyshimtë. Ndërkohë që ne e kemi marrë atë të përzier me shumë elemente të dyshimta! Andaj, medoemos kuptimi i tyre mbi Kur’anin dhe Sunetin është më i qëlluar se ai i joni! Kjo, sepse ata bashkëjetuan realisht me Profetin (paqja qoftë mbi të!).
E për pasojë, kuptimi i tyre mbi Kur’anin dhe Sunetin është kuptimi i saktë i fesë! Dhe ne jemi të detyruar që Kur’anin dhe Sunetin ta kuptojmë sipas kuptimit të tyre e jo sipas kuptimit tonë personal! Prandaj, nëse sahabët e kanë komentuar një verset kuranor në një formë të caktuar dhe vjen dikush nga muslimanët e mëvonshëm dhe e komenton atë ndryshe, atëherë komentimi i sahabëve, pa asnjë mëdyshje, gjykohet si komentimi i saktë! Kjo, sepse ata kanë përjetuar rrethanat e shpalljes së verseteve kuranore dhe i dinin shkaqet e zbritjes së tyre, si dhe e njihnin domethënien e përmbajtjes së tyre! Kështu që mënyra e sahabëve në zbatimin e Kur’anit dhe Sunetit, gjykohet si mënyra e saktë e zbatimit të fesë islame!
Faktori i tretë – Beteja me vetveten
Kohëve të fundit, nëpër qarqet e rinisë së epokës së rizgjimit, na ndodh që të dëgjojmë një shprehje që përsëritet shpesh: “Hapini dyert e luftës së shenjtë!” S’ka dyshim se këta të rinj i kanë lexuar tregimet mbi bëmat e mëdha heroike që realizuan heronjtë e sahabëve, andaj ata kërkojnë që t’i imitojnë, duke bërë thirrje për hapjen e derës së luftës së shenjtë. Mirëpo e vërteta, e cila nuk u ka shkuar atyre nëpër mend, është se çështja e luftës së shenjtë nuk është aspak aq e thjeshtë!
Ajo që na takon ne para se të mendojmë për luftën e shenjtë është që t’i drejtojmë vetes pyetjet: “A e fal namazin e sabahut në kohën e tij, lë më nëse e fal apo jo në xhami! A çohesh natën për të falur namazin e natës? A e lë dot pa e ndjekur ndeshjen e ekipit kombëtar, kur thirret ezani për faljen e namazit? A merresh me ushtrime fizike, ose a di të vraposh të paktën? Ose a e lë dot duhanpirjen, para se të angazhohesh me luftën e shenjtë?”
Është interesant fakti se si shumë prej të rinjve, ndonëse synimeve të drejta që kanë në këmbënguljen e tyre për luftën e shenjtë, mendojnë se për t’u bërë hero, siç ishin heronjtë e sahabëve në betejën e Bedrit dhe Uhudit, mjafton që të hedhësh krahëve një armë dhe ja ku u bëre! Në fakt rruga e luftës së shenjtë është shumë më e gjatë nga ç’mund të mendohet, dhe mbase faza e fundit e saj është rrokja e armëve! (e jo faza e parë siç mendojnë disa!). Sahabët e nderuar nuk arritën t’i realizojnë ato akte heroike dhe të fitojnë atë lavdi të përjetshme, vetëm se pas një beteje të ashpër, e cila ishte më e madhe se ajo që kërkojnë të rinjtë tanë në ditët e sotme! Ajo është pikërisht beteja me vetveten!
Metali i fortë nuk bëhet aq i fortë, vetëm pasi të dalë nga poçeja përvëluese e zjarrit! Lëkura e Mus’abit birit të Umejrit, para se të mbartte flamurin e Islamit në betejën e Uhudit, fëshfëriste në Mekë pasi pranoi Islamin! Sahabëve nuk iu desh më shumë se një vit në Medine për të triumfuar në betejën e Bedrit, ndërkohë që iu deshën trembëdhjetë vite në Mekë për të ndërtuar burra të fortë, të cilët nuk i druheshin vdekjes! Mbase befasohesh nga fakti se namazi i natës ishte i detyrueshëm në fillimet e përhapjes islame! Madje rrokja e armëve për të luftuar ishte e ndaluar përgjatë gjithë periudhës mekase, në mënyrë që t’u bëhej e mundur vazhdimësia afatgjate e disiplinimit vetjak, pikërisht beteja me vetveten!
Ndonëse sahabët në përgjithësi ishin njerëzit më të mëdhenj pas profetëve të Zotit, një kontigjent i caktuar nga mesi i tyre ishin pa asnjë dyshim kontigjenti më madhështor në të gjithë historinë e njerëzimit, që nga i pari i njerëzimit Ademi, e deri në ditën e ringjalljes! Kush ishte ky kontigjent hyjnor, i cili e ndryshoi përgjithmonë rrjedhën e historisë…
Njoftim: Librin “100 kolosë të botës Islame që ndryshuan rrjedhën e historisë” mund ta porosisni në këtë numër: +355 67 432 3930