“Allahu dhe besimtarët nuk pranojnë veçse Ebu Bekrin.” (Muslimi, 2387)
Nuk e kisha planifikuar që emrat e njëqind kolosëve të botës islame, t’i radhisja sipas meritës dhe pozitës së tyre. Ky nuk ishte aspak synimi im në këtë libër. E vërteta është se unë vendosa që në mënyrën time të të shkruarit të këtij libri, të mos marr parasysh asgjë nga dallimet kohore apo krahinore, e për marrjen në konsideratë të dallimit mes madhështisë së tyre, as që bëhej fjalë!
Pasi vendosa të mos i përfshij në këtë libër të dërguarit dhe profetët, të cilët janë pa asnjë mëdyshje krijesat më të larta, radhitja e kolosëve sipas asaj që më përshtatej në realizimin e kësaj vepre letrare, duke mos marrë parasysh faktin që pas një kolosi të caktuar të përmendet dikush më i madh se ai në meritë apo pozitë, nuk përbënte më ndonjë kundërshti për mua!
Mirëpo, pena turpërohet para autorit të librit, që të vendoset tjetërkush veç Ebu Bekrit në krye të listës së këtij libri, i cili është i pari në llojin e tij mbi kolosët e botës islame. Më dukej sikur para syve kisha Profetin (paqja e Zotit qoftë mbi të!), i cili teksa dergjej në shtratin e vdekjes, i urdhëronte muslimanët dhe u thoshte që Ebu Bekri të ishte udhëheqësi më i lartë i tyre me fjalët: ”Allahu dhe besimtarët nuk pranojnë veçse Ebu Bekrin.” (Muslimi, 2387)
Për këtë arsye, e pashë të domosdoshme të bëj një përjashtim të vetëm në radhitjen e njëqind kolosëve të këtij libri dhe të vendos të parin, atë që në të njëjtën kohë është dhe më i madhi. Madje, ai është më i madhi pas profetëve të Zotit dhe i pari që do të hyjë në Xhenet pas tyre. Kjo, pasi ai ishte njeriu i parë që barti pishtarin e thirrjes monoteiste, të cilin na e lanë profetët, për të ndriçuar me të terrin e botës nga lindja në perëndim! Ishte pikërisht ky burrë, i cili kryesoi të tjerët në bartjen e barrës së predikimit, e cila iu ngarkua për herë të parë në histori një njeriu të thjeshtë që nuk ishte nga radhët e profetëve.
Ebu Bekri i sinqertë, ishte shok i Profetit të Allahut para dhe pas Islamit. Ai ishte personi i vetëm të cilin e përzgjodhi Allahu i Madhëruar nga sipër shtatë qiejve, për të shoqëruar të Dërguarin e Tij në rrugën e hixhretit (migrimit). Ishte i pari burrë në histori që besoi në Pejgamberinë e Muhamedit. Ai ishte më i madhi i dhjetë burrave më të mëdhenj që kanë ecur mbi tokë pas profetëve. Ishte personi, i cili prej nga dita që pranoi Islamin, barti mbi supe barrën e predikimit dhe nëpërmjet tij pranuan Islamin pesë burra të tjerë nga dhjetëshja e përgëzuar me Xhenet. Ai ishte i ati i zonjës së nderuar Aishe (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Sikurse ishte dhe kalifi i parë i Profetit të Allahut (paqja qoftë mbi të!).
Ç’është e vërteta, ndonëse madhështia e Ebu Bekrit u shfaq në mënyrë të dukshme vetëm pas hyrjes së tij në fenë islame, ajo nuk erdhi si rezultat i një momenti të vetëm, përkundrazi ai edhe para ardhjes së Islamit ishte një ndër burrat më fisnikë në Mekë. Ebu Bekri ishte njëri ndër dhjetë burrat që administronin çështjet e Mekës në periudhën paraislame. Ai administronte çështjet e shpagimeve të gjaqeve dhe të dorëzanive në fisin e Kurejshëve. Kushdo që dëshironte të merrte borxh nga dikush në Mekë, e kishte të domosdoshme që në fillim, të kërkonte dorëzaninë e Ebu Bekrit (Zoti qoftë i kënaqur me të!).
Duke qenë se meritat e Ebu Bekrit i njeh çdo musliman dhe se renditja e gjithë aspekteve të madhështisë së tij është ndër gjërat e pamundura, e pashë të udhës që shkurtimisht të rendis vetëm dy merita të tij. Dy merita, që nëse ai nuk do t’i kishte dhënë botës islame gjë tjetër veç tyre, do të mjaftonin që ai të zinte vend në majën e kalasë së kolosëve deri në Ditën e Gjykimit.
Assesi nuk do të zgjerohem në përshkrimin e dimensionit fetar të këtij burri të madh, pasi për të kanë shkruar dhe vazhdojnë të shkruajnë të tjerë më të mirë se unë, por ajo që dua të bëj është thjesht një orvatje, për të nxjerrë në pah arsyen e madhështisë së këtij kolosi musliman nga dimensioni i tij njerëzor, duke bërë çmos që të jem sa më i paanshëm në trajtimin historik, ndonëse kur bëhet fjalë për të shkruar për shokun më të ngushtë të Profetit (paqja qoftë mbi të!), asnjëherë nuk mund të pretendoj paanshmëri të plotë.
Merita e parë e Ebu Bekrit ndaj meje dhe ndaj teje dhe ndaj mbarë muslimanëve, madje dhe ndaj mbarë njerëzimit, është qëndrimi i tij si një fortesë e fortë përballë rënies së njerëzimit në terrin e injorancës dhe prapambetjes, pas ndërprerjes së shpalljes hyjnore dhe pas mbarimit përgjithmonë të epokës së profetëve e të dërguarve. Siç e dimë, përgjatë gjithë kohërave, Allahu i dërgoi njerëzimit profetë të ndryshëm me mesazhin e monoteizmit. Disa njerëz u besuan atyre, e disa jo, por edhe ata që patën besuar bashkë me pasardhësit e vet, e braktisën udhën e drejtë pas vdekjes së profetëve të tyre. Pas humbjes së origjinalit të shkrimeve të shenjta, ata e manipuluan në mënyrë të qëllimtë, apo të paqëllimtë mesazhin e Allahut.
Si rrjedhojë, pas vdekjes së Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!), pjesa më e madhe e arabëve u kthyen në politeizëm dhe ndërtuan idhuj, duke menduar se nëpërmjet tyre, ata afroheshin më pranë Allahut! Sakaq, të krishterët nisën të adhuronin Isain (paqja qoftë mbi të!), pasi Allahu e ngriti atë lart! Ndërsa bijtë e Israilit, për një mungesë dyzet ditëshe të Musait, nisën të adhururonin viçin!
Populli i Nuhut, në mënyrë të qëllimtë apo të paqëllimtë, nisi të adhuronte besimtarët e devotshëm veç Allahut, duke pandehur se një gjë e tillë i afronte ata më pranë Allahut! Si rrjedhojë, në vend që femra t’i lutej Allahut për fëmijë, ajo i lutej të vdekurve! Dhe në vend që burri i pikëlluar t’i lutej Allahut për largimin e pikëllimit, ai i lutej të vdekurve! Disa shkuan aq larg në devijim, saqë nisën të kryenin ritualin e tavafit rreth varreve të profetëve dhe besimtarëve të devotshëm! Kjo bëri që ata, atëbotë të ishin më afër mosbesimit se sa besimit!
Meqenëse mesazhi i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) është i fundit për njerëzimin, atëherë çdo lëshim apo manipulim kundrejt këtij mesazhi nënkupton neglizhimin e të ardhmes së njerëzimit dhe lënien pas dore të faktorëve të ekzistencës së tij! Dhe ç’është e vërteta, kjo gjë për pak sa nuk ndodhi, nëse Allahu nuk do të mobilizonte për shpëtimin e njerëzimit një burrë, emri i të cilit ishte ”Abdullahu i biri i Uthmanit”, të cilin historia e njeh me emrin “Ebu Bekri i sinqertë”.
Pseudonimin ”Ebu Bekër” (i hershmi) e mori për shkak të pranimit të tij të shpejtë të fesë islame, ndërsa epitetin ”i sinqerti” e mori për shkak të pohimit të tij të menjëhershëm të ngjarjes së Israsë dhe Mi’raxhit. Ky burrë vigan u çua pas vdekjes së mikut të tij më të përzemërt dhe shokut të tij më të ngushtë, për t’i shpjeguar muslimanëve parimin më të madh që ka njohur ndonjëherë njerëzimi. Parim ky që meriton të shkruhet me germa të arta: ”Ai që adhuronte Muhamedin, le ta dijë se Muhamedi tashmë ka vdekur, e ai që adhuronte Allahun, le ta dijë se Allahu është i Gjallë, nuk vdes!”
Merita e dytë e Ebu Bekrit është se ai arriti të triumfonte në një kohë të vetme mbi ushtrinë bizantine dhe ushtrinë perse!
Profeti (paqja qoftë mbi të!) sa ishte gjallë nuk i ndërpreu përpjekjet e tij, duke përdorur të gjitha mënyrat paqësore që mesazhin e monoteizmit ta përçonte te të gjithë kombet e botës. Ai dërgoi korrierë te mbretërit e botës me letrat e tij, ku i ftonte ata të adhuronin Zotin e gjithësisë dhe të hiqnin dorë nga shtypja e njerëzimit dhe robërimi i tyre.
Por, kur ata kuptuan se feja islame nuk përputhej me diktaturën dhe dhunën që ata ushtronin mbi popujt e tyre të dobët, i vranë korrierët e Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe ua mbajtën të fshehtë popujve të tyre mesazhin e Islamit dhe i shpallën luftë Profetit të Allahut. Kajseri kryelartë i Persisë, e grisi letrën e njeriut më të madh që ka njohur historia njerëzore dhe i dha urdhër mëkëmbësit të tij në Jemen ta arrestonte atë. Edhe perandori romak Herakli i shpalli luftë Islamit, ndonëse ai besonte te vërtetësia e profecisë së Muhamedit (paqja qoftë mbi të!).
Për këtë arsye, Ebu Bekri (Allahu ia shpërbleftë me gjithë të mirat!) vendosi të përmbushë një mision, të cilin nuk e kishte përmbushur askush në historinë e çlirimtarëve të mëparshëm! Dihet që ekziston një rregull ushtarak, që nga kohërat e vjetra, i cili ende sot e kësaj dite vazhdon të studiohet nëpër akademitë ushtarake që thotë ”Shmang hapjen e më shumë se një fronti në përballjen luftarake.” Napoleon Bonaparti humbi betejën me rusët, pikërisht kur ai hapi një front të dytë lufte! Ushtria e Hitlerit u shpartallua si mos më keq, mu atëherë kur ai mendoi për hapjen e frontit të Stalingradit!
I pari që e ka thyer me sukses këtë rregull ushtarak në historinë e botës është Ebu Bekri, kur i hapi luftë ushtrive të dy perandorive më të mëdha të botës në të njëjtën kohë! Kur sundimtarët kryelartë të Bizantit dhe Persisë refuzuan që t’u jepnin leje predikuesve muslimanë, për të përçuar mesazhin e monoteizmit te popujt e shtypur, Ebu Bekri vendosi të dërgonte batalionet e ndritura që përbëheshin nga kalorës, pjesa më e madhe e të cilëve ishin nga radhët e shokëve të Muhamedit (paqja e Zotit qoftë mbi të!). Ebu Bekri i sinqertë i theu fortesat e Kajserit nga fronti lindor nëpërmjet ushtrisë së tij, e cila udhëhiqej nga heroi legjendar, Halid Ibn Velidi, dhe në të njëjtën kohë i lëkundi tokat bizantine nga fronti perëndimor nëpërmjet ushtrisë tjetër të tij, e cila udhëhiqej nga heroi gjigant, Ebu Ubejdeh Ibn Xherrah.
Pa kaluar ende disa vite nga koha që Ebu Bekri i shpalli luftë paralelisht dy perandorive më të mëdha që kishte njohur historia asokohe, dinastia islame arriti të bëhej dinastia e parë në mbarë botën. Vlen të përmendim këtu se Ebu Bekri nuk ishte i vetmi që e ka thyer këtë rregull ushtarak, atë e kanë thyer me sukses të plotë edhe disa komandantë të tjerë, të cilët ishin të gjithë pa përjashtim nga bota islame! Ndërkaq, ekspertët e historisë ushtarake janë të paaftë për ta zgjidhur këtë enigmë magjepsëse!
E njëjta enigmë u rishfaq nëpërmjet një burri, i cili lindi mbi 1300 vjet pas vdekjes së Ebu Bekrit, në rrethinat e largëta të perëndimit islamik. Ky burrë, nuk u përball në luftë vetëm me dy perandori, por u përball me tri perandoritë më të mëdha të asaj kohe! Vallë kush ishte ky burrë i madh që lindi në botën islame, emri i të cilit u bë simbol i revolucionarëve anembanë botës?
Si u frymëzuan nga ai revolucionarët e Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine mbi luftën e armatosur? Pse u konsiderua ai nga revolucionarët vietnamezë si mësues i tyre, në betejën kundra imperializmit global? Cila është historia e betejës legjendare të Envalit, e cila pa më të voglin dyshim ishte një nga ditët e shënuara të historisë? Cili ishte misteri i telegramit të fshehtë me përmbajtje kritike që i mbërriti sekretarit të përgjithshëm të “Lidhjes së Kombeve Arabe”, nga porti i qytetit të Sanasë në Jemen në vitet 1947…
Njoftim: Librin “100 kolosë të botës Islame që ndryshuan rrjedhën e historisë” mund ta porosisni në këtë numër: +355 67 432 3930