Në vitin 1978, një profesor amerikan i historisë me emrin Majkëll Hart (Michael Hart) shkroi një libër, të cilin e titulloi “Njëqind personalitetet më me ndikim në histori”. Ky historian i famshëm amerikan përzgjodhi në librin e tij njëqind personalitete të ndryshme, përgjatë gjithë historisë njerëzore në nivel global, për t’i bërë protagonistë të librit të tij. Ajo çka të habit është se Majkëll Hart nuk u mjaftua vetëm me përmendjen e emrave të njëqind personaliteteve, që ai i konsideronte nga këndvështrimi i tij personal (si profesor i historisë së njerëzimit që ishte) si njëqind personalitetet me ndikimin më të madh në histori, por ai shkoi edhe më tutje, duke i renditur emrat e tyre sipas madhështisë së tyre, ose sipas asaj që ai e konsideronte “madhështi”!
Për hir të së vërtetës, mendoj se libri i këtij intelektuali amerikano-hebre përmban një sasi të madhe të dhënash të vyera, të cilat dëshmojnë për një horizont të gjërë dhe për një paanshmëri historike të dukshme.
Mirëpo reagimi i muslimanëve ndaj këtij libri ishte shumë befasues. Ata u gëzuan shumë për këtë libër dhe e quajtën një nder të madh vendosjen e emrit të Profetit të tyre, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), në krye të listës së njëqind personaliteteve. Sikur muslimanët, nëpërmjet këtij libri, zbuluan diçka të re që nuk e kishin ditur më parë! Apo sikur Profeti (paqja qoftë mbi të!) priste ta vlerësonte ky historian amerikan, ndonëse për madhështinë dhe superioritetin e tij njerëzor kishte dëshmuar vetë Allahu, Zoti i njerëzimit.
Pas një periudhe të gjatë studimi dhe hulumtimi, zbulova se gëzimi i botës islame ndaj librit në fjalë vinte si pasojë e mungesës së frikshme të njohurive mbi historinë e tyre islame në veçanti, por dhe historinë njerëzore në përgjithësi!
Nëse muslimanët do e kishin lexuar librin në fjalë, për të cilin u gëzuan tej mase, ata do të kishin zbuluar se profesor Majkëll Hart në listën e njëqind personaliteteve, që kryesohet nga Profeti ynë, ka vendosur edhe njerëz kriminelë si Xhenkis Khani (Genghis Khan) dhe Hitleri! Madje, Majkëlli e thotë hapur në librin e tij se Buda, të cilin ai e rendit të katërtin, meritonte të ishte në krye të listës së njerëzve të mëdhenj, por ndjekësit e tij nuk ishin aq të shumtë në numër sa ata të Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!).
Nuk jam plotësisht i sigurt nëse Majkëll Hart, teksa shkruante këto fjalë absurde, ishte në dijeni se Buda i dha fund jetës duke u vetëvrarë në skutat e shpellave të Azisë, ngaqë humbi arsyen dhe u marros! Por, jam më se i sigurt se ne muslimanët e konsiderojmë Profetin tonë krijesën më madhështore që Allahu i Madhërishëm ka krijuar përgjatë gjithë historisë njerëzore.
Për këtë arsye, më lindi ideja e shkrimit të një libri, ku të paraqes në mënyrë gjithëpërfshirëse historinë islame dhe të shënoj të gjitha ngjarjet e rëndësishme që përjetoi bota islame, nga fillimi i saj e deri në kohën tonë!
Me “botën islame” nuk kam për qëllim kuptimin e ngushtë të fjalës që njihet nga masat e gjera të muslimanëve, e cila nënkupton ndjekësit e profetit arab Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), por kam për qëllim kuptimin e gjerë të saj, e cila i përfshinë të gjithë muslimanët monoteistë që kanë jetuar në të gjitha etapat e historisë njerëzore!
Në këtë libër, unë do e shoqëroj lexuesin e nderuar në një udhëtim historik të këndshëm dhe së bashku do të endemi nëpër të gjitha etapat e historisë njerëzore, duke i kapërcyer të gjithë kufijtë kohorë dhe vendorë, dhe duke u zhvendosur nëpër vende të ndryshme të rruzullit tokësor, nga Japonia në Lindje, deri në Kili në Perëndim, dhe nga Suedia në Veri, deri në Afrikën Jugore në Jug. Në këtë udhëtim historik, do të zbulojmë së bashku madhështinë e njëqind kolosëve të botës islame, të cilët ndryshuan rrjedhën e historisë.
Këta njëqind kolosë, (për të cilët asnjëherë nuk pretendoj se janë të gjithë më të mëdhenjtë), i përkasin kategorive të ndryshme të njerëzve. Për këtë arsye, ”kolosi” në këtë libër mund të jetë mashkull, femër, grup i caktuar i një shoqërie, racë e caktuar njerëzore, komandant ose ushtar, arab ose joarab. ”Kolosi” mund të jetë dhe shkencëtar novator ose poet letrar, njeri i famshëm ose njeri i panjohur i harruar nëpër skutat e historisë.
Emrat e kolosëve i kam renditur në një mënyrë që personalisht mendoj se është një risi, duke mos i marrë në konsideratë dallimet e tyre në meritë dhe në madhështi, e as largësinë kohore apo vendore, me qëllim që çdo kolos të na rrëfejë historinë e Islamit në kohën kur ai u shfaq dhe në vendin ku ai doli, që kur të kemi mbërritur te kolosi i njëqind, të kemi krijuar një panoramë gjithëpërfshirëse të historisë islame.
Pas mbarimit të shkrimit të kësaj vepre, u binda se kjo që kam paraqitur në këtë libër është vetëm një panoramë e zvogëluar e historisë së madhe islame dhe se në realitet kemi të bëjmë me një histori shumë herë më të gjerë nga ç’e prisja unë!
Ndonëse unë jam më se i vetëdijshëm se kolosët e Islamit janë të panumërueshëm, përsëri jam munduar shumë që përmes punës njëvjeçare të pandërprerë, të përzgjedh njëqind figura shembullore islame, që përfaqësojnë historinë islame përgjatë gjithë kohërave. Në këtë vepër, kam marrë parasysh që qasja ime historike ndaj secilit prej kolosëve t’i përshtatet natyrës së qëllimit që e shoqëron atë. Për këtë arsye, nganjëherë qëllimi im është thjesht citimi i historisë, nganjëherë është mbrojtja e figurës së kolosit në fjalë, e nganjëherë qëllimi fokusohet mbi rrëzimin e dyshimeve të rrezikshme, që janë hedhur kuturu mbi Islamin, dhe nganjëherë qëllimi im është kritikimi i armiqve të umetit!
Në këtë libër do të lundrojmë; në oqeanin e historisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!), në oqeanin e historive të sahabëve, në oqeanin e historisë së dinastive të njëpasnjëshme të kalifatit islamik, në oqeanin e historisë së dinastive të pavarura, në oqeanin e historisë së kryqëzatave, në oqeanin e historisë së tatarëve, në oqeanin e historisë së shkatërrimit (kolonizimit) evropian në dy shekujt e fundit, në oqeanin e historisë së trazirave dhe dezertimeve si dhe në oqeanin e çlirimeve islame.
Do të bëjmë çmos që të zbulojmë sekretin e shiitëve; cila ishte zanafilla e tyre, cilat ishin shtatë karakteristikat e tyre, cila është doktrina e tyre dhe rreziku që ata paraqesin, si dhe projektet që ata synojnë të arrijnë në të ardhmen! Në këtë libër, do të përpiqemi të studiojmë historinë e qytetërimit islamik, veçoritë dhe arritjet e tij, si dhe cilët ishin shkencëtarët e dalluar të tij.
Do të studiojmë mënyrën e ndërtimit të qytetërimeve të ndryshme dhe shkaqet e rënies së tyre, ku si shembull konkret do të marrim historinë e Andaluzisë, të cilën do ta trajtojmë, deri diku, me detaje të hollësishme. Do të studiojmë historinë e çlirimit islam në Andaluzi dhe do të ndalojmë te historia e udhëheqjes islame në të, më pas te historia e kalifatit islam në Kordoba dhe te historia e principatave të vogla. Do të flasim me detaje mbi historinë e dinastisë së murabitinëve dhe dinastinë e muvehidinëve. Pas kësaj, do të studiojmë shkaqet e rënies së Andaluzisë dhe shenjat që sinjalizuan rënien e saj.
Mandej, do të studiojmë gjendjen e muslimanëve andaluzianë pas rënies së Andaluzisë dhe historinë e revolucionit të madh popullor në të. Në fund, do të cekim historinë e gjykatave të tmerrshme të inkuizicionit, ku do të depërtojmë deri te qilarët e fshehtë dhe mjetet e frikshme të torturës që përdoreshin në to.
Më pas, në këtë libër do të lundrojmë me flotën detare gjigante islame, për të mësuar historinë e betejës së pavdekshme të Prevezës (qytet bregdetar i Çamërisë), e cila ishte beteja më e madhe detare në historinë islame. E më vonë, do të vazhdojmë lundrimin me flotën detare osmane, deri në brigjet e dy Amerikave, ku do të mësojmë historinë e indianëve të kuq dhe do të zbulojmë disa sekrete të rëndësishme, që nxjerrin në pah për herë të parë historinë e tyre të vërtetë dhe lidhjen e tyre me Islamin. Në Amerikën Jugore do të mësojmë për historinë e terrorizmit të tmerrshëm spanjollo-portugez. Ndërsa në Amerikën Veriore do të mësojmë për historinë më të ligë që ka njohur njerëzimi, historinë e skllavërimit!
Më tej, do të mësojmë për historinë e çlirimit të afrikanëve të zinj nga skllavëria dhe lidhjen e fesë islame me lëvizjen e çlirimit të tyre. Mandej, do të rikthehemi edhe njëherë në botën e vjetër, për të studiuar në mënyrë të detajuar historinë e osmanëve turq. Cilët ishin faktorët që ndikuan në ngritjen dhe në rënien e tyre, dhe cilat ishin historitë e çlirimeve dhe betejave të tyre më të rëndësishme! Në fund do t’i bashkëngjisim librit një letër sekrete, të shkruar nga dora e kalifit Abdulhamidi i Dytë, përmes së cilës ai shpjegon lidhjen e hebrenjve me shkarkimin e tij.
Në këtë libër do të studiojmë historinë e hebrenjve donme dhe lidhjen e tyre me shtetin e Turqisë moderne! Po këtu, do të studiojmë gjithashtu historinë e rilindjes moderne islame në Turqi dhe do të flasim për protagonistët e saj! Në këtë libër do të flasim në mënyrë të detajuar për historinë e Islamit në Indi, pasi të kemi hedhur një vështrim të shpejtë mbi historinë fetare dhe shoqërore të saj.
Nga ky libër do të mësojmë gjithashtu mbi historinë e Persisë, nga fillimi i krijimit të qytetërimit ariano-pers, e deri te formimi i dinastisë moderne humejnite. Do të përpiqemi gjithashtu të zbulojmë sekretin e urrejtjes së fshehtë të iranianëve ndaj arabëve në veçanti! Do të paraqesim një panoramë të shkurtër mbi historinë e arabëve, si populli që përqafoi në gjirin e tij fenë islame. Do të flasim për origjinën, fiset, sistemin politik dhe atë shoqëror, si dhe për historinë fetare e kulturore të periudhës paraislame.
Në këtë libër do të mësojmë mbi sekretin e gjuhës arabe dhe mbi sekretin e sulmit të frikshëm që po i bëhet asaj vitet e fundit. Po këtu, do të sjellim gjithashtu një poemë të mahnitshme të poetit më të madh në historinë njerëzore. Do të studiojmë historinë e lëvizjeve çlirimtare arabe, kundër kolonizimit europian në dy shekujt e fundit.
Do të përmendim heronjtë e lëvizjeve çlirimtare në Marok, Algjeri, Libi, Tunizi, Egjipt dhe Palestinë. Në këtë libër, do të shpjegojmë konceptin e monoteizmit në mënyrë të detajuar, pasi të kemi mësuar mbi historinë e tre heronjve të monoteizmit, në Nexhd, Hixhaz dhe Mauritani. Në këtë libër, do të studiojmë historinë e Palestinës, historinë e duelit islamo-kryqtarë dhe historinë e duelit islamo-zjarrputist.
Në këtë libër, do të përpiqemi të mësojmë mbi vetitë e përbashkëta të kolosëve të botës islame dhe vetitë e përbashkëta të dijetarëve muslimanë. Do të përpiqemi që të shpjegojmë bazat e një këndvështrimi të ri mbi historinë, një këndvështrim i cili mundohet të shpjegojë konceptin e “pushtimit historik”. Po në këtë libër, do të këpusim nga një lule në lulishten e çdo periudhe të historisë islame. Me pak fjalë, në fund të këtij libri, ne do të kemi përfituar njohuri të konsiderueshme mbi historinë e botës islame.
Njoftim: Librin “100 kolosë të botës Islame që ndryshuan rrjedhën e historisë” mund ta porosisni në këtë numër: +355 67 432 3930